Veterinerët në 800 fshatra “mjekë” edhe për njerëzit

    402
    Skandali ka këtë tregues shqetësues: Në mbi 70% të qendrave të komunave, nuk ka farmaci, por edhe ku ekzistojnë, rolin e farmacistëve e luajnë veterinerët, të cilët në shuëm raste bëjnë edhe vizita e japin ilaçe, ose kryejnë rolin e farmacistëve të njerëzve, mbasi në fshatra mungojnë farmacitë, shërbimin e të cilave Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Farmacistëve e kanë detyrim të çojnë në çdo zonë të banuar 
    Shqipëria është vendi i çudirave, i skandaleve, i gjithçkaje që nuk ka lidhje me normalitetin e jetës, të punës, të sjelljes e të zbatimit të ligjit. E ndërsa shteti i lejon, populli i pranon si normale këto “çudira” edhe kur ato kanë lidhje me shërbimin mjekësor, sektor ky që ka lidhje të plotë me sigurinë e shëndetit e të jetës së tyre. Sot po sjellim një rast të rëndë të shpërfilljes që shteti i bën kujdesit të jetës së njerëzve, të cilët paguajnë taksa të shumta e të larta për sigurinë dhe trajtimin mjekësor. Mirëpo, ja që ndodh “çudia” e cila nuk ndodh as në Somali! 
    Mesjeta shëndetësore/ Mbi 70% e fshatrave pa farmaci e pa shërbim mjekësor
    Pjesa e shqiptarëve që banojnë në fshatra, janë të përjashtuar nga shërbimet mjekësore më të domosdoshme, mbasi u mungojnë në zonat ku banojë, për shkak se shteti, konkretisht Ministria e Shëndetësisë nuk ua ofron. Siç dihet sektori shëndetësor në Shqipëri është mbërthyer për fyti nga korrupsioni dhe aferat të cilat, të lidhur anë interesa fitimesh të majme me shërbime në qytet, kanë lënë shumë qendra të banuara pa shërbimet minimale të kujdesit mjekësor. Në vazhdën e absurdeve që ndodhin me shërbimin mjekësor, i shtohet edhe një absurd tjetër i radhës. Mjekët në të gjithë vendin padyshim që lëshojnë me dhjetëra apo qindra receta medikamentesh, për pacientët që ata vizitojnë nëpër klinikat e tyre, publike apo private. Mirëpo, ndodh skandali, që veterinerët në 800 fshatra të Shqipërisë, prej vitesh vazhdojnë të shërbejnë edhe si “mjekë”edhe për njerëzit, duke e bërë vizita e duke dhënë mjekime me ilaçe! Sipas informacioneve dhe dëshmive, kjo ndodh për shkak se në shumë fshatra nuk ka mjekë, as ndihmës mjekë, mbasi mjekët kanë zbritur të gjithë në spitalet, qendrat shëndetësore, urgjencat, klinikat, konsultoret dhe ambulancat në qendrat e qyteteve, rretheve e qarqeve, të pranuar e punësuar me urdhër, porosi, klientelizëm politikë, me nepotizëm e ryshfete prej Ministrisë së Shëndetësisë, prej deputetëve, ministrave e Drejtorive Rajonale të Shëndetit Publik si mjekë, ndihmës-mjekë, laborantë, dentistë, farmacistë, gjinekologë e farmacistë, duke lënë qendrat e banimit në fshatra pa punonjës shëndetësie. Profesionin e tyre e kryejnë veterinerët e mbetur ende nëpër fshatra, të cilët kryejnë vizita mjekësore, japin rekomandime mjekësore, bëjnë injeksione e lëshojnë receta ilaçesh! 
    Në 800 fshatra, veterinerët shërbejnë si mjekë, farmacistë, infermierë e mami
    Çfarë po ndodh? Veterinerët në 800 fshatra shërbejnë si “mjekë”edhe për njerëzit, vazhdojnë e bëjnë vizita dhe japin ilaçe duke u paguar privatisht prej banorëve që “i zë halli” me shëndetin! Nuk është fjala këtu, për cilësinë e vizitave, apo për nevojën e këtyre recetave, por për një problem tjetër, që krijohet për banorët në zonat fshatare. Ata, pasi marrin recetën e mjekut që i ka vizituar, udhëtojnë disa kilometra rrugë në këmbë apo me makina, drejt qendrave të qyteteve, për të marrë ilaçet. Dhe, veç lekët e ilaçeve, pacienti duhet të shpenzojë edhe për udhëtimin, pasi i duhet të bëjë disa km rruga nga fshati në qytet dhe anasjelltas. “Më kushton më shumë bileta e rrugës se lekët për ilaçet”,-u shpreh dje, një pacient nga një fshat i komunës së Macukullit, teksa po merrte ilaçet e tij në një nga farmacitë e qytetit të Burrelit. Pse ndodh kjo? Sepse në mbi 70% të qendrave të komunave, nuk ka farmaci. Edhe në ato fshatra apo komuna që këto farmaci ekzistojnë, rolin e farmacistëve e luajnë veterinerët, të cilët lëvizin me ilaçe në çantat që mbajnë edhe ilaçet e kafshëve! Kjo ndodh sepse farmacistët nga që përtojnë por dhe ndoshta nuk duan të shpenzojnë lartë e poshtë lekë për rrugë, porositin veterinerin e komunës që kur të marrë ilaçet e tij për kafshët, të marrë edhe ndonjë ilaç për njerëzit! Pasi dihet se farmacitë e fshatit furnizohen në qytet. Dhe sa herë që veterineri i komunës shkon në qytet për të bërë furnizimin e tij me medikamentet e nevojshme për kafshët, merr dhe porosinë e farmacistit për të marrë dhe ilaçet e njerëzve! Por ndodh dhe e kundërta, në ato raste kur farmacisti zbret në qytet për të bërë ndonjë furnizim, merr dhe porosinë e veterinerit, për të marrë medikamente për kafshët! Ekziston dhe një urdhër i lëshuar nga Ministria e shëndetësisë, se farmacitë duhet të kenë aktivitet në qytet e në fshat, madje sipas një vendimi qeverie, ka dhe një ”hartë” shpërndarje për të gjitha zonat e vendit, por që nuk është zbatuar ndonjëherë, nga asnjë qeveri. Qeveria aktuale dhe Ministria e Shëndetësisë duhet ta lexojnë mirë dhe me kujdes këtë vendim, dhe padyshim që duhet të marrë masa të menjëhershme, që ndoshta jo në çdo fshat, por detyrimisht, në çdo qendër komune duhet të hapet dhe të funksionojë një farmaci për njerëzit, padyshim duke e licencuar atë. E të mos vazhdohet më me lodhjen dhe cfilitjen e njerëzve të sëmurë, që vizitën t’a bëjnë në fshat dhe ilaçet t’i marrim në qytet. Janë shumë pak persona që kanë marrë licencën për hapjen e farmacive na fshat, ndërkohë që farmacitë në qytet janë shtuar si dyqanet dhe furrat e bukës, ndërkohë që drejt të cilave (farmacive në qytet) udhëtojnë me dhjetëra njerëz në ditë, për të marrë ilaçet e tyre përkundrejt lëshimit të recetës së mjekut.
    Ferit SHQEFNI 

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 14.01.2016
    Sigal