Leskaj: Krijohen hapësira për abuzime. Ministria: Nuk bie ndesh me Kushtetutën
Teksa qeveria pretendon se çdo fëmijë që lind merr shpërblim 400 USD, ”harron” të thotë se ka edhe një “dhuratë” të dytë që shkon deri në 6 mijë USD borxhe.
Projektligji që kalon të Agjencia e Trajtimit të Kredive kompetencën për miratimin e garancive shtetërore, por veçanërisht, e drejta që i jep vetes Qeveria për të marrë borxh të jashtëm pa votim paraprak në Kuvend, ka shkaktuar reagime të forta të Opozitës.
Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, deputetët e djathtë kanë ngritur pikëpyetje mbi këtë kompetencë që merr përsipër Ministria e Financave, në një kohë që rezerva të forta kanë shprehur edhe sa i përket kalimit te Agjencia e Trajtimit të Kredive të kompetencës për miratimin e garancive shtetërore.Ndërkohë që Zëvendësministrja e Financave tha se nuk bëhet fjalë për anashkalim të Kuvendit, sepse borxhi i jashtëm parashikohet në ligjin e buxhetit të shtetit bashkë me Eurobondin, dhe se Qeveria thjesht kërkon fleksibilitet në zgjedhjen e momentit për të gjetur në treg interesa më të ulëta. Një prej pikave më të debatuara të draftit të Ministrisë së Financave është roli i ri që do të marrë Agjencia e Trajtimit të Kredive në dhënien e garancive shtetërore veçanërisht ndaj kompanive private.
Plani
Qeveria do të marrë një borxh të ri vitin e ardhshëm i cili arrin në afro 4 miliardë euro. Në dokumentin e publikuar nga Ministria e Financave, mbi planin e huamarrjes për vitin 2023, theksohet se përgjatë këtij viti pritet të sigurohet financimin në tregun e brendshëm përmes emetimit të instrumenteve si bono thesari 3 deri në 12 mujore dhe obligacione 2 deri në 15 vjeçare. Sipas dokumentit, totali i emetimeve në tregun e brendshëm pritet të jetë rreth 380.5 mld lekë apo 3.3 miliardë euro gjatë vitit 2023. Instrumenti me emetime më të shpeshta dhe me shumë më të lartë pritet të jetë bono e thesarit 12-mujore. Ndërkohë që në tregun e jashtëm parashikohet emetimi i një eurobondi të ri me vlerë 500 milionë euro, duke e çuar shumën totale të huamarrjës në afro 4 miliardë euro.
Duke nisur nga viti 2023, risi përbën fakti se përmes një agjencie të jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të mundësojë pajisjen e titujve të emetuar me kodin ISIN të njohur ndërkombëtarisht.Ky hap pritet të lehtësojë tregtimin e titujve. Sipas Buxhetit 2023, deficiti buxhetor përllogaritet në rreth 55.5 mld lekë, në konsolidim nga viti 2022 kur përllogaritej në 83.9 mld lekë, kryesisht si rezultat i rritjes së të ardhurave. Huamarrja e brendshme pritet të financojë rreth 45% të deficitit.Ndërkohë lidhur me borxhin ekzistues që maturohet në vitin 2023 Financat nënvizojnë se gjatë vitit 2023, pritet të maturohen në total rreth 339 mld lekë, prej të cilave 235 mld lekë bono thesari dhe 104 mld lekë obligacione.






















