Suplementi Pena Shqiptare/ Pëllumb Kulla: Më kuptove siç duhet, o drita e syve të mi?!

Një çift të porsamartuarish e gëzuan muajin e mjaltit si jo më mirë. Megjithëse dhëndri ishte avull i vërtetë në zjarrin e dashurisë dhe e desh çmëndurisht nusen e tij, mezi po priste të mblidhej edhe njëherë me shokët e vjetër, nëpër ata lokalet ku ishin zhgërryer një jetë të tërë.Vendosi të hidhej dhe njëherë andej dhe i tha së shoqes:  “Shpirte, unë po dal pak e do të vonohem nja tri-katër orë!” “Ku do të më shkosh, o drita e syve të mi?” e pyeti ajo. “Po hidhem një herë andej nga ajo birraria që na ka rritur, o pikë e mjaltit! Më ka marrë malli të rrëkëllej një shishe birrë.“ “Ti dashke një shishe birrë, o yll i bukur i mëngjesit?!” e pyeti e shoqja që në ato çaste rrezatonte veç dashuri. Ajo shkoi në frigorifer dhe nxorri që andej njëzet lloje të ndryshme birrash, nga më të mirat e botës. ”Cilën nga këto ke qejf ta pish, zemër?” Djali u zu ngushtë dhe e vetmja gjë që i erdhi në mend si arsye e fortë për të dalë nga shtëpia, tha se ai e pinte birrën në gota që ishin të avulluara nga akulli. Se ashtu i shërbenin në atë birrarinë, ku vente ai me shokë.

I shtrenjti djalë nuk e pat mbaruar fjalën kur ajo tërhoqi nga pjesa e poshtme e frigos një enë plastike që i përvëloi duart nga ngrica. Ena ishte plot me gota të ciknosura prej akullit.

Sigal

“Merre vetë një gotë, o vdeksha unë për ty!”,- i tha ajo duke e përqafuar me sy të perënduar nga dashuria për të shoqin. I zënë ngushtë, bashkëshorti i saj i përmendi se atje, tek lokali i tyre, shërbenin ca meze që të lëpije gishtrinjtë edhe dy ditë më pas… “Por, ama, kursesi s’do jenë më të mira se këto që kam përgatitur unë!” Dhe nusja e re nxorri nga furra pesë tava të ndryshme me biftekë, me krahë zogjsh, zemra të skuqura, që përhapnin aroma të tilla sa mund të ngrinin të vdekurit e të boshatisnin varret.  “Si të duken këto, o Zoti im fuqiplotë?”- pyeti me krenari nusja.“Të mira, të mira janë, o ëngjëllushja ime e shumëpritur,”- i tha ai me një nervozizëm të fshehur me zor. “Por e di ti, aty, me shokët, ka një farë lezeti, se dëgjon fjalë pa kandar. Fjalë të pista janë, por seç i japin mjedisit një bukuri, që të gëzon veshët dhe syrin. E do të kthehem shpejt, më beso, o drita e dritave të kësaj bote!” Zonjëza e re nuk e la të shoqin edhe pa atë kënaqësi: “Dashke fjalë të pista?! T’i them unë ato, o zemër: hape atë mut shishe aty dhe zbraze në atë shpellën tënde të ndyrë! E mos na bëj vërr-vërr-vërr, se na çave trapin, dëgjon? Ule sqepin mbi ato meze që të kam katranosur unë dhe mos guxo të dredhësh bythën, se je i martuar tani. Aha! Do ta shohësh atë halè birrari, kur të shohësh atë të sat’ ëme! Më kuptove siç duhet, o drita e syve të mi?!”