Suplementi Pena Shqiptare/ Konstandin Dhamo: Rrugicat e Tiranes

742
Ende ka në Tiranë rrugica të ngushta me kalldrëm dhe shtëpi të ulëta anëve, të cilat çdokush i ndërtoi sipas trilleve të veta arkitekturore.Muret rrethues prej qerpiçi të oborreve janë të lyer me gëlqere lëbyrëse dhe, përsipër i mbrojnë nga rrebeshet e shirave tjegullat me myshk dhe me një bimësi të përhirtë si e shkretëtirave, ku çukit ndonjë gjel pendëkuq si prush i dafurruar…Nëpër telat e dendur elektrikë,të nderur shtyllë më shtyllë përgjatë rrugicave zbardhin ende aty – këtu si re të mbetura balonat e ngecura të kalamajve dhe, qëndrojnë edhe dallëndyshet e hareshme, për të cilat, krahasimi me notat muzikore mbi pentagram, është aq i gjetur dhe ngazëllues sa, kot të përpiqesh të gjesh një tjetër…Po çatitë ? Të purpurta dhe të pjerrëta, me tjegullat që valëzojnë e valëzojnë, aq sa po ta përqendrosh shikimin, marramendesh, ato humbasin skajeve pas degëve të shtrira të pemëve, duke të nxitur plot fantazi të përfytyrosh poshtë tyre vatrat familjare, dhe odat gjithë lajle e lule të nënave të reja, me gjinj të gufuar nga qumështi… Pastaj çezmat në oborr që rrjedhin pa pushim dhe çelin në ajër ylbere, fiqtë e lashtë më tutje, që i çukit bengu i pakapshëm dhe i artë si prej dielli dhe hurmat që mbeten deri në dhjetor majë drurëve të zhveshur dhe të nxirë, dhe duken në sfondin e gushëpëllumbtë të qiellit si një konstelacion që i është afruar tokës! Pastaj lulet e kumbullave dhe të bajameve që hidhen jashtë avllisë si dallgët përtej bregut…Në muzg, silueta e ngrohtë e këryre shtëpive, është thuajse e rrafshtë dhe e qetë; kulmet e çative dhe oxhakët dalin mbi njeri – tjetrin veçse pak metra, aqsa për ta ritmuar vështrimin ku shtrihet. Këto shtëpi, të gjtha pa përjashtim, janë bio, qoftë edhe në kuptimin e parë dhe të mirëfilltë, të kësaj fjale, nëse e dëshironi kështu, ndryshe nga pallatet e stërmëdhenj përballë si të mutanduar më keq se edhe vetë bimët kur zmadhohen frikshëm nga stimulantët helmues kimikë. Edhe folklori liriko – erotik tiranas, mbeti thuajse i paprekur nga kimikatet degjeneruese të antifolklorit, që sajonin instruktorët e komiteteve të Partisë gjatë komunizmit, të cilët, sipas porosive, bejtet e tyre për veprat industriale të pesëvjeçarëve, ia atribuonin krijimtarisë së popullit, për të lënë të kuptohej gjoja entuziazmi i tij i papërmbajtshëm ndaj jetës së lumtur në diktaturë…Dhe ja, një varg autentik dasme, me metaforë të hiperbolizuar 

Ulu mal, të dalë hëna …
Në këto rrugica të ngushta si intimiteti, drita dhe hija, që ndahen prerazi nga njëra – tjetra, janë një dekor alegorik i përhershëm, që zhvendoset pa u kuptuar si akrepi i orës, por nuk prishet dhe të frymëzon amëshim. Nuk mund të agullojë në këto rrugica dhe të mos i gëzohesh ditës së re. Nuk mund të vijë pranvera dhe të mos fërgëllohesh i ndezulluar, nuk mund të rritet një vajzë, që gjer dje quhej e vogël dhe ty, tek shtyn portën e rëndë të oborrit që gërvin dhembshëm, të të mos përsillet në kokë vargu fin:

O, u rrit goca, s’e zë jeleku…
Dhe pastaj, po te porta, apo te një kafene, i përmbytur nga rakia, apo tek të rreh diku gjoksin puhiza, të tjerë vargje, këtë herë më festivë, të shpërthejnë rrjedhshëm:

Se ç’këndonin shtatë bylbyla;
Këndonin dhe bënin verë…

Verë trallisëse dasmash me farfuri këngësh dhe xixëllima vështrimesh, me nuse të yllëta, mbështjellë me fustanin e bardhë, që derdhej si tallaz i shkumëzuar, dasma me orizin kërcëllitës që breshëronte mbi taksi gëzueshëm, dasma me gra mikpritëse, që rreshtoheshin gjer jashtë në rrugicë, të veshura njëlloj dhe që buzëqeshnin ceremonialisht po njëlloj, dasma, që në fund linin zbrazëti dhe shurdhëri të papërballueshme, ah ah, dikush, me siguri ishte vonuar fatalisht n’atë rrugicë, në shprehjen dashurisë …Dhe vinte vjeshta dhe nuk mund të zverdhej, pa hedhur më parë fshehtas te një dritare ca gjethe si letra të vonuara:

Ç’u dëshirova me të pa ty…
Ende ka në Tiranë rrugica të paprekura …

Në perëndim, gurët radhë – radhë të kalldrëmeve përskuqin si rubinët e një shege të hapur nga ekstaza e ëmbëlsisë, pemët bëhen hije dhe zogjtë flenë, pjergullat shermendepërdhredhur si gërshet i rëndë vajze, kthehen në gravura, muret dhe dhomat ngjyrosen lehtas me një rozë sensuale. Në perëndim hapat në rrugicë kumbojnë më thekshëm, portat kërcasin më trishtueshëm, hëna zverdhet si syri – llambë i bufit të hatullave, trëndafilat mavijosen si gjaku i mpiksur, dhe gjembat shpojnë më thershëm edhe kur s’i prek…

Shëëët, në perëndim …
Unë, që e kam kaluar fëmijërinë time në një rrugicë tiranase, humbas herë pas here midis tyre .Vetëm. 
Por, një paraditeje fillimshtatori nisi një shi i beftë si në maj, siç duket , që të ndalesha dhe të shihja që nga streha e një dyqani, një rrugicë të tillë. Ishte shi i domosdoshëm për një vëshgim meditues dhe nostalgjik, madje në një film për këto rrugica, nëse do të xhirohej ndonjë ditë të lume një film për to, kur të mos jetë ende përfundimisht vonë, regjisorit të tij do t’i duhej enkas një shi i tillë regëtitës në ekran, si velaturë, që të jep idenë e të parit me zor dhe sfumimit gjer në zhdukje…Me mua u futën me vrap nën strehën e dyqanit edhe dy mësuese të zhurmshme të një shkolle aty pranë. Ishin veshur në mënyrë ekstravagante, ndoshta ngaqë venin në shkollë ende për punë përgatitore dhe jo për të dhënë mësim përpara nxënësve, por si ishin tashmë ata, kalamajtë e rrugicave ? Harroheshin ende, si ne dikur pas pëllumbave që i ngrinim në qiell dhe shkriheshim gazit, kur ia rrëmbenim njeri – tjetrit? A hipnin edhe ata majë pemëve, a i hanin frutat drejt e nga degët dhe, a i shihnin foletë e lejlekëve, të turtujve dhe të trishtilave fare nga afër? Djersiteshin ata pas topit në fushë, harroheshin pas lojërave dhe, a hynin në klasë, sapo binte zilja?

Jo dhe, jo !
Këto rrugica tashmë janë rrethuar rreptësisht nga pallatet e stërmëdhenj prej hekuri dhe betoni dhe, makinat pa fund turren gjithë histeri, a thua se i ndjek pas një monstër e frikshme jashtëtokësore .E pra binte shi dhe një çast u err aq shumë dhe u duk sikur ra nata para kohe nga një defekt i rëndë astronomik, por qielli sakaq mori dritë sërish dhe, shiu i rrëmbyeshëm gjithë gjëmime dhe bubullima u përndrit si argjend, gjersa rreshti krejt. Ndërkohë u formuan pellgjet e para, përplot pasqyrime të valëzuara si për të na ulur qiellin përtokë.

Ah, këto rrugica si imazhe ëndrre!
Tashmë ju shoh për së largu si nëpërmjet një kaleidoskopi dhe, ju dua siç duhet çdo gjë që pritet të humbasë! Sa më shqetëson e ardhmja pa thellësinë e së shkuarës!
Ka ende rrugica në Tiranë … 
Sigal