Shqipëria, po përjetonë rritjen më të madhe të çmimeve por edhe të borxhit që shteti po merrë në formën e Eurobondit. Nga rritja e çmimeve arka e shtetit vetëm në 3 muaj ka përfituar 245 mln euro. Për të mbuluar shpenzimet e koncesioneve, pagesat e pensioneve por edhe për të larë borxhin me borxh, qeveria merr edhe 250 mln euro të tjera borxh, duke fundosur ekonominë kombëtare
Rritja e çmimeve mbush arkën e buxhetit, 245 milionë euro më shumë në 3 muaj
Qeveria vazhdon të luajë me “Bordin e Transparencës”, duke mbushur arkën plot me manovrat e rritjes së çmimit nën maskimin se bordi po mban nën kontroll abuzimet e grosistëve të mallrave
Në një kohë kur produktet e shportës po rriten në një mënyrë të pakontrolluar qeveria vazhdon të luajë dhe eksperimentojë me “Bordin e Transparencës” që më shumë është një bord që do të ruajë monopolet duke përcaktuar çmimet. Koha tregoi se në vend që t’i shërbente qytetarëve, vendimet që bordi merr një ditë po dhe një ditë jo duke ulur dhe ngritur sipas terezisë është një manovër në favor të shtetit. Të dhënat tregojnë se në vetëm 3 muaj arka është mbushur me 245 mln. euro nga rritja e çmimeve, që rëndojnë xhepat e qytetarëve. Rritja e çmimeve ka ndihmuar arkën e buxhetit, që po mbledh më shumë të ardhura nga tatimi mbi vlerën e shtuar, duke ndikuar në gati gjysmën e rritjes së arkëtimeve në buxhet për tre muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat totale për 3-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 139 miliardë lekë ose 104.4 % të planit të 3-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 30 miliardë lekë, ose 27.4% më shumë. Nga kjo rritje, rreth 13 miliardë lekë, apo gjysma e shtesës erdhi nga TVSH-ja. Edhe zërat e tjerë si akciza, tatim fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale rezultojnë me rritje në tre muajt e parë të vitit. Ministrja e financave Delina Ibrahimaj e vlerëson këtë ecuri si një performancë pozitive të ekonomisë. “Vëmendja dhe angazhimi ynë do të jetë për të ruajtur parametrat fiskalë dhe ecurinë pozitive të të ardhurave”, -shkroi ajo në rrjetet sociale. Sipas njoftimit të tatimeve, të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 123.6 miliardë lekë, 25.5 miliardë ose 26% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 5.3 miliardë ose 4.5% më shumë se plani 3-mujor për vitin 2022. Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë, të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 48.3 miliardë lekë, 10 miliardë lekë ose 26.2% më shumë se 3 mujori 2021, si dhe 181 milionë lekë ose 0.4 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 3 mujorin e vitit 2022.Të ardhurat nga TVSH në import për 3 mujorin rezultojnë 34.1 miliardë lekë, 8.3 miliardë lekë ose 32.2 % më shumë se një vit më parë, si dhe 296 milionë ose 0.9% më shumë se plani për 3 mujorin 2022.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 11.4 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 9.9% më shumë se viti 2021, si dhe 587 milionë lekë ose 4.9% më pak se plani i akcizës për 3 mujorin 2022. Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.1 miliardë lekë, 176.9% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 132.7% kundrejt planit. Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 1.7 miliardë lekë, 221 milionë lekë ose 14.7% më shumë se 3-mujori 2021, si dhe realizim në masën 113% kundrejt planit. Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 3-mujorin 2022 u realizuan në masën 75.3 miliardë lekë, 15.4 miliardë ose 25.9% më shumë se 3-mujori i vitit të kaluar, si dhe 5.1 miliardë lekë, ose 7.3% më shumë se plani i 3-mujorit 2022. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në masën 11.6 miliardë lekë, 5.6 miliardë ose 94.4% më shumë se 3-mujori 2021, si dhe 290 milionë ose 2.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 3-mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 3-mujore 2022 janë 2.8 miliardë lekë, 4.7 miliardë lekë ose 62.5% më pak se 3-mujori 2021, si dhe 959 milionë lekë ose 25.3% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 3-mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 14.3 miliardë lekë 3.7 miliardë lekë, ose 35.1% më shumë se 3 mujori 2021, si dhe 4 miliardë lekë ose 38.6% më shumë se plani i vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 12.1 miliardë lekë, 2.9 milardë lekë ose 30.6% më shumë se-3 mujori 2021, si dhe 2.5 miliardë ose 25.5% më shumë se plani i 3 mujorit 2022.Taksat nacionale, për peridhën 3 mujore 2022 u realizuan në masën 9.3 miliardë lekë, 602 milionë lekë ose 6.9% më shumë se 3-mujori 2021, si dhe 923 milionë lekë ose 9% më pak se plani i përcaktuar për 3-mujorin 2022.Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 27.9 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 10.6% më shumë se 3-mujori 2021, si dhe realizim 99.7% të planit për 3-mujorin 2022.
Ulen shpenzimet, buxheti rezulton me suficit
Sipas njoftimit të tatimeve, shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2022, arritën në rreth 117.1 miliard lek. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 3-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 18.4 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 18.1 për qind të planit vjetor sipas Aktik Normativ nr.3, datë 12.03.2022 (AN nr.3).Shpenzimet korente për periudhën 3-mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 104.2 miliard lek, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.5 për qind më i lartë ose rreth 2.52 miliard lek më shumë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 8.8 miliard lek, për periudhën 3-mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

Gati Eurobondi 250 milionë Euro me 5.85%; do të paguhen pensionet dhe interesat e borxheve në proces
Kryeministri e ka lejuar vetë, mashtrimin e bizneseve të mëdha e të mesme me sigurimet shoqërore/ Eurobondin e parë, qeveria ka blerë me 12 nëntor 2015 me vlerë 450 milionë Euro e interes 5.875%, ndërsa në vitet 2018, 2020 e 2021 ka marrë 3 Eurobonde të tjerë me vlerë totale 1.8 miliardë Euro e interes total 10.5%, por shenjat tregojnë se nuk do ndalet me kaq.
Falimenti i sektorëve social, ka detyruar qeverinë të gjejë shpëtim vetëm te marrja e borxheve të reja, duke i hequr maskën mashtrimit të Edi Ramës, se Shqipëria në 2 vitet e fundit ka rritje dhe stabilitet ekonomik-financiar rekord në rajon. Burime nga Ministria e Financave, kanë bërë me dije se para 1 jave, me urdhër të kryeministrit Rama, ka nisur operacioni për të dalë në tregun e huaj, me kërkesën emergjente për blerje Eurobondi në vlerë 250 milionë Euro.
Ky borxh, do përdoret për të përballur skemën e pagesës së pensioneve, për shkak se Instituti i Sigurimeve, me kapacitetet aktuale mund të përballojë vetëm 45% të numrit të pensioneve.
Për 2 muajt në vijim, diferencën 55% të vlerës do ta rimbursojë shteti, ndërsa më pas duhet operuar me borxh nga vetë qeveria, mbasi Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nuk përfillet si ent hua-marrës as në tregun e bonove brenda Shqipërisë, sepse është agjenci e falimentuar.
Nga ky Eurbond, 50 milionë Euro do përdoren për të shlyer interesat mujore nga 3.5%, të dy Eurobondeve me vlerë 650 milionë Euro secili, që qeveria shqiptare ka marrë më 16 qershor 2020 më afat 7 vite e më 23 nëntor 2021 me afat 10 vite.
Së pari, sigurimi i kësaj huaje është emergjencë brenda muajit qershor 2022, mbasi buxheti është në pamundësi të afërt, për të mos i paguar dot pensionet e afro 380 mijë të moshuarve; së dyti, janë presionet që qeverisë po i bëjnë huadhënësit e huaj, me penalitete për rritje 10% të interesit çdo muaj, nëse nuk zbaton kalendarin e pagesës së Eurobondeve në proces.
Sipas informacionit, qeveria është në hall aq të madh financiar me buxhetin, sa do pranojë që Eurobondin 250 milionë Euro ta blejë me 5.85% interes, nga 3.5% që ka marrë 3 të mëparshmit në vlerë totale 1.8 miliardë Euro.
Deri më 31 dhjetor 2021 borxhi i sigurimeve shoqërore ishte 144 milionë Euro, ose mbi 4% më tepër se gjatë vitit 2021, për shkak se tatimet kanë lejuar informalitetin, por dhe për shkak të korrupsionit me pagesa pensionesh fiktive afro 10 milionë Euro në vit.
Kryeministri që e ka lejuar vetë këtë skemë mashtrimi me sigurimet, u betua se listë-pagesat e vitit 2022 do fillonin me pagat reale e numrin faktik të punonjësve, por 80% e bizneseve të mëdha, vazhdojnë të deklarojnë paga nën minimalen e punonjësve sa bizneset e vogla e të mesme.
Një fakt/ Në Vlorë, Durrës, Fier e Shkodër, rezultojnë pallate, kulla e resorte të ndërtuara me 5-6 punonjës, ndërkohë që ka fabrika prodhimi e njësi shërbimesh në terren me 10-15 punonjës të siguruar nga 20-30 mijë lekë pagë në muaj.
Kujtojmë, se Eurobondin e parë, qeveria shqiptare e ka blerë më 28 tetor 2010 me vlerë 300 milionë Euro e interes 7.5%. Të dytin e ka blerë me 12 nëntor 2015 me vlerë 450 milionë Euro e interes 5.875%, ndërsa në vitet 2018, 2020 e 2021 ka marrë 3 Eurobonde të tjerë me vlerë totale 1.8 miliardë Euro e interes total 10.5%. Qoftë me kaq.






















