Një 55-vjeçar u plagos pasditen e sotme në një aksident në Tiranë.
Fillimisht, policia ka thënë se “në rrugën ‘Myslym Keta’ mjeti me drejtues shtetasin P. N. (punonjës policie) pjesë e grupit të kontrollit të territorit, është përplasur me një biçiklist me iniciale A. G., rreth 55 vjeç”.
Mirëpo, nga policia më tej kanë thënë se në orët në vijim u sqarua se nga hetimet paraprake dhe kqyrja e pamjeve filmike rezulton se mjeti i ndaluar me drejtues Xh. K., 36 vjeç, duke hapur derën e mjetit të tij ka goditur me derë biçiklistin.
Shtetasi A. G., është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjithmonë sipas uniformave blu, makina e policisë nuk ka pasur kontakt me të aksidentuarin.
Drejtuesi i mjetit shtetasi Xh. K., është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pamjet filmike që tregojnë dinamikën e ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të aksidentit.