E dhimbshme në palcë, e përkushtuar në themel
Fadile Laçej një ndër drejtueset e para të “Shtëpisë së Fëmijës”
Sot në këto sfida të vështira pandemie që po kalon globi, nënat janë të parat ato që kalojnë çdo vështirësi e sakrificë, që harrojnë veten e tyre për t’u dhënë dashuri e ndihmë fëmijëve e të afërmve të tyre, për t’i dhënë dashuri nga shpirti i tyre e, duke shkrirë gjithçka me dashurinë e tyre pa kufi. Le të fryjnë erërat e forta, dhjetra sfida; le të vërshojnë me qindra lot shiu nga sytë e tyre, dashuritë nuk lëvizin, janë të freskëta e të pastra si qielli, sepse dashuritë e nënave, janë dashuri më të mëdha në botë, janë dashuritë e emocioneve plot ngjyra e këngë zogjsh, si pranvera që po vjen. Ndaj nënat i kujtojmë në çdo rast, çdo përvjetor e çdo ditëlindje.
E sot, ti ke përvjetorin tënd mama Fadile. Si sot 90 – vjet më parë linde si engjëll i vogël, për t’i bërë ballë jetës. Nuk dije çfarë ishte jeta! Erdhe në jetë për të jetuar, pa ditur si do të priste. Nuk dije çfarë ishte jeta. E çfarë do të ofronte. Shtegtuan vite me rradhë. Dallgët e jetës të përplasën pa mëshirë e duke shkaktuar vorbull ngjarjesh, që i mbijetuan kohës. Ngele e vetme, fëmijë me katër vëllezër të vegjël, pa nënë. Dallga tjetër të përplasi pa mëshirë përsëri, babain t’a masakruan okupatorët gjermanë. E t‘i përsëri e vetme me katër vëllezër të mitur, duhej të ecje e përballoje jetën. Të afërm ju rritën, apo ju u rritët vetë si të mitur apo me ndihmën e të tjerëve? Jetimi ka dashurinë, ndjeshmërinë në thelb, ndaj dhe dhimbjen e ka deri në palcë e përkushtimin në jetë në themel.
Vitet vazhdojnë rrugën e tyre si një trajektore herë – herë të pasigurtë. Filloi Lufta e Dytë Botërore e mama Fadilja dhe vellezërit e saj të vegjël futeshin në shpella, për t’u mbrojtur nga bombardimet e të papriturat e luftës, që shfaroste jetë njerëzish e frikësonte shpirtin njerëzor. Ekzistenca e jetës në vazhdimësinë e saj ishte në dilemë. Diçka po lëvizte e shpërndante një mjergull.
E mama Fadile, u rrit si jetime tek të afërmit e saj: familja Kastrati në Shkodër, ku Hajrulla Kastrati (Mësues i Popullit dhe Hero i Luftës Nacionalçlirimtare), jepte mësimin e gjuhës shqipe në Shkodër, MbiShkodër e në zonat e thella të malësisë. Ato e edukuan me frymën e lartë patriotike duke i dhënë shpirtin e zjarrtë, për liri duke i dhënë frymën antifashiste. (ndaj dhe sot, ajo mban titullin e nderuar të veteranit të luftës Nacionalçlirimtare.)
Vitet vazhdojnë rrjedhën…
Jeta të jep shuplaka, dhe forcë, por dhe dashuri, dhëmshuri dhe përkushtim. Mbas shkollimit dhe krijimit të një familje të shëndoshë, nënë Fadiles iu caktua detyra për drejtimin me shoqe në rritjen e fëmijëve jetimë të shtëpisë së fëmijëve. E kur e ke kaluar këtë dallgë të furishme në jetë, kush më mirë do të dinte të drejtonte, ndihmonte e përballonte këtë sfidë të jetës?… Jetimë që duhej të rriteshin, edukoheshin e shkolloheshin për t’ju përshtatur jetës që i priste plot sfida.
Je në kujtimet tona Nëna Fadile!
…Sa shumë i deshe ata fëmijë jetimë! I merrje me vete në shtëpinë tënde që të ndaje bukën bashkë me fëmijët tuaj. E kur ndonjë prind i interesuar për të parë jetimin e saj, si: nënë Vitorja kërkonte Altinin, ose Enrietën, ato ishin bashkë, duke u argëtuar e ndarë bukën me fëmijët e Fadiles në shtëpinë e saj. Vitet e vështira, por plot dashuri, kujtime, që të bien ndër mend sapo shkruan këto rrjeshta.
Ishte ditë e veçantë dhe Fredi do të shkonte të takonte për herë të parë nënën. Ishte bebe kur e kishin sjellë nga Berati në shtëpinë e fëmijës. Ishte ndarë nga nëna për rrethanat e vështira të jetës. E tani, shkon si një djalosh i ri, me dhuratën e veçantë: me lule në duar që i dridheshin pa ia dhënë ende nënës.
U rrit Fredi. Vitet iknin…E mama Fadile, si nënë e vërtetë, do organizonte me shoqet e saj të punës Luizën, Nazmijen, Afërditën,Thëllënzën etj, dasmën modeste në një shtëpi të sapo dhuruar nga shteti. Fredi dhëndërr, i ri, i përgatitur për jetë e punë. E të gjithë sëbashku festonin këtë ditë të veçantë të jetës së tij me këngë, lule e vello të nuses së bukur, duke lënë tej krahëve në pamundësi, mungesën e madhe të dashurisë prindërore, por ai kishte një dashuri të madhe të një familje të madhe që ishin rritur bashkë…
Troket zilja e shtëpisë në rrugën “ Artan Lenja”. Është Fredi me shokë që po sjellin lulet në shtëpinë e mama Fadiles. Është 7 Marsi. Kalon muaji dhe përsëri tek dera pret tufa me lulezambakë për ditëlindjen e mama Fadiles. Ishin fëmijët, që mama Fadile kishte rritur e edukuar, ajo ishte nënë e të gjithëve, ishte nënë e një familje të madhe.
…Troket zilja e shtëpisë në rrugën “Artan Lenja”. Është Fredi, që po sillte postën në shtëpinë e mama Fadiles. Kënaqësi më të madhe nuk kish. Kur mamaja hap derën shikon postier Fredin: tashmë i rritur që po kryente punën e tij plot përkushtim.
…E fëmija tashmë e rritur Enrjeta Zhilla, e rritur në shtëpinë e fëmijës, po shfaqte talentin e saj në pikturë. Vazhdoi shkollën dhe sot piktore e diplomuar në Akademinë e Arteve. Ishte mama Fadile që i kish ofruar një familje shkodrane për të kaluar pushimet.(mikëpritje e kahershme i familjeve fisnike shkodrane). Sot ajo ka krijuar familjen e saj në Itali.
Kujtime, emocione, shpirt fisnik i mama Fadiles me shoqe, që dha gjithçka nga zemra e tyre për të rritur fëmijë, të cilëve u mungonte dashuria prindërore, por që iu dha me pashë e pa kufi nga nënat, që i rritën e i edukuan këta fëmijë, i shkolluan nën drejtimin e profesor Kasemit, me një modesti të admirueshme, dhe me mësueset: Lejla, Afërdita, Refikaja etj. Ata dolën në jetë duke pasur përkrahje dhe mbështetjen e familjes së madhe ku u rritën. Dhe sot, ata kanë komunikim të vazhdueshëm me njeri –tjetrin, në familjen e tyre të madhe.
Sot, ty mama Fadile, të kujton familja, të gjithë ata që të kanë njohur, si dhe fëmijët e familjes së madhe. Respekt në përvjetorin e ditëlindjes tënde! Një jetë e tërë e gjatë e plot dashuri, një jetë e gjatë plot përkushtim. Ishte e dhimbshme deri në palcë, e përkushtuar deri në themel për familjen tënde dhe për të gjithë fëmijët e familjes së madhe, që ti i deshe aq shumë.
Ulliri që ti mbolle në 80- vjetorin e ditëlindjes tënde, si një shenjë e miqësie, është rritur e gjithmonë na kujton fisnikërinë e dashurinë që u le fëmijëve të t’u që i rrite me aq dashuri e të sa e sa fëmijëve që i rrite si një familje e madhe, shumë e madhe. Paç gjithmonë ditëlindje!
Le të jenë këto rrjeshta një homazh për përvjetorin e lindjes tënde, një tufë trandafilash të bardhë në shtëpinë tënde të përjetshme dhe në stolin ku ti qëndroje, në parkun e madh të kryeqytetit. Këto janë fjalë bije, prej shpirti dhe zemre./ Arminda Laçej