Inxh. Zef Toska/ Objeksione mbi “projektet e mëdha në fushën e gjeologjisë shqiptare”

694
Sigal

“Sa më shumë privatizime,  sa më shumë konkurrencë, sa me pak shtet, aq më tepër fitim!

 (Intervista  e gjeologut të nderuar, Prof. Dr. Irakli Premti, publikuar nga gazetari Albert Zholi me 26 dhjetor 2014 te gazeta Dielli – New York dhe datë 24 dhjetor te gazeta Telegraf (Tuneli i Orikumit duhet ndërtuar…)

 E lexova me kënaqësi dhe vëmendje intevistën e mësipërme dhe se si më rilindi shpresa që  mendimet e  pasqyruara nga  Prof. Dr. Premti dhe të vazhduara në këtë shkrim, ndoshta mund  të bëhen shkak për një nismë  të re në zhvillimet e gjeologjisë shqiptare në përputhje me ato përmasa  qe siguron nëntoka jonë, e pasur me rezerva të mëdha industriale të mineraleve të dobishme:

  1. metalifere: bakrit, kromit, hekurit, polimetaleve, boksiteve, argjilave boksite e refraktare…etj.
  2. .jometalore: mermerëve të larmishëm, silicorëve për metalurgji, gurëve gjysmë të çmueshëm (kuarciteve radialorezore me zbukurime fantastike shumëngjyrëshe etj).
  3.  rezervat e naftës dhe gazit; me mundësi reale perspektivë projektuese dhe realizuese drejtë ndërhyrjeve të reja në fushën e kërkimit dhe të zbulimit si në tokë ashtu edhe në det.

Duhet pranuar pa mëdyshje se historia e suksesshme e zhvillimeve, të bazuara në kriteret shkencore të gjeologjisë shqiptare, pati qenë realizuar me vuajtje e sakrifica, djersën dhe e gjakun e punëtorëve e  specialistëve gjate 40 viteve të  periudhës së egër diktatoriale komuniste, duke pasur mbështetjen dhe ndihmën e  Bashkimit Sovjetik dhe më vonë të Kinës.

Fillimisht punimet në stil të gjerë qenë mbështetur në studimet më të vjetra, të kryera kryesisht nga austro-hungarezët në zë; Nopça, Nowak, Zuber etj. Realizohej kështu parimi leninist i zhvillimit të ekonomisë, që përcaktonte si prioritet ndërtimin e industrisë së rëndë, e cila do ti paraprinte të gjitha veprimtarive të tjera të  ekonomisë duke u bazuar në Sektorin e Gjeologjisë dhe Minierave.

Metodat e zgjedhura për të realizuar këtë zhvillim qenë me të vërtetë të ashpra, por në të njëjtën kohë heroike, për ata që i zbatuan. Punëtorët e gjeologjisë dhe të minierave;  minatorët, sondistët  e të tjerët, u paguan sa për një copë bukë dhe patën një trajtim mizerabël gjatë realizimit të punimeve. Nuk dëshiroj që të zgjatem në këtë pikë, sepse brezat e rinj e kanë të vështirë që të kuptojnë, kurse të vjetrit mund të ndihen edhe të lodhur duke i përsëritur dhe tashmë heshtin në pleqërinë e tyre….Unë që po shkruaj këto rreshta, jam dëshmitar i gjallë për sa më sipër, pasi jetova dhe punova me pasion për 30 vite në ekspeditat e rilevim kërkim – zbulimit në zonat gjeotektonike të Alpeve, Cukalit, Mirditës, dhe Krujës (Budva). Por në të njëjtën kohë, dëshiroj të theksoj se askush, sado i ndjekur politikisht  apo disident i regjimit komunist që të jetë, nuk mund të  mohojë realizimet dhe sukseset e mëdha të gjeologjisë të asaj  periudhe diktatoriale, qe populli e  përmbysi në mënyrë unanime në vitin 1991. Në “Arshivën Qendrore të Gjeologjisë Tiranë”, ruhen vepra (Raportet Gjeologjike) të gjeologëve më të aftë. Ato vepra, para depozitimit të tyre në arshivë, janë  mbrojtur, shqyrtuar dhe aprovuar nga Këshilli i Lartë Shkencori Ministrisë së asaj kohe. Nga shumë e shumë vepra shkencore me vlerë mund të seleksionohen e të grupohen, si të radhës së parë, për t’ia prezantuar shoqërive të huaja të interesuara për të investuar në shfrytëzimin e mineraleve (të  mirënjohur në hollësi në sasi dhe cilësi) dhe që “flejnë” në qetësi. Ato rezerva te kalkuluara shkencërisht, mund ti ofrohen e ti prezantohen enteve të njohura financiare për të siguruar mbështetje financiare për të kryer zbulimet  në vendburimet ekzistuese, si dhe nxjerrjen e mineralit përkatës (bakër, krom, hekur etj). Për kujtesë, në Arshivë ndodhen edhe raportet e mia të punimeve të kërkim-rilevimeve gjeologjike në shkallën 1:10.000, për gjetjen e bakrit dhe të mineraleve të tjerë shoqërues, të realizuara gjate viteve 1963-1967, ku  jepen rekomandimet si dhe punimet paraprake të kërkimit në tërësinë e ‘Zonës Mirdita’, për zbulimin dhe përgjithësimin e ligjësisë së  përhapjes së bakrit në strukturën e vullkanogjenëve të zonës ku qenë konkretizuar vendburimet e njohura te ‘Tuçi verior’, Palaj-Karmë, Fushë Bardhë-Palucë, Qafa e Malit etj. Po kështu ndodhen në Arshivë edhe  rezultatet e punimeve shumë vjeçare ne zonat e Alpeve, Cukalit, Krujës që i përkasin  viteve 1968-1991. Në Raportet voluminoze dhe hartat e shumta në shkallën 1:50.000, 1:25.000, 1:10.000 dhe anekset e tjerë ilustrues, ku pasqyrohen plotësisht rezultatet e arritura të gjetjes për të parën herë në Alpet shqiptare të boksiteve, argjilave fraktare (të përdorura me sukses në prodhimet e porcelanit në fabrikën e Tiranës), polimetaleve, mermerëve etj. Më pas, (në vitet 1977-80;  81-85)  i komanduar pranë Institutit të Kërkimeve e Projektimeve të Gjeologjisë dhe në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, dorëzova edhe dy vepra shkencore në Arshivë me tituj;  “Mbi kërkimet e boksiteve e mineraleve të tjerë në zonën e Alpeve  Shqiptare’ dhe “Boksitet e Shqipërisë”; me autorS. Guranjaku, Z. Toska.Mendoj modestisht se raportet më sipër  përmendur,  mund të vlejnë që të shfrytëzohen për trajtimin e disa minerale në të ardhmen. Që nga viti 1991 e sot, jetoj jashtë atdheut dhe nuk njihem aspak me gjendjen e sotme të sektorit të gjeologjisë. Në qëndrime disa ditore në Tirane dhe Shkodër, në biseda me pak miq gjeologë të moshës time, pata kuptuar se sektori i gjeologjisë nuk kishte bërë asnjë progres, përkundrazi, me keqardhje hetova se gjeologjia e mirëfilltë, me të cilën kishim punuar dikur, në  këto 20 vite demokracie ishte reduktuar krejtësisht. Dy tre gjeologë-zyrtar shërbenin në çdo Qark të Shqipërisë duke ndihmuar të interesuarit me ndonjë copë harte për territoret mbi të cilët ndërtohej! Nga ky degradim total i mungesës së  financimeve, si  nga shteti ashtu edhe nga privatët, as që mund të mendohej për ndonjë projekt kërkimi, zbulimi apo shfrytëzimi te mineraleve apo të sektorëve të tjerë “naftë-gaz” si dhe ujërave të pijshëm të cilët natyrisht kërkojnë investime kolosale.

1-Duke ju referuar materialit të Prof. Dr. I. Premti, pyetjes “në strukturën organizative, çfarë i sugjeroni Qeverisë, aprovoi mendimin që për organizimin të marrim shembullin e vendeve të tjera të KSH-së, në formën e “Shoqatës”, por kjo në vendin tonë mbetet në kuadrin e ‘Gjeoalba’ duke qenë organ shtetëror në një kohë që çdo shoqatë në vendet europiane lind nga një organizim privat. Kjo kontradiktë tepër e rëndësishme qëndron në faktin që ‘Gjeoalbës’ i ndërrojmë formalisht veç emrin dhe jo përmbajtjen, që të quhet ‘Shoqatë’.

2-Po kështu, edhe për shoqatën e fizikanëve dhe të gjeofizikanëve të cilët nuk janë specialistë privatë e të pavarur, por realizojnë vetëm punime sipas një programi shtetëror, pra nuk mund të  grupohen formalisht në një shoqatë.

3-Kur shoqatat nuk veprojnë nën ndikimin e shtetit, por janë vetadministruese, punëtorët dhe specialistët, pa ndikim, zgjedhin “Këshillin Drejtues Shkencor” i cili përcakton e përpunon tematikat shkencore e më pas  rezultatet e arritura i publikon në Buletinin e Shoqatës.

Për sa më sipër, (1,2,3) duhet të arrihet që shoqatat të kenë organizim privat, duke e lënë shtetin që të ndërhyjë vetëm në dhënien e drejtimeve themelore të zhvillimit të ekonomisë. Për këtë, shteti  mund të përfaqësohet me një hallkë madhore, p.sh. me anën e një zv. ministri që mund të  mbulojë të gjithë sektorët që i përkasin fushës ku vepron shoqata. Për mendimin tim, hallkat e tjera burokratike që propozohen në këtë material, krijojnë vetëm pengesa serioze në zhvillimet bashkëkohore të sektorëve të gjeologjisë, dhe hidrokarbureve. Lidhur me organizimin privat të tenderimeve për shoqëritë e huaja e vendore, mendoj që gjithçka do të arrihej nëpërmjet një komunikimi transparent në bazë të një juridiksioni ad hoc, të përpiluar. Ndryshe hallkat e panevojshme shtetërore shndërrohen në elementë korruptivë. Shkurt, jam për një privatizim të thellë të sektorëve, siç i kanë gjithë vendet  e përparuara në botë.

Për komisionet qe propozohen mendoj:

– Fillimisht, Ministria e Drejtësisë duhet të formulojë “legjislacionin” e domosdoshëm që rregullon, kontrollon, siguron dhe miraton marrëveshjet e duhura për të garantuar investimet e shoqërive private. Për më tepër, del e domosdoshme që të krijohet një “situatë” e qarte për palët që kontraktojnë; këto masa serioze, patjetër sigurojnë hyrjen e  investimeve të  huaja në Shqipëri.

-Ministria e Punës duhet të kontraktojë për sigurimin e garantimin e fuqisë punëtore të specializuar, e jo për shoqëritë e huaja dhe vendore.

– Konsideroj urgjente krijimin e një organi qendror për Komisionin e Planifikimit, në të cilin të marrin pjesë specialistet më të shquar e më me përvojë të fushave të gjeologjisë, sizmikës,  mineraleve, naftës, gazit, ujit, të cilët do të angazhohen për funksionimin e kritereve,  për zbatimin e funksionimin e ligjeve minerare e ato gjeologjike, të kërkimeve e zbulimeve gjeologjike etj.

-E gjykoj të drejtë ngritjen e një Instituti të Naftës dhe Gazit në Fier, si një institucion i rëndësishëm dhe i veçantë i ndarë nga sektorët e gjeologjisë dhe minierave.

-Problemi i ujit te pijshëm është më i kapshëm e më i qartë. Ato që parashtrohen në materialin e publikuar i gjej të pranueshme e të mbështetura plotësisht. Edhe për këtë ndërmarrje gjigande të sigurimit të ujit të pijshëm për popullsinë si dhe për eksport, mendoj që zgjidhjet të futen në rrugën e privatizimeve të çdo sektori.

-Interesimi i Shoqërisë Hidrogjeologjike kanadeze-amerikane, Alsca Water (AWW) për marrjen e ujit të pijshëm nëndetar (qe shkon dëm në det) me shtrirje nga Vlora deri në Butrint, kërkon një rindërhyrje për ta bërë realitet atë projekt me shumë fitime për vendin tone. (Nuk e kuptoj tërheqjen e AWW nga interesimi fillestar, përse?)

-Kërkimet e naftës dhe të gazit, në të ardhmen duhen fuqizuar, duke i paraprirë me punime gjeofizike detare, të cilat lidhen me problemet e ‘shelfit’ detar dhe atyre në kontinent. Nuk jam i sigurt në se AGIP-i. ka realizuar ndonjë shpim strukturale ne zonën italoide” në det të hapur, përballë gjirit të Vlorës? Në se po, bëhet urgjente dialogimi për shkëmbimin e të dhënave për t’u njohur me rezultatet. Në të ardhmen, duhet të provokohet zyrtarisht një takim me specialistët e AGIP- it, si dhe me ato greke, për të  shkëmbyer idetë dhe për të propozuar një bashkëpunim me tre palë, me synim aplikimin e një projekti të përbashkët. Për të mirën e vendit tonë dhe të shqiptarëve aq të varfër dhe aq të vuajtur, shpresoj se këto mendime modeste për të ardhmen do të mund të shohin rrugën e realizimit duke ndjekur  një koncept, si të thuash, ‘ revolucionar’: “sa më shumë privatizime,  sa më shumë konkurrencë, sa me pak shtet, aq më tepër fitim!”

Së fundi mendoj, që në perspektivën bashkëkohore, në kuadrin e një krize të thellë ekonomike dhe ekzistenciale, del detyrë që të veprohet me guxim për një organizim te ri të sektorëve, duke gjetur rrugë të reja të cilat do të mundësojnë ndërthurjen e iniciativave pozitive të së kaluarës me eksperiencën e vakët që rezulton në këto 20 vite të gjeologjisë në demokraci, e cila nuk i dha asnjë drejtim cilësor e zhvillim progresiv sektorëve të gjeologjisë.

Bëj thirrje, që në plan të parë të konsiderohet ‘Politika Mjedisore’, çdo projekt i sektorëve të trajtuar më lart të studiohet e të përpilohet duke konsideruar  “barbarizmat”që mund të shkaktojnë punimet në sektorët e naftë-gazit, gjeologji e miniera, vërshimet e ujërave nëntokësorë, të cilat ndotin e helmojnë mjedisin ku jetojnë dhe punojnë forcat njerëzore.

Mos të harrojmë se çdo ide apo projekt, se çdo e mirë materiale e krijuar nga ato, arrihet vetëm nëpërmjet punës, pasionit, optimizmit dhe atdhedashurisë të masës së madhe të njerëzve që dëshirojnë të jetojnë më mirë sot dhe më të sigurt nesër…

Inxh. gjeolog

Modena, Itali 

Datë 06.01.2015