Në traditën muzikore, shumë muzikantë të shquar kanë dhënë kontributin e tyre duke perfomuar me profesionalizëm veprat e autorëve të mëdhenj me famë botërore, në formacione të ndryshme muzikore. Pikërisht kjo përvojë e gjeti dirigjentin Jean-Michel-Ferran të interpretojë (ose performojë) me sukses veprat muzikore në Filarmoninë e Tiranës, ku njëkohësisht vjen edhe si drejtor artistik.
Në këtë koncert të radhës së Filarmonisë së Tiranës, formacioni përbëhej vetëm nga harqet për shkak të përmbajtjes së vetë koncertit, i cili ishte përqendruar në zhanrin e muzikës së dhomës. Formacioni përbëhej nga artistët e rinj të diplomuar në Shqipëri dhe jashtë saj, ku koncert maester i kësaj orkestre ishte violinistja Alba Metaj, e diplomuar në konservatorin prestigjioz Santa Cecilia, Romë-Itali, e cila që nga bashkëpunimi i parë me orkestrën ka dhënë gjithë eksperiencën e fituar të cilën e ka shpalosur më së miri me interpretimet rigoroze të saj në koncertet e zhvilluara me Filarmoninë e Tiranës.
Këta artistë, krahas formimit të tyre, sollën eksperiencat e arritjeve muzikore të vendeve ku kishin studiuar, duke u përkushtuar dhe treguar seriozitetin e duhur për të realizuar koncerte me profesionalizëm të lartë.
Kualiteti interpretativ i orkestrës, formacionit të harqeve erdhi duke u rritur si rezultat i punës së pa lodhur dhe bashkëpunimit me artistë të mëdhenj si brenda Shqipërisë ashtu dhe jashtë saj, gjë që është vënë re koncert pas koncerti duke i ndjekur dhe analizuar me detaje nga ana profesionale të gjitha interpretimet dhe performancat e Filarmonisë gjatë këtij viti. Dirigjenti dhe drejtori artistik francez Jean-Michel-Ferran me vendosmërinë që e karakterizonte në lojën me Orkestrën (formacionin e harqeve) shprehte një harmoni të pastër dhe komunikimi të ngrohtë e me instrumentistët që depërtonte edhe te publiku.
Nga duart e tij ndjeva mirëkuptimin, komunikimin, ngrohtësinë, shkrirja njësh e dirigjentit me instrumentistët duke u bërë një trup i vetëm. Koncerti filloi me Serenatën për harqe të kompozitorit P.I. Cajkovski, është zgjedhur nga dirigjenti Jean-Michel-Ferran për vete tematikën, përmbajtjen, ngjarjet, historikun e kësaj vepre të krijuar në shek. XIX, ku në të ndihet fryma franceze me tema ruse e përshtatur me mjeshtëri nga vetë autori. Kënaqësi e veçantë ishte dhe i ftuari special i mbrëmjes, kitaristi francez me famë dhe karrierë botërore Emmanuel Rossfelder, i cili luajti koncertin për kitarë dhe harqe të kompozitorit M.Giulian. Interpretimi i tij virtuoz, teknika e tij mbresëlënëse si dhe shkathtësia e tij në lojën me instrument bëri që publiku ta duartrokiste gjatë duke e rikthyer përsëri në skenë për të luajtur edhe 2 pjesë të tjera. Me këto duartrokitje te zjarrta te cilat na sollën ngrohtësi në këto ditë të ftohta dimri dhe duke shpresuar në bashkëpunime të tjera për një rritje profesionale akoma më të madhe të formacioneve në vendin tonë, doja ta mbyllja këtë shkrim duke cituar (ose duke thënë): Mirupafshim në koncertin e radhës!
Master në shkencat Muzikore


















