Koço Danaj: Ka ardhur koha për Shqipërinë etnike, natyrale

500
Sigal

Shqiptarët  e Ulqinit, Preshevës, Strugës duhet të rebelohen deri në revolucion

I ndodhur në Lisbonë për arsye pune, publicisti dhe politikani Koço Danaj në një bisedë shpreh qëndrimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni. Sipas tij, kishte kohë që parashikonte se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi po shkelen hapur. Madje, nga dita në ditë këto të drejta të mohuara do të thellohen dhe do të përshkallëzohen në mënyrë të paimagjinueshme, pasi vetë ndërtimi strukturor i këtyre shteteve është i tillë. Kryetari i Listës dhe idesë së Shqipërisë Natyrale, Koço Danaj, është shprehur  se, rebelimi i tyre civil dhe progresist është i drejtë dhe duhet të shndërrohet në Revolucion Demokratik. Kjo nuk është hera e parë që drejtësia e këtij shteti vepron në mënyrë jo parimore ndaj shqiptarëve. Në shumë biseda ai ka theksuar se, “në FYROM, shovinizmi i hapur dhe konstant i Nikolla Gruevskit, mund të ndalet vetëm me Revolucion. Ky shovinizëm, për vite të tëra ka dhunuar liritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Në qoftë se dhunimi i lirisë së individit e çon shtetin në totalitarizëm, dhunimi i lirisë së një populli nga disa shtete njëherësh i çon këto shtete në një totalitarizëm shumë herë më të madh. Këtë po përjetojnë sot shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre nën FYROM”.  Për më tej në faqen e tij të Facebook (Koço Danaj, politikan) ai shprehet se: Shembullin e shqiptarëve në Shqipërinë Lindore, duhet ta ndjekin të gjithë shqiptarët që nga Ulqini deri në Preshevë. Edhe ata çdo ditë po vuajnë në kurrizin e tyre shovinizmin malazez dhe atë serb. Kemi të bëjmë me një “Kordon shovinist” që fillon nga Podgorica, ngjizët në Beograd e Athinë dhe egërsisht shpërthen në Shkup. A nuk është shovinizëm kur shqiptarët nën Mal të Zi, megjithëse janë 6 për qind e popullsisë, nuk kanë asnjë prokuror apo gjyqtar shqiptar? A nuk është shovinizëm, kur shqiptarët në Luginë të Preshevës ju ndalohet të mësojnë me abetare shqiptare, gjuhën shqipe, kur ju kërkohet të zvogëlojnë me 30 për qind Flamurin Kombëtar, kur po ju spastrohet në mënyrë paqësore qyteti shqiptar i Medvegjës? A nuk është shovinizëm kur Nikolla Gruevski zbaton projektin hitlerian me emrin “Shkupi 14”? Kur një puthador shqiptar i tij heq dorë nga gjuha shqipe, gjoja në emër të integrimeve Europiane? Kur disa politikanë gjakprishur, megjithëse e dinë se kombi shqiptar nën FYROM, nuk ka akoma një ligj për të përdorur Flamurin kombëtar, bëjnë “memecin” sepse ashtu i urdhëron Sasho Mihajllkovi? Ka edhe shumë fakte të tjera, por edhe kaq mjaftojnë, për të thënë se, “Kordoni shovinist” që fillon nga Ulqini, vazhdon në Preshevë e në Shkup dhe përfundon në Çamëri, mund dhe duhet të shpërthehet jo vetëm me Rebelim të përditshëm, jo vetëm me mosbindje civile, por deri edhe me Revolucion. I pyetur lidhur me akuzat e disa mediave rajonale e shqiptare mbi ngjyrimet fetare të disa protestave, Danaj e konsideroi këtë një shpifje të gatuar dhe pastaj për t’ja dhënë si “sanduiç” disa mediave. Sipas Danaj, në qoftë se do të flisnim për një çast me gjuhën e këtyre mediave, na duhet t’ju themi se shqiptarët nuk kanë luftuar dhe nuk luftojnë për “Xhihad”, por për “Intifadë”(Revolucion). Në qoftë se shumë prej tyre dolën nga oborri i xhamisë, këtë e bënë se sheshet ua ka zënë shovinizmi maqedonas dhe puthadorët e tij shqiptarë. Në qoftë se disa prej tyre hodhën edhe ndonjë parullë fetare, të gjithë bashkë kishin një parullë të përbashkët: Nuk e pranojmë kurrë shovinizmin e Gruevskit, jemi shqiptarë dhe do të vdesim të tillë. Danaj përfundoi duke thënë, se Revolucioni shqiptar në Shkup, Tetovë e Strugë, sapo ka filluar. Ai do të shtrihet në Ulqin, Tuz, Plavë, Preshevë, Bujanovc etj.. Dhe do të ketë vetëm një përfundim, “vdekjen” e kordonit shovinist serbo-malazezo-maqedono-grek, stabilizimin e rajonit të Ballkanit dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet me emrin europeist e progresist: Shqipëri Natyrale.