Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Hushi: “Udha e Qumështit”

Parathënie

Nga Ymer Nurkja!

Shkrimtari, jo rrallëherë gjendet përpara asaj dilemës krijuese: “Të shkruash, a të mos shkruash?!” Megjithatë, kjo mëdyshje nuk vlen për ata më të talentuarit, për ata që e kanë “hambarin” e përvojës jetësore plot, të cilët krijimtarinë artistike e kanë jo vetëm një ndër dimensionet e personalitetit, por edhe një nga misionet e jetës së tyre. Vullneti qëndron tek ata krijues, të cilët guxojnë të rrëfejnë vizionin e tyre e që besojnë se ka ligje dhe energji të mjaftueshme për tranformimin e shoqërinë, duke perfeksionuar e përmirësuar gjithë sistemin e vlerave humane. Nëse një krijues nuk udhëhiqet nga motive të tilla idealiste, në veprat e tij padyshim që do të ketë “kërcitje” nga lēnda e materies. Për fat të mirë, apo të keq, qëllimi kundrejt pragmatizmit për individin e sotëm është kthyer në një filozofi jetike. Tek kapitali si doktrinë, konvergojnë dhe vërtiten tërë aksiomat dhe idetë, janë orientuar pothuajse tërë sensorët e shoqërisë njerëzore. Teksa lexova me ëndje, vëllimin me prozë të shkurtër, me titullin kozmik “Udha e qumështit”, të poetit Agim Hushi, jo thjesht u mrekullova, por njëkohësisht dhe u freskova në këtë zheg Korriku, u freskova me tematikën e larmishme të përzgjedhjes për t’ia sjellë përpara lexuesit. Fati im të kem në dorë këtë libër e të jem nga të parët që “degustoj” këtë koktejl ngjyrash, ndjenjash, udhëtimesh, të sjella nga përvojat e çmuara, në etapa të ndryshme të moshës së Autorit. Ngjarjet vijnë të përshkruara, nëpërmjet një verbi të bukur rrëfimtar, të spikatur dhe modern, pa predikime, moralizime dhe mesazhe të drejtëpërdrejta. Lojën e bëjnë personazhet, autori rrëfen duke ruajtur statusin si asnjanës, e më tej duke shpalosur çastet më mbresëlënse e më të papërsëritshme të jetës së tij. Jam i sigurtë se një thesar i tillë shpirtëror, do të bënte ziliqar çdo poet, apo shkrimtar, madje çdo eksplorator të apasionuar, pas aventurave për udhëtime të gjata e me plot supriza. Natyrisht që një komoditet të tillë nuk e ka gjithkush. E quajta “komoditet” edhe pse nuk është i tillë, përveçse frut i një pune titanike, i një durimi gati mitik, për të arritur në majat e artit, pikërisht aty ku gjendet sot poeti, prozatori, piktori, akademiku dhe tenori me famë botërore, Agim Hushi. Nuk e teproj aspak nëse e cilësoj si një diamant të çmuar, i cili u zbulua së pari në këtë vend dhe i përket deri në krenari po kësaj toke. Autori vete e vjen natyrshëm nga skaj në skaj, ku pavarësisht amplitudave të jetës, ai nuk mohon aspak rolin e mëmëdheut tek formimi bazik i tij si qytetar dhe si artist. Qyteti i vogël, është pikënisja e ëndrrave e konvertuar në vargje dhe vokalica, për të arritur deri këtu, në majat triumfuese, gati të pabesueshme, të auditorëve dhe skenave botërore. Pa një jetë aktive, gjithmonë në lëvizje, të autorit, në tregime do të na mungonte larmia e fakteve, karaktereve, motiveve, e mbi të gjitha filizofia njerëzore, e cila me përzgjedhje të kujdesshme të tematikës, e me radhitjen e ngjarjeve në kohë, ravijëzon tamam si në një “puzle”, portretin e saj. Autori nuk trillon, ai njeh thellësisht të dy ekstremet e jetës, që nga fëmija i braktisur, tek “Udha e qumshtit” në Malajzi, ku të le të kuptosh se uria e popujve nuk mundet të shuhet me një vakt të dhuruar. Pastaj autori shenjtëron edhe më tepër natën e falenderimeve me “Darka e shenjtë” duke shuar urinë e nënës dhe dy fëmijëve të saj në një tryezë të bollshme. Përsëri të fut në mendime se hallet e botës, as me magji nuk zgjidhen. Shkrimtari e ka në dorë situatën e me një të rënë të lapsit, mundet t’i ndryshojë rrjedhën subjektit, por ai nuk e bën këtë. Kontraste të thella lindin nga njëri tregim tek tjetri. “Profesori” simboli i dijes, ai që sa e sa fëmijëve u ndriçon mendjen, pse jo dhe fatin, ndjehet i braktisur dhe i harruar me një pagë gjysmake që e deryron të zgjidhë urinë në kazan të plehrave. Kjo është drama e jetës, e cila merr përmasat e një tragjedie për brezin e ri, ku mendja fluturon ndër ëndrra dhe dëshira, ndërsa këmbët janë në llumin e varfërisë dhe injorancës. Si të mos mjaftonte kjo autori trajton një temë edhe më të guximshme, atë të kalbjes së sistemit shoqëror, pikërisht në krye të tij. Nga uria e fëmijëve, nëpër metropole dhe zona rurale, tek “Mbretëresha”; jeta mondane e monarkes së plakur, e cila dremit dhe kërkon paqen mbi qefinin e një kohe që po perëndon. Po autori nuk do të ndalet as këtu. Në një tjetër çast ai e çon lexuesin të udhëtojë bashkë me të, me aeroplan drejt Sidneyt. Në një moment tjetër zbret në Moskë e niset me tren për “Një takim në Stepe” drejt Siberisë. Shtegëtimin për në pol të Jugut e përshkruan shpirtin njerëzor deri në dhimbje tek “Shtepia e engjëjve” aty në sediljet e vendosura pranë dritares së avionit takon personazhin më interesant, murgun budist, një krijesë “e fortë”, pjellë e mëkatit, i cili transformohet në një qënie e brishtë e mishërimit të mirësisë. E në polin e Veriut heroi lirik, zbulon “vëllanë” e burrëruar me një peng të madh në zemër, “produkt” i një sistemi kriminal, që mbi çdo gjë, e mbi gjithçka vendos dogmën e një filozofie utopike. Barbaria sintetizohet qartazi deri në ekstremitet, tek tregimi “Pata e artë” Një tregim jetësor që e sjell thjesht me naivitetin e një krijese delikate, siç është fëmija, duke përcjellë natyrshëm gjendjen e degraduar sociale, të një shoqerie që vret deri në qelizë ndjenjën latente, besimin e natyrshëm dhe lirinë sublime të fëmijve, duke e nxjerrë lakuriq atë kohë, plot slogane dhe dogma, e cila në emër “të shumicës”, degradoi personalitetin e njeriut, shkatërroi boshtin themeltar të vetë arsyes, për hir të së cilës dhe jemi në këtë jetë.. “Pata e artë”, në harkun kohor sa hap e mbyll sytë, kryen fluturimin tragjik, duke përcjellë natyrshëm mesazhin “ se një shoqëri që nuk respekton, dëshirat e fëmijve, herët a vonë ajo është e destinuar të shembet. Por vektori i krijimtarisë së shkrimtarit lëviz me shpejtësi, në një rreze të gjerë në hapësirë dhe në kohe, ai përsëri mban për seli të shpirtit të tij vendlindjen, atë qytetin e vogël rrëzë kodrave të ulta në bregun e detit Adriatik… Aty bën një retrospektivë romantike, me “cicmicet” e dashurisë në moshën e adoleshencë. Shtriga e bukur, me ndjenjën poseiduese, me një egoizëm ekstrem ndan të porsadashuruarit. Apo “Ullishtja” që fshehu suprizën e padëshiruar të nxënësve. Mësuesja e tyre e bukur, idhulli i ëndrrave të tyre dashuroka dikë?! Ullishtja u la një vragë në shpirt e cila do të zbehej vetëm kur personazhet të rriten. Papritur autori si një shterg i bindur shtegëton përsëri, por këtë radhë në Evropë. “Maskat e Romës” një nga tregimet më tronditëse. Simoni, ky personazh me tipare tejet njerëzore, i cili ndërsa po kryente aktin e parë të tradhëtisë bashkëshortore, kuptoi se tradhëtia paskësh qënë e ulur këmbëkryq me kohë. Ai mori goditjen e madhe, por godina e familjes nuk u shemb, pasi hyri në mes arsyeja. “Maskat”, simbol i hipokrizisë njerëzore. Ato askush nuk guxon t’i heqë, pasi tashmë janë tabu. Nëse guxojmë t’i prekim, do t’i ndjejmë deri në palcë tërmetet sociale.Autori herë pas here kthehet dhe trazon kujtimet të cilat i rrëfen me një butësi të admirueshme, e pastaj “degdiset” te “Fillimi i botës” bën një tango të bukur me Cesnan, atje lart në qiell, së bashku me yjet, pastaj zbret në tokë e vallëzon me aborigjenët, të cilët ruajnë ende në shpirt zakonet e moçme, raportet arkaike, por tejet të besueshme, të njeriut me zotat dhe me mëmën natyrë.Ajo çka të dhemb në këtë rrëfim është braktisja deri në harresën e këtyre njerëzve. E çka më mahnit së tepërmi, janë detajet që jep për pilotin, shpirtin e tij të aventurës. Një përshkrim gati personifikues i avionit “Cesna”, si çante qiellin si dhe dashurinë e pakufishme të Berrit për të. Vërtet ky është udhëtimi më magjik i kryer ndonjëherë. Por ajo që të bën të theri në zemër, është “Armiku”. Një rrëfim i papërsëritshëm, me një mesazh të madh. Historia e “luftës së klasave”, shplarja e trurit, ku njeriu urren njeriun. Ku mendja aluçinante, pasi zgjohet kupton rrethin vicioz të barbarisë që ka kryer. Ndërgjegja nuk ka më paqe dhe kërkon faljen e madhe, të cilën e merr si një çelës për të hapur derën e përtejme.
Këto rrëfime me gjithë elementet e një proze klasike, diku më shfaqen si prozë poetike, madje vijnë si një poezi me varg të bardhë. “Dreri” bart një mesazh universal edhe pse duket një subjekt gati si një përrallë. Zbritja me një trajektore në kohën e luftës shekullore për liri tek “Nata e fundit”. Proza e shkurtër përgjithësisht kërkon fabul, këtu kam parasysh tregimet e Moupasanit, apo Elin Pelin, pse jo dhe Dino Buzati, por tek ky libër nuk ka trill, as “supriza” të sajuara me stil, me qëllimin e vetëm për të mbajtur në ankth lexuesin. Tek “Udha e qumështit” do gjeni jetë dhe vetëm jetë, e cila mundet të rrëfehej edhe në formën e ditarit, por autori me ndërgjegje ka zgjedhur këtë gjini artistike, pasi këtu galeria e personazheve të tij, merr simbolikën e përgjithësimit. Një nga një tregimet, ngjajnë si substancat e një tharmi, nga ku mundet të zinin fill rrëfime të gjëra, në nivele novelash, apo romanesh, por autori e njeh mirë psikologjinë sociale të shoqërisë së konsumit, e cila është e prirur drejt esencës dhe i do gjërat t’i rrufisë “flesh”. Pasi e garantoj në një sukses të sigurte të vëllimit “Udha e qumështit”, të shpresojmë se së shpejti krijimtaria e poetit Agim Hushi, përpos poezisë dhe tregimit, të kulmojë me Romanin e tij të parë!

Sigal