Nis seanca për dy të dyshuarit si atentatorë të vëllezërve Haxhiaj, ‘blindohet’ Gjykata e Durrësit

373
Sigal

Në Gjykatën e Durrësit ka nisur seanca për dhënien e masës së sigurisë për dy të arrestuarit, të dyshuar si atentatorë të vëllezërve Haxhiaj në Durrës.

Nga fotot shihet se kjo seancë do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin të arrestuarit.

Autoret e dyshuar, që u arrestuan si rezultat i finalizimit të operacionit “Shen Vlash”, janë A. N., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe K.A, 22 vjeç banues në Durrës.

Kush janë viktimat

Mësohet se dy vëllezërit janë me origjinë nga Puka dhe prej kohësh jetojnë në lagjen nr. 7, në Spitallë.

Besmir Haxhia, 36 vjeç, dhe vëllai i tij më i vogël, Viktor Haxhia, 27 vjeç, rezultojnë me disa biznese në këtë zonë. Sipas informacioneve nga Policia, bizneset që dy vëllezërit kanë, janë një lavazh, një Exchange dhe një kompani “BVAUTO”, me shërbim karrotreci dhe dhënie me qira të automjeteve. Të gjitha këto biznese, rezultojnë në emër të 27-vjeçarit Viktor Haxhia.

Ky i fundit rezulton të jetë diplomuar një vit më parë për avokat, ndërsa ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë në Durrës.

27- vjeçari nuk rezulton të ketë ndonjë të shkuar kriminale, çka mund të sillte edhe ngjarjen e djeshme.

DYSHIMET

Ndërkohë, 36-vjeçari Besmir Haxhia, është i martuar dhe kishte edhe një fëmijë. Së bashku me vëllanë, ai punonte në bizneset e lartpërmendura. Sipas burimeve, 36- vjeçari në Durrës njihet edhe me nofkën si Mori i Kolës.

Burime të Policisë thanë gjithashtu se Besmir Haxhia rezulton me precedentë të mëparshëm kriminalë jashtë vendit.

Bëhet fjalë për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa ka kryer dënimin e tij vite më parë. Pas kësaj, është rikthyer për të punuar në bizneset e familjes së tij. Nga hetimet paraprake të kryera për këtë ngjarje, Policia dyshon se ekzekutimi i dy vëllezërve të ketë ndodhur si pasojë e të kaluarës së njërit prej tyre.

SI U VRANË

Vëllezërit ishin duke kaluar me makinë në momentin që kanë rënë në pritë, duke u qëlluar me breshëri armësh. Autorët dyshohet se kanë qenë dy. Kanë qenë banorët e zonës që kanë dëgjuar të shtënat, duke lajmëruar Policinë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 te tregu i makinave, në Shenavlash, te zona e Nishtullës. Forca të shumta policie rrethuan zonën, ndërsa janë ngritur edhe pika të shumta postblloku për të shkuar në gjurmët e autorëve. Mister mbetet motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë.

Policia e Durrësit për të mbledhur sa më shumë prova dhe dëshmi për zbardhjen e kësaj ngjarje ka marrë edhe dëshminë e familjarëve të viktimave. Këta të fundit kanë dëshmuar nëse dy vëllezërit kanë pasur ndonjë konflikt së fundmi apo hakmarrje të vjetër.

Gjithashtu, Policia po merr edhe dëshmitë e banorëve të zonës, të cilët janë gjendur të parët, pasi dy vëllezërit janë qëlluar me breshëri armësh gjatë lëvizjes me makinë.