Dështimi i qeverisë në menaxhimin e krizës po shfaqet përditë në sytë e shqiptarëve. Së fundmi ky dështim u shfaq në mënyrë tronditëse në rastin e shpërthimit të epidemisë në burgun ‘313’.
Edhe pse ky burg duhej të ishte i mbrojtur nga korona me masat më të larta të sigurisë, virusi depërtoi dhe preku një të burgosur italian. Bëhet fjalë për Giovanni di Cosimo, i arrestuar në dhjetor të vitit të shkuar.
Vatra ka shpërthyer dhe deri më tani thuhet se zyrtarisht janë 18 të prekur. Mes tyre ka të burgosur dhe efektivë të policisë.
Për shkak të këtij shpërthimi të frikshëm, spitali i burgut është kthyer në Covid. Në spitalin e burgut janë 25 shtretër dhe mësohet se janë dërguar edhe respiratorë.
Kjo situatë e frikshme ka bërë që brenda burgut të shpërthejnë protesta nga të burgosurit, që kërkojnë t’u bëhen testimet. Disa të infektuar asomptimatikë janë izoluar në qelitë e veçanta të parashikuara për regjimin biss-41.
Por si depërtoi virusi në burg? Prej kohësh opozita shqiptare i kërkonte ministres së Drejtësisë që të merreshin masa për situatën brenda burgjeve, por asgjë nuk ndodhi.
Kurse sot, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një mesazh tronditës, që tregon sipas tij se i burgosuri italian kishte 1 muaj me temperaturë, por nuk i bënin testin. Në mesazh thuhet se askush nuk e mori seriozisht atë, ndërsa tani të infektuarit mes të burgosurve dhe personelit janë të shumta. Ata kërkojnë t’u bëhet testimi.
Berisha thotë se i bën thirrje Kryqit të Kuq, Amnesty International dhe Komitetit kundër Torturës në Këshillin e Europës që të ndërhyjnë me urgjencë dhe të dënojnë “qëndrimin kriminal të narkozyrtarëve të shtetit shqiptar ndaj të burgosurve dhe personelit të burgut 313”.




















