Shtyrja e gjyqit ndaj pedofilit, prindërit shfaqin dyshimet se duan ta lirojnë

566
Sigal

INTERVISTA/ Nga Delvina flet për “Telegraf” babai i fëmijës së dëmtuar, Arjan Ballaxhia

Vetëm tre muaj nga ngjarja e rëndë e tentativës për përdhunim të një të miture vetëm 7 vjeç, ende pa shkuar në shkollë, në qytetin e Delvinës, prindërit e vogëlushes paraqesin dyshime për tendenca të zbutjes së dënimit për autorin mostër të ngjarjes sa të turpshme, aq edhe të dhimbshme. Duke u zhvilluar dy procese gjyqësore, që të dyja të shtyra dhe pa pjesëmarrjen e palës akuzuese, i ati Arjan Ballaxhia, banor i lagjes “Sinan Ballaci” të Delvinës shpreh dyshimet e tij përmes “Telegraf”, i shqetësuar nga çka pritet të ndodh me procesin gjyqësor.

-Z.Arjan, Juve në familjen tuaj më 28 prill ju ka ndodhur një ngjarje e dhimbshme dhe e rëndë. Kanë tentuar t’ju përdhunojnë vogëlushen tuaj vetëm 7 vjeç. Pas tre muajsh ju shohim që dilni nga gjykata, si ecën procedura ligjore?

– Po e nis me disa detaje të ngjarjes: Atë ditë të 28 prillit të këtij viti, për familjen tonë ka ndodhur një ngjarje shumë tronditëse, shumë e rëndë, një plagë që do na pikojë dhimbje në shpirt gjatë gjithë jetës. Megjithëse akoma edhe sot jam në sundimin e shokimit, po them diçka. Por është fati i mirë i vajzës time që nuk ndodhi më e madhja, pasi ai person, me precedentë të tilla edhe më parë, e ka marrë në shtëpi të tij duke e gënjyer me joshje se do t’i jap çokollata në kohën që vajza ka qenë duke luajtur para shtëpisë, se jemi komshinj me mostrën delvinjote. Në banesë ka përdorur forcë duke e zhveshur vajzën dhe duke e fërkuar dhe puthur në vendet intime. Vajza ka qarë dhe manjaku-monstër është detyruar ta lëshojë pa finalizuar qëllimin. Vajza është e vogël, 7 vjeç dhe nuk ka shkuar ende në shkollë. Nuk kam qenë në banesë, por më ka lajmëruar gruaja dhe kam shkuar menjëherë. U njoha me ngjarjen tronditëse dhe nuk di çfarë force më pengoi të marr veprime të marrëzishme. Çuditem vërtet edhe sot se si nuk bëra atë veprim që të gjithë e mendoni se çfarë duhet bërë në këto raste me njerëz të tillë, që kanë lindur aksidentalisht njerëz, se nuk janë as kafshë, edhe ato turpërohen nga veprime të këtij lloji. Po nejse! Shkova në polici dhe bëmë denoncimin. Policia na priti mirë dhe u shokua. Morën denoncimin e vajzës dhe me të dhënat brenda dy-tre orësh ndaluan personin, nga momenti i ndodhjes së ngjarjes, se nga momenti që denoncuam, as gjysmë ore nuk vonuan operacionin e arrestimit. U treguan të prerë e të rreptë dhe nuk patën as më të voglën keqardhje për ta zbutur problemin, siç ndodh rëndom.

-Pas denoncimit të kësaj ngjarjeje të rëndë, jo vetëm të turpshme edhe për moshën shumë të vogël të vajzës, ku qëndron çështja?

-Çështja qëndron në Prokurori. Po ajo që më shtyri të bëj publik çështjen time është dyshimi për sa ndodh kohët e fundit me procesin e vajzës sime. Ndryshe nga ç’na pritën në prokurori herën e parë, tani shohim diçka të dyshimtë në veprime. U bë gjyqi i parë dhe ne nuk na njoftuan, por morëm vesh se gjyqi qe zhvilluar në mungesë. Shkova në prokurori, ku ndryshe nga shefi i sajë që më priti ndershmërisht me njerzillëk dhe me autoritetin e ligjit, prokurori i çështjes më priti ndryshe. Nuk e kuptova, ndoshta edhe nga ngarkesa emocionale se nuk na thanë për gjyqin, por edhe se si më foli mua si prind në një problem të tillë të madh. Nuk m’u duk mënyrë e përshtatshme ai komunikim. Dhe ajo që më shtoi dyshimin qe shprehja se “…ai do marri hakën ligjore, po të kish një avokat të zgjuar, të mirë, ai do qe jashtë tani, se ne nuk kemi fakte për ta mbajtur atë njeri brenda. Ndërkohë i them se kemi fakte se ai vet ka pranuar një gjë të tillë në prezencë të policisë, ku nuk qe vetëm një po disa policë. Prokurorja ma kthen se ai mund të ketë pranuar, po nuk ka firmosur gjë” dhe më nxjerr dokumentet, ku pashë se firmat tona dhe të policisë së Delvinës qenë me laps dhe i them prokurores se si është e mundur që në çështje të tilla firmat të jenë me laps? Më thotë se atë duhet ta gjej në polici dhe atje duhet ta kërkoj, po të kesh gjë në drejtimin tim mund të ankohesh në Tiranë, madje ik me këmbë për të drejtën tënde. U shokova dhe nuk fola se nuk nxjerr gjë edhe me të bërtitur. Dyshoj nga këto. Janë bërë dy gjyqe, të cilët janë shtyrë që të dy dhe ne nuk njoftohemi. Dhe për këtë i thashë edhe prokurores, e cila më tha se duhet të jemi në proces gjyqësor të pranishëm, por nuk jam unë ajo që mbaj përgjegjësi për njoftimet gjyqësore, është gjykata dhe këtu ka të drejtë. Por herën e dytë erdhëm dhe nuk na lanë të futeshim brenda në gjyq, nuk na la polici i gjykatës. Ishte data 29 korrik. Gjyqi u bë përsëri vetëm dhe u shty përsëri.

Keqtrajtimi i çështjes

Shikoj një keqtrajtim të çështjes nga institucionet dhe dyshoj se ka tendenca zbutjeje të dënimit. Dua që drejtësia të vërë dorë mbi këtë çështje dhe sidomos ndaj këtij personi që e ka të përsëritur, pra është monstër pedofil. Jetojmë në një pallat dhe mund të na dalë para syve, sidomos të vajzës dhe pa u dënuar fare?