Mediat spanjolle janë tmerruar me spitalet shqiptare. Në një reportazh të publikuar nga “20 minutos” thuhet se spitalet në Shqipëri janë si në Luftën e Dytë Botërore. Në shkrim thuhet se më shumë infektohesh në spitale, sesa shërohesh. Ilaçet mungojnë, ndërkohë që brenda në ambientet e QSUT – së, mund të gjesh që nga kafet e deri tek serviset e makinave. Drejtuesit e spitaleve janë partiakë të thekur, – thuhet në shkrim, – ndërsa korrupsioni është në nivele alarmante. Në shkrim thuhet gjithashtu se, mungojnë qendrat shëndetësore në vend, ndërsa shumë banorë duhet të ecin kilometra të tërë për të marrë shërbimin parësor. Ndryshe ndodhte në komunizëm, – thuhet në shkrim, – ku edhe zonat më të thella kishin shërbim mjekësor dhe ai ishte falas. Ky ishte komenti që bënte shtypi spanjoll për gjendjen e mjerueshme të spitaleve tona, pa hyrë në detaje të jetës së përditshme të këtij shërbimi që në përgjithësi çdo hallexhi do ta pranonte kokulur varfërinë, mungesën e ngrohjes dhe të ujit, por assesi nuk do të dëshironte të përfundonte dyerve të spitaleve tona që janë në pikë të hallit. Shumë njerëz nuk kanë mundësi të vizitohen sepse nuk kanë të ardhura dhe jetojnë në një minimum jetik të varfërisë, në luftë me mbijetesën. Po me jetimët ç’ndodh!? Po me të moshuarit e vetmuar dhe të braktisur!? Po me invalidët, personat me aftësi të kufizuara!? Ata janë në mëshirë të fatit dhe rrezikojnë jetën çdo çast, sepse asnjë mjek nuk i prek me dorë nëse nuk paguajnë…Si kudo, edhe mjekësia është dehumanizuar ca më shumë nga disa sektorë të tjerë publik dhe privat në këto 22 vjet të tranzicionit të zgjatur pa shkak. Të dypunësuar në sektorin shtetëror edhe në atë privat, një pjesë jo e vogël e mjekëve në marrëdhënie okulte dhe bashkëpunim me segmente të caktuara të sistemit administrativ korruptiv që tashmë kanë krijuar oligarkinë e tyre në këtë sektor jetik të vendit, janë kthyer në një babëzi kolektive drejtë një pasurimi galopant dhe pa fre ku mund të thuhet pa frikë se, ata janë evazionistët më të çuditshëm dhe më të mëdhenj fiskal duke mos deklaruar fitimet e tyre marramendëse me bekimin e pushtetit dhe politikës. Duke patur akses në marrëdhënie dhe punën shtetërore, nën ndikimin e trafikut të influencës të lidhur në mënyrë nepotike me hierarkinë dhe njerëzit e pushtetit, qëllimshëm ata e kanë degraduar në mënyrë të shëmtuar shërbimin spitalor publik, për të begatuar shërbimin spitalor privat, nga i cili burojnë fitime marramendëse. E gjitha kjo nuk është rastësi. Përkundrazi!Gjatë këtyre 22 vjetëve, shpesh kemi dëgjuar kinse nëpër fushata elektorale dhe foltoret e institucioneve më të larta të shtetit shqiptar oratorë politik që flasin me pathos për luftën ndaj korrupsionit dhe reformat që duhen të ndërmerren në mjekësi, por, pakkush e kupton se kjo është thjeshtë një “lojë” dhe demagogji e atyre që na kanë keqqeverisur dhe na keqqeverisin në mënyrë abuzive. Arsyeja është fare e thjeshtë. Oligarkia që ka mbërthyer në mënyrë kapilare pikat kyçe të korrupsionit galopant në tërë rrjetin e shërbimit mjekësor, reciprokisht jep edhe merr me politikën në mënyrë të ndërsjellë. Në këtë kuptim, kupola e kësaj oligarkie, (që janë militantët partiakë që drejtojnë hallkat kyçe administrative të sektorit të shëndetësisë në vend), e ka keqpërdorur dhe e keqpërdorë elitën e inteligjencës mjekësore si një aset elektoral për të bërë lobim në favor të pushtetit politik, të atyre që na qeverisin në mënyrën më të keqe dhe të pamerituar. Nga ana tjetër si shpërblim, politika me veprimet dhe mosveprimet e saj, gjithmonë ka ditur të mbyllë sy e vesh në favor të kastës oligarke që mban peng reformën mjekësore. Pra, e gjitha kjo, është një marrëdhënie midis politikës dhe kupolës oligarkike në interes të këtyre të fundit dhe në dëm të qytetarëve të këtij vendi. Është kjo një nga shumë arsyet përse korrupsioni masiv në Shqipëri për më shumë se dy dekada “noton” në mënyrë skrupuloze dhe të rafinuar në gropën e zezë sociale, nga ku të ardhurat që përfitohen në rrugë të paligjshme dhe të pandershme, përqendrohen në pak duar të atyre që konsiderohen sot “elita e kapitalizuar” e disa profesionistëve arrogantë dhe prepotentë në marrëdhënie me të varfrit dhe shtresat e pambrojtura të shoqërisë. Nga përvoja e praktikës botërore del se në çdo vend të botës së lirë demokratike, një mjek, një kirurg, një stomatolog, çdo profesionist i fushës humane, në veprimtarinë dhe punën e tij ka një normë, një kriter dhe tregues të punës që bën në lidhje me numrin e pacientëve që trajtohen prej tyre. Një kirurg në Gjermani, Austri, Zvicër, Francë, Suedi, Norvegji, Itali, Turqi apo edhe Greqi, nuk mund të realizojë më shumë se 1 deri në 2 operacione në javë. Këtu në Shqipëri, një kirurg planifikon dhe realizon 3 deri në 5 operacione në ditë. Një stomatolog, në vendet e perëndimit planifikon dhe mund të shpenzoj si kohë të gjithë ditën me 1 deri në 2 pacientë, ndërsa këtu në Shqipëri, një stomatolog planifikon dhe kalon në duart e tij edhe më shumë se 10 pacient në ditë. E gjitha kjo në emër të fitimit. Për të mos paragjykuar të gjithë atë armatë të shëndoshë të mjekëve që me punën, integritetin dhe përkushtimin e tyre profesional, një jetë të tërë kanë dhënë dhe japin kontribut të çmuar në mbrojtjen dhe shpëtimin e shumë jetëve njerëzore, siç janë mjekët e nderuar dhe tepër të respektuar, Dhimitër Kraja, Ilirjana Ruka, Feçor Agaçe, Themistokli Sinjari, etj., është vendi të përmend një nga shumë episode që nuk e nderojnë aspak këtë profesion human dhe po aq fisnik. Përkundrazi, e komprometojnë dhe e njollosin rëndë atë. Para pak ditësh, pata një bisedë interesante me një mjek të nderuar që mban në shpinë një karrierë të gjatë 40 vjeçare, një profesor, pedagog dhe shkencëtar i shquar në fushën e endokrinologjisë shqiptare, autor i shumë teksteve, librave dhe studimeve në këtë fushë. Ishte shumë i dëshpëruar, por edhe i fyer rëndë njëkohësisht. Jo për faktin se një spital i njohur privat (që çdo ditë bombardon mediat me reklama pa fund për shërbimet që ofron), i kishte ndërprerë kontratën e punës. Jo! Madje, vetë profesori e kishte kërkuar këtë ndërprerje të kontratës me këtë institucion shëndetësor privat. Arsyeja ishte fare e thjeshtë. Profesori i nderuar, duke patur integritetin e tij profesional dhe atë moral, edhe pse rrogën e kishte mjaft të mirë në këtë vend pune, nuk u bind dhe nuk i’u nënshtrua disa kërkesave absurde të administratorit, kërkesa këto që binin ndesh me kodin etik e profesional dhe parimet humane të mjekut. Pas 6 muaj pune në këtë spital, profesori u thirr nga administratori i këtij institucioni privat i cili i kërkonte që të gjithë pacientët që vinin për vizitë tek ai, të mos i përcillte vetëm me një vizitë, por t’i mbante sa më gjatë, ti sorollaste pa fund përmes bërjes së vizitave, konsultave dhe analizave të panevojshme që kishin si qëllim mbushjen e arkës së administratorit. Pas këmbënguljes së administratorit për të arritur marrëveshjen në favor të tij me mjekun, profesori i nderuar zgjodhi të dorëzonte çelësat e klinikës për të qenë faqebardhë dhe i qetë me ndërgjegjen, duke mos u bërë pjesë e një krimi të shëmtuar social. Sot, kur shumë nga kolegët dhe ish – studentët e tij kanë hapur klinikat private dhe ushtrojnë profesionin e tyre, profesori i njohur endet në kërkim të një pune ku të mos ketë më telashe dhe andralla nga ato që u përmendën më sipër. Respekti dhe vlera për jetën nuk janë zhvlerësuar vetëm nga aksidentet e shumta, nga sjelljet dhe marrëdhëniet tepër stresante dhe neurotike që në përgjithësi njerëzit i ndeshin në jetën e përditshme nga hallet dhe problemet e shumta që ata kanë, por, edhe nga arroganca e keqpërdorimi i pushtetit politik, monopolizimi i pushtetit administrativ dhe profesional që sapo përmendëm më lart. Pikësëpari, vlera e jetës së njeriut në Shqipëri është zhvlerësuar në mënyrën më banale nga ata që në të vërtetë duhet ti japin kuptimin e vërtetë dhe dimensionin real jetës, nga ata mjekë të pandërgjegjshëm dhe aspak human që në emër të moralit të parasë përdhosin dhe mohojnë vlerat universale të humanizmit. Ja përse spitalet tona publike edhe pas 22 vjetësh nuk po e marrin veten dhe kanë degraduar në një mjerim të thellë social nga këta hipokritë dhe matrapazë socialë pa zemër dhe pa shpirt, të maskuar nën petkun e bluzës së bardhë të HIPOKRATIT. Është koha për një zgjim të madh qytetar në mbrojtje të vlerave dhe jetës, ashtu siç ndodh kudo në botën e qytetëruar demokratike, për të mos lejuar më tej makutërinë e disa sharlatanëve të tillë që kanë në dorë jetën e njeriut dhe që marrin dita ditës nëpër këmbë DINJITETIN NJERËZOR….
*Autori është Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë