Shkarkimet partiake nga administrata / SPAK, të hetojë ortekun e korrupsionit 245 milionë euro, të largimeve të paligjshme nga puna dhe moszbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë

721
Sigal

SPAK, përballë  ortekut të korrupsionit  245 milion euro, të  largimeve të  paligjshme nga puna

 Zija   LIKA

Ndonëse me vonesë kohore të konsiderueshme dy vjeçare, ish ministri i shtetit për inovacionin dhe administratën publike, në mbështetje të ligjit 152 / 2013 “Për nëpunësin civil”  të ndryshuar, ka nxjerrë urdhërin nr 5151, datë 28.10.2015 “Për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga institucionet e administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit për shërbimin civil”.Nëpërmjet këtij urdhëri, është përcaktuar procedura që duhet të ndiqet nga ana e institucioneve përkatëse të administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit të sipërpërmendur, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për rikthimin në vendin e mëparshëm të punës apo pozicion pune të barazvlerëshëm (të të njëjtit nivel dhe kategori), të ish nëpunësve civilë të larguar padrejtësisht nga puna, të cilët e konfirmojnë këtë të drejtë përmes këtyre vendimeve përkatëse gjyqësore. Kjo procedurë përfshin ngritjen e një komisioni të posaçëm pranë secilit prej institucioneve përkatëse debitore, i cili duhet të shqyrtojë mundësitë e sistemimit (rikthimit) në një pozicion të rregullt pune të shërbimit civil, të ish nëpunësve gjyqfitues, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, ende të pa ekzekutuara. Vetëm pas dërgimit nga komisioni i posaçëm tek Departamenti i Administratës Publike, të akt rekomandimit përkatës për sistemimin në punë të ish nëpunësit civil gjyq fitues, DAP-i duhet të vijojë me nxjerrjen e aktit të emërimit.

Le të shohim se çfarë ka ndodhur në DPT Tiranë

Bazuar në këtë urdhër të DPT-së, komisioni i posaçëm i ngritur në zbatim të tij, në përfundim të shqyrtimit të kërkesave të gjyqfituesve (të cilat janë shpesh herë shumë të pakta, krahasuar me numrin e tyre) i propozon  ish nëpunësit civil (në rast se është e mundëshme), sistemimin  në një pozicion pune të të njëjtit nivel dhe kategori, në zbatim të diapozitivit  të vendimit gjyqësor “titull ekzekutiv”. Çuditërisht vetëm pasi ish nëpunësi civil, shpreh pëlqimin për sistemimin në pozicionin e propozuar të punës, komisioni i posaçëm i DPT- së, i drejtohet DAP-it me akt rekomandimin përkatës, për emërimin e tij në këtë pozicion. Po në rast se ish nëpunësit civilë, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë ende të pa ekzekutuara, nuk kërkojnë të rikthehen në punë apo nuk e japin pëlqimin për pozicionin e punës që ju ofrohet në bazë të këtij urdhëri të sipërcituar (gjë e cila ka nivel shumë të lartë probabiliteti), çfarë duhet të ndodh?! Fatkeqësisht, nëse ndodh kështu, në mënyrë krejtësisht të paligjshme bazuar në këtë urdhër, ndërpritet vazhdimi i mëtejshëm i procedurës përkatëse ligjore dhe të gjithë ata që refuzojnë rikthimin në pozicionin e propozuar të punës konformë vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, lejohen padrejtësisht në dëm të taksapagueve shqiptarë, të vazhdojnë të trajtohen me dëmshpërblimin përkatës në mënyrë krejt të pakufizuar në kohë (deri sa të jetojnë), ndërkohë që ligjërisht vazhdimi dhe përfundimi i kësaj procedure ligjore, duhet ta ndërpres menjëherë këtë dëmshpërblim financiar. Përveç sa më sipër, vonesa shumë e gjatë kohore dhe plotësisht e pajustifikuar, në lidhje me ngritjen e këtij komisioni të posaçëm nga ana e DPT-së, të ngarkuar sipas urdhërit të sipërcituar me detyrimin ligjor të gjetjes së mundësive dhe vazhdimit të procedurave përkatëse në bashkëpunim me DAP, për rikthimin në punë të ish nëpunësve civilë, konform vendimeve gjyqësore të formës së prerë ende të pa ekzekutuara, ngarkon me përgjegjësi ligjore, financiare dhe administrative, drejtuesit kryesor të kësaj drejtorie të përgjithshme, si dhe ata respektiv të drejtorive të saj juridike, apo të burimeve njerëzore. Të dhënat  statistikore të deritanishme tregojnë se, zbatimi  i akteve të mësipërme nënligjore, të nxjerra  me shumë vonesë sikurse themi më sipër, jo vetëm nuk e ka zgjidhur këtë problematikë shumë të rëndësishme në aspektin ligjor, ekonomik, financiar, social  e të tjera, por përkundrazi  e ka vështirësuar  e përkeqësuar edhe më tej atë.

Disa këshilla e rekomandime, për minimizimin e dëmit financiar nga statusi i nëpunësit civil

Së pari: Duhet të bëhet rregullimi përkatës ligjor, duke ngarkuar me përgjegjësi financiare, administrative dhe/ose penale autoritetet përkatëse vendimmarrëse, për largime të padrejta nga puna, të konfirmuara përmes vendimeve përkatse gjyqësore të formës së prerë.

Gjithashtu këto autoritete, në përkatësi të institucioneve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, duhet  të mbajnë përgjegjësinë e sipërcituar, në të gjitha ato raste kur sipas verifikimeve përkatëse, rezulton se kanë bërë emërime në punë nga jashtë ose brenda sistemit, në ato pozicione pune tek të cilat ato duhet të rikthenin detyrimisht, ish nëpunësit përkatës, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë,të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë, duke lejuar në këtë mënyrë vazhdimin abuziv të pagimit inproduktiv të këtyre të fundit, me fondet përkatëse publike të buxhetit të shtetit, deri në momentin e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, sikurse përcaktohet në këto vendime gjyqësore, ose derisa të jenë gjallë nëse ato nuk ekzekutohen.

Së dyti: Në mënyrë që njësitë përkatëse përgjegjëse (Departamenti i Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore), të mund të zbatojnë normalisht konformë procedurave ligjore respektive, nenin 66/1, pika 1, të ligjit  152 / 2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, në lidhje me ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë, nevojitet që këta të fundit, të detyrohen ligjërisht të depozitojnë pranë njësive përkatëse përgjegjëse, të dhëna personale (ligjërisht të lejueshme), për efekte njoftimi zyrtar të tyre si: adresa e vendbanimit / email-it, numri personal i letërnjoftimit / telefonit e të tjera, si dhe të njoftojnë menjëherë këto njësi në çdo rast ndryshimi të këtyre të dhënave, ndërkohë që duhet të mbajnë përgjegjësi përkatëse ligjore, në rast mospërmbushje të këtij detyrimi apo paraqitje të dhënash të rreme / gabuara.

Së treti: Për të gjithë ish nëpunësit tatimor, të larguar më parë nga puna dhe për të cilët aktualisht ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, duhet të fillojnë menjëherë nga ana e     DPT-së dhe DAP-it Tiranë, procedurat e rikthimit të tyre në punë, duke i kërkuar paraprakisht qeverisë në mënyrë të argumentuar, miratimin e një shtese organike për aq sa nevojitet, në përmbushje të detyrimit përkatës ligjor, që rrjedh edhe nga zbatimi i ligjit 152 / 2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, neni 7, pika 2, shkronja gj.

Përllogaritet se vlera e çdo dëmshpërblimi financiar të ndërprerë, është përafërsisht e mjaftueshme për të  mbuluar koston shtesë  buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të katër ish nëpunësve zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë. Kjo do të thotë se vlera e dëmshpërblimit, që i korrespondon 20% të numrit total të ish nëpunësve tatimorë të kësaj kategorie, të cilëve për shkaqet e përmëndura më poshtë ju ndërpritet dëmshpërblimi financiar, është e mjaftueshme për të përballuar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të të gjithë pjesës tjetër të barabartë me 80%  të numërit total të tyre, ndërkohë që nëse shifra e mësipërme e daljes nga skema e dëmshpërblimit financiar është mbi 20%, atëhere gjenerohet përfitim shtesë buxhetor në formën e kursimit të shpenzimeve përkatëse të këtij buxheti. Nëse për këtë kategori ish nëpunësish, kryhen procedurat përkatëse ligjore të rikthimit në punë dhe për këtë bëhet njoftimi zyrtar i secilit prej tyre, atëhere ndërpritet menjëherë dëmshpërblimi financiar i sipërpërmendur, pasi në këtë moment madje edhe kur ekzistojnë arsye të justifikuara ligjore për mosparaqitje në punë, efektet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nulifikohen (zerohen), ndërsa të gjithë ata që paraqesin aktin e dorëheqjes me shkrim, apo për arsye të ndryshme të pajustifikuara ligjore nuk e respektojnë këtë vendimmarrje, lirohen apo largohen respektivisht nga shërbimi civil dhe numri i tyre i zbritet atij të strukturës së shtuar organike të personelit, duke e fiksuar atë përkohësisht në përputhje me rregullat përkatëse ligjore.

Aktualisht janë rreth 380 ish nëpunës të sistemit tatimor të larguar nga puna pas vitit 2000, për të cilët ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, por që ende figurojnë të pakthyer në punën e mëparshme. Ky fakt, përbën një dëm të madh ekonomik të përvitshëm që i bëhet buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, pasi secili prej tyre ka përfituar dhe përfiton çdo vit, në vartësi me pagën përkatëse që ka patur, një shumë prej 9-10 milion lekësh të vjetra, pa dhënë asnjë llojë kontributi në punë. Përvoja e deritanishme ka treguar se kjo pagesë, mund të vazhdojë pandërprerje deri në më shumë se 60 vjetë rresht, duke kapur shifrën e mbi  600 milion lekëve. Mundësia e rikthimit në punë, për raste të tjera të ngjashme, qoftë edhe me shtesë organike deri në masën ku të ardhurat e produktit marxhinal të punës barazojnë çmimin e saj (pagën), sikurse përcakton shkenca e ekonomisë, duhet të shikohet me përparësi edhe në institucione të tjera ku vepron ligji përkatës “për nëpunësin civil”, duke përfshirë edhe njësitë e qeverisjes vendore.

Së katërti:  Është e domosdoshme dhe emergjente që në kuadrin e rregullimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të legjislacionit në fushën e shërbimit civil e të tjera, të përcaktohet qartë se nëse përgjatë periudhës kur ishpunonjësi civil apo jo civil, është trajtuar apo trajtohet me dëmshpërblim financiar nga fondet e buxhetit të shtetit për shkak të ekzekutimit të vendimit përkatës gjyqësor të formës së prerë në favor të tij dhe nga ana tjetër brenda kësaj periudhe, verifikohet se ai ka qenë apo është i punësuar në sektorin publik dhe për pasojë i paguar prej fondeve publike buxhetore, atëhere këto shuma pagesash duhet t’i zbriten atij prej dëmshpërblimit  të pritshëm, ose të kërkohet rikthimi i tyre në buxhetin e shtetit, përmes vendimit ekzekutiv të nxjerrë  prej institucionit përkatës, konformë zbatimit të procedurave të nevojshme ligjore. Nga ana tjetër bazuar në praktika të njohura të legjislacionit ndërkombëtar që vepron në këtë fushë në vende të ndryshme demokratike të botës, përfituesit e lartëpërmendur të kësaj kategorie, apo të disa prej rasteve të tjera të parashikuara në legjislacionin përkatës, (të cilat lidhen me pagesën e papunësisë, mbrojtjen sociale e të tjera), e humbasin këtë të drejtë, nëse verifikohet se kanë qëndruar jashtë vendit përkatës në mënyrë të vazhdueshme apo me ndërprerje, më tepër se 183 ditë në një periudhë prej 365 ditësh.

Së pesti: Në ligjin 152 / 2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, neni 66/1, pika 4, citohet se: “Njësia përgjegjëse është e detyruar që në momentin e krijimit të një vendi pune të lirë në shërbimin civil, të emërojë, fillimisht me pëlqimin e tyre, nëpunësit civilë (gjyqfitues) të regjistruar në listë, sipas kategorisë përkatëse dhe që plotësojnë kriteret e pozicionit të punës”.  Duke qenë se zbatimi në praktikë i këtij neni, është shoqëruar me spekullime, afera korruptive e të tjera, të cilat kanë gjeneruar pasoja të rënda e të vazhdueshme negative, veçananërisht ndaj buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, nevojitet që kjo pikë e këtij neni të ndryshojë, duke hequr shprehjen e lartëpërmendur ‘fillimisht me pëlqimin e tyre”, në të gjitha rastet kur nëpunësit civilë gjyqfitues, në zbatim të dispozitivit të vendimit gjyqësor “titull ekzekutiv”, rikthehen në vendin e mëparshëm të punës, ose duke përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të prerë, se këta nëpunës civilë gjyqfitues, nuk mund të refuzojnë më shumë se një herë sistemimin  në një pozicion tjetër pune të të njëjtit nivel dhe kategori, në të cilin plotësojnë kriteret përkatëse, ndërkohë që nëse shteti merr përsipër paraprakisht, trajnimin përkatës falas, afatshkurtër dhe të detyrueshëm të tyre, refuzimi (përveçse përkohësisht dhe në rrethana të parashikuara e arsyetuara ligjërisht), të konsiderohet i pajustifikuar dhe i papranueshëm nga ana ligjore.

Në aspektin ligjor, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, merr një rëndësi edhe më  të madhe në kushtet e sotme të implementimit të reformës në drejtësi dhe çeljes së pritshme të negociateve për antarësim të vendit tonë në bashkimin europian. Në të gjitha vendet e botës ku funksionon  realisht shteti ligjor i së drejtës, jo vetëm që ekzekutohen në kohën e duhur këto vendime, por aktualisht në disa prej tyre si  SHBA, Gjermani e tjera, legjislacioni përkatës me qëllim minimizimin e pagesave inproduktive, kushtëzon dhënien e asistencës  ekonomike për të  gjithë individët përfitues në moshë ligjore pune dhe të aftë për punë, me kryerjen përgjatë çdo muaji të një numri të caktuar orësh pune në dobi të komunitetit.

Në aspektin ekonomik, sikurse e shpjeguam më sipër, bëhet e mundur të shmangen ose të paktën minimizohen,  pagesat e majme, sistematike, inproduktive e parazitare, që kapin çdo vit në total shifra prej rreth 20 milionë euro për këtë kategori ishpunonjësish të sipërpërmendur, të cilët mund t`i  përfitojnë ato në vazhdimësi deri në më shumë se 60 vjetë, nëse nuk kryhen procedurat përkatse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme. Në lidhje me këtë bazuar në të dhënat përkatëse të drejtorisë së përgjithshme të thesarit të ministrisë së financave, rezulton se për periudhën 01.01.2000 – 31.12.2018, shuma e paguar nga buxheti i shtetit shqiptar në formën e dëmshpërblimit financiar (në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë  për largime të paligjshme nga puna), arrin vlerën rreth 245 milion euro, ndërkohë që vetëm në 5 vjeçarin e fundit të kësaj periudhe (01.01.2014 – 31.12.2018), kjo pagesë arrin vlerën e barabartë me 102 milion euro.

Në aspektin social, rikthimi sa më shpejtë të jetë e mundur në vendet e mëparshme të punës,                     konformë vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, të ishpunonjësve të larguar më parë nga puna, minimizon kostot sociale që lidhen me zhvlerësimin e kapitalit njerëzor dhe intelektual, të shkaktuar nga humbja e aftësive profesionale dhe shprehive të punës, si rrjedhojë e qëndrimit papunë, apo punësimit jashtë  profesionit.

Në aspektin e luftës antikorrupsion, ekzekutimi sa më i shpejtë i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për pjesën që i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish punonjësve që e kanë fituar këtë drejtë me këto vendime, do të shmang në të ardhmen, aferat korruptive që mund të jenë praktikuar në të kaluarën në sistemin gjyqësor, lidhur me dhënien e së drejtës së pamerituar (tek disa prej ishpunonjësve të larguar nga puna), kundrejt shpërblimeve korruptive të dhëna, pasi çdo vendim i kësaj natyre ju ka siguruar dhe siguron atyre, çdo vit në vazhdimësi  mesatarisht rreth 10 milion lekë të vjetra.

Shpresoj që Prokuroria Speciale e Antikorrupsionit dhe Krimit të  organizuar (SPAK), të fillojë menjëherë  hetimet penale, ndaj këtij megakorrupsioni me pasoja tepër të rënda dhe gjithmonë në rritje ndaj  buxhetit të  shtetit shqiptar dhe interesit publik, duke përgjegjësuar ligjërisht  të  gjithë  zyrtarët e lartë  përkatës shtetërorë të pas vitit 2000, të  ciët kanë  abuzuar dhe vazhdojnë  të  abuzojnë  me këtë  llojë  problematike komplekse dhe tepër serioze. Në këtë  kontekst, duhet të përgjegjësohen ligjërisht edhe të  gjitha ato struktura kontrolli dhe auditimi financiarë, të cilat nuk kanë përmbushur detyrimet përkatëse ligjore, ndërkohë që nëse kanë  raporte apo materiale të tjera kontrolli dhe auditimi financiarë që lidhen me këtë tematikë, duhet t’i vihen në dispozicion strukturës më të lartë të hetimit penal, të  cilësuar ligjërisht më emërtesën “SPAK”.  Përveçsa më sipër vlen të theksojmë se në kushtet e reja të krijuara, KLSH duhet të vazhdojë dhe thellojë  më tepër ushtrimin e kontrollit financiar dhe ligjor në lidhje me këtë problematikë dhe përkundrejt provave dhe fakteve përkatëse që vërtetojnë shkeljen e rëndë të legjilacionit në fuqi, të kërkojë jo vetëm përgjegjesi administrative dhe financiare, por edhe të padit penalisht për hetim të mëtejshëm pranë SPAK, të gjithë zyrtarët e lartë (ish dhe aktual) të shtetit shqiptar, të cilët do të rezultojnë shkaktarë të kësaj situate me pasoja negative komplekse në dëm të interesit publik dhe ekonomisë në tërësi.