Suplementi Pena Shqiptare/ Bardhyl Londo: Therrja e plepave buzë Lanës

Ata ishin paqësorë
si një tufë pëllumbash mbi lëndinën e gjelbër.
Ata ishin naivë
si rekrutët rishtarë që i nisin me muzikë kasaphanës së luftës
dhe nuk e marrin me mend se çfarë i pret.
Ata ishin delikatë
si virgjëreshat para se ti bëjnë fli.

Po erdhën ca njerëz të çuditshëm
me sharra dhëmbëmëdha ,
me nofulla katalanësh,
me sëpata tehmprehta
dhe i therën plepat pa mëshirë.

Sigal

Kasapë ishin,
kasapë të gjithë.

Shtrirë ashtu pa jetë,
kufoma pa emër,
pa identitet,
flakur pa mëshirë në morg pas një masakre,
të mbytnin lotët kur i shikoje,
por askush nuk u përlot,
askush nuk u hodhi një tufë lule
për ti përcjellë drejt asgjësë.

Vetëm vonë,
kur i hipën mbi ca makina përbindësha për ti çuar në fabrikën e letrës,
një tufë gjinkallash
si një tufë vajtojcash
ra përmbys mbi cungjet e gjymtuar
dhe ja dha kujës.

Natën qyteti fjeti i qetë.
Nuk e di çfarë ëndrrash pa.
Me siguri ëndrra
ku ujqit i shfaqeshin si qengja
dhe thertoret si lulishte.

Kasapë janë të gjithë,
kasapë.