Pse mund të duhen 40 vjet për rindërtimin e Katedrales së Parisit

466
Sigal

Zjarri masiv në katedralen e Notre Dame në Paris shkaktoi dëme katastrofale në strukturën e saj, shigjetën ikonike dhe çatinë e lashtë prej druri. Por kur zbardhi dita mëngjesin e së martës, dhe gurët e katedrales vazhdonin të qëndronin në këmbë, të shumtë ishin ata që nisën të flisnin për rindërtim. “Do të jetë një rast i vlerësimit të dëmit, forcimi i çdo gjëje që ka mbetur, një inventar i plotë i asaj që kemi humbur dhe më pas të gjejmë materialet e ndërtimit”, tha Emily Guerry, eksperte e historisë mesjetare evropiane në Universitetin e Kentit. Në një prononcim për CBS, ajo tha: “Në botën moderne, ne nuk ndërtojmë më si dikur”.

-Çatia dhe shigjeta e Notre Dame, e cila u dogj plotësisht në zjarrin e së hënës, ishin ndërtuar nga lisi antik. Kishte 13,000 trarë në tavanin e kishës dhe Guerry tha, se rreth 3,000 pemë duhen t’i zëvendësojnë ato. “Në Mesjetë ishte e mundur të gjeje sasi të mëdha të lisit të bukur e të fortë, por përdorimi në mënyrë të tepruar të materialit çoi në shkatërrimin e shumë pyjeve të dushkut të Evropës, Aftësia për të gjetur rreth 3.000 pemë lisi shumë të mëdha në dy dekadat e ardhshme do të jetë një punë e ndërlikuar” – shtoi ajo.

Guri gëlqeror i përdorur për të ndërtuar Katedralen Notre Dame ishte gërmuar dhe mbledhur me dorë, në shekullin e 12-të në Normandi.“Do të duhet një sistem krejtësisht i ri i nxjerrjes së gurit të njëjtë (me dorë) për të krijuar një efekt homogjen.

-“Rivendosja e dritareve të katedrales do të jetë një përpjekje jashtëzakonisht e vështirë dhe delikate, sepse nxehtësia do të deformojë çfarëdo lloj qelqi. Ne do të kemi nevojë të heqim një nga një të gjitha pjesët e qelqit, për t’i pastruar ato, për t’i ristrukturuar ato, për të plotësuar mangësitë, për të vlerësuar se çfarë ka humbur dhe pastaj për t’i rivendosur ato ku ishin”, tha Guerry. Rindërtimi i Notre Dame do të kërkojë rreth 40 vjet kohë dhe, nëse ne jemi shumë të shpejtë, ndoshta 20 vjet, por do të jetë një brez i tërë. Kjo do të jetë një përpjekje e madhe komunale.