Kryemadhi nga Pogradeci: Këta banorë nuk ekzistojnë për qeverinë!

348
Sigal

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi shkruan se vëmendja e qeverisë për banorët e Pogradecit është inekzistente. Kryemadhi premton se LSI së shpejti do të paraqesë një plan të qartë dhe të plotë për të ndihmuar fermerët dhe blegtorët. Monika Kryemadhi: “Nga Leshnica e Pogradecit ju uroj një ditë të mbarë! Lulet e mollës kanë çelur, por mollët e banorëve të zonës janë ende të pa shitura në dhomat e tyre. Vëmendja e qeverisë është inekzistente. Këta banorë nuk ekzistojnë për qeverinë shqiptare, sepse janë të pa konsiderueshëm për të, edhe pse këta punojnë çdo ditë të vitit.

Sot bujqësia shqiptare, i jep prodhimit të brendshëm bruto, pra GDP-së shqiptare, 22% dhe vetëm 0.7% e këtij buxheti shkon në shërbim dhe në funksion apo dhe në ndihmesë të bujqësisë shqiptare. Ajo që të bën përshtypje, është që e gjithë bujqësia është jo vetëm e pa subvencionuar, por vëmendja e qeverisë shqiptare është inekzistente.

Qeveria është fokusuar vetëm në fasadën e saj, në imazhin e një Kryeministri në ikje dhe absolutisht nuk ka vëmendje ndaj blegtorisë, bujqësisë dhe pemëtarisë. LSI së shpejti do të paraqesë një plan të qartë dhe të plotë, për të ndihmuar fermerët dhe blegtorët.

Subvencioni do të jetë i drejtpërdrejtë te fermerët për çdo kokë bagëti, për çdo koshere bletësh, për çdo dynym toke të punuar, për çdo serë të ndërtuar, ku fermerët dhe blegtorët shqiptarë harxhonin më shumë kohë dhe para për të paraqitur dokumentet për të përfituar subvencionet e tyre. Ne do ta realizojmë këtë plan, sepse LSI-ja është ajo forcë që di ta mbajë fjalën, e ka mbajtur fjalën dhe do ta mbajë gjithmonë fjalën.”