Dy ditë pas incidenteve në Kuvend dhe deklaratës kundër opozitës, ambasadori amerikan tenton të qetësojë ujërat. Çfarë ndodhi në selitë e PD e LSI, debatet e ashpra dhe video që vuri në siklet diplomatin e SHBA-së
Vetëm 48 orë pasi ndezi edhe më tepër tensionet politike, kur reagoi ndaj incidenteve në Kuvend e jashtë tij pas zgjedhjes së kryeprokurores së re, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, bëri një hap pas. Kryediplomati amerikan në Shqipëri kërkoi takime të ndara me kryetarin demokrat, Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, duke vizituar selitë përkatëse të dy partive më të mëdha të opozitës. Delegacioni amerikan ka qëndruar më tepër se 1 orë me secilin nga politikanët, ndërsa është shfaqur miqësor në përshëndetjet finale me Bashën dhe Kryemadhin. Vetë ambasada amerikane nuk ka bërë komente zyrtare për takimet e ambasadorit, ndërsa nga PD dhe LSI kanë dalë dy deklarata të ashpra, që përsërisin qëndrimin kundër rrugës së zgjedhur nga mazhoranca për caktimin e kryeprokurores së re. Burime politike thanë se orët e qëndrimit në selitë e partive të opozitës nuk kanë qenë aspak të qeta për ambasadorin amerikan, i cili është vënë përballë akuzave të forta për mënyrën e veprimit të mazhorancës. Përfaqësuesit e opozitës kanë këmbëngulur në shkeljet e Kushtetutës dhe ligjeve në zgjedhjen e drejtuesit të organit të akuzës, duke nënvizuar se kritikat e tyre nuk lidhen personalisht me pasuesen e Adriatik Llallës, e cila nuk ka kaluar ende në procesin e vetingut. Gjithashtu, ndonëse me një fjalor më diplomatik, Basha dhe Kryemadhi kanë shprehur mospajtimin për disa pjesë të rëndësishme të deklaratës së ambasadës amerikane, pas ngjarjeve në Kuvend. Për këtë arsye, ambasadorit amerikan i është treguar edhe rasti i dhunës ndaj deputetes së LSI, Kejdi Mehmetaj, e cila u godit nga deputeti socialist, Bujar Çela, gjatë seancës plenare. Për të evituar një deklaratë të dytë për këtë incident, ambasada amerikane ka preferuar ta publikojë qëndrimin e saj nëpërmjet një prononcimi të zëdhënësit për një televizion, duke dënuar dhunën.
Takimet e ambasadorit Lu me Bashën dhe Kryemadhin vijnë, jo vetëm 2 ditë pas seancës së tensionuar në Kuvend, por edhe teksa opozita po shqyrton mënyrën e reagimit të mëtejshëm. PD dhe LSI kanë paralajmëruar protesta në javët e para të janarit, ndërsa ende mbetet për t’u përcaktuar qëndrimi i tyre ndaj Parlamentit. Një propozim i ish-kryeministrit Sali Berisha për djegien e mandateve të deputetëve ndodhet në tryezën e opozitës, krahas atyre për bojkot dhe bllokim të punimeve të Kuvendit. Avancimi i mëtejshëm i planit të opozitës për protesta dhe publikimi i të dhënave të tjera kompromentuese për përfaqësues të qeverisë, siç ka paralajmëruar Partia Demokratike, rrezikojnë ta ashpërsojnë edhe më tej krizën politike me nisjen e vitit të ardhshëm.




















