Maratona e Tiranës 2026 nuk do të zhvillohet këtë fundjavë, më 24 dhe 25 tetor, siç ishte planifikuar fillimisht. Organizatorët kanë njoftuar shtyrjen e aktivitetit sportiv për datat 14 dhe 15 nëntor 2026.
Vendimi është marrë në kushtet e zhvillimeve të fundit në vend dhe pamundësisë për të garantuar standardet e nevojshme të sigurisë për garuesit dhe spektatorët përgjatë itinerarit të garës.
Përmes një njoftimi, organizatorët kanë theksuar se siguria e pjesëmarrësve dhe e publikut mbetet përparësia kryesore, duke e cilësuar shtyrjen si një vendim të vështirë, por të domosdoshëm.
Regjistrimet mbeten të vlefshme
Pjesëmarrësit që janë regjistruar tashmë nuk do të kenë nevojë të kryejnë procedura të tjera, pasi regjistrimet dhe biletat do të mbeten automatikisht të vlefshme për datat e reja.
Gjithashtu, regjistrimet për maratonën do të vijojnë të jenë të hapura, ndërsa paketat dhe numrat e garuesve do të shpërndahen dy ditë përpara zhvillimit të garës.
Maratona e Tiranës është një prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive të kryeqytetit, duke mbledhur çdo vit vrapues nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Organizatorët synojnë që aktiviteti të zhvillohet në kushte të përshtatshme sigurie për të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët.






















