Kryeministri Edi Rama ka vendosur disa karrige të kuqe para godinës së Kryeministrisë, me mbishkrimin “Dialog”, në shenjë ftese për të rinjtë dhe protestuesit që të ulen për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend.
Nisma vjen në ditën e tetë të protestave të studentëve dhe të rinjve në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë. Përmes këtij veprimi simbolik, kreu i qeverisë ka përsëritur gatishmërinë për të zhvilluar bisedime me ata që kërkojnë të paraqesin shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
“Kush do dialog pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë, unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë”, është shprehur Rama, duke theksuar se nuk janë të mirëpritur në këtë proces personat që ushtrojnë dhunë dhe nuk distancohen prej saj.
Protestuesit: “Dorëheqje”, jo dialog
Vendosja e karrigeve nuk ka kaluar pa reagime nga protestuesit. Një prej tyre është afruar te karriget dhe ka shkruar fjalën “Dorëheqje” mbi letrën ku ishte vendosur mesazhi “Dialog”, duke përcjellë qëndrimin e një pjese të protestuesve ndaj ftesës së kryeministrit.
Protestat e ditëve të fundit kanë marrë një karakter më të gjerë, me të rinjtë që kanë ngritur shqetësime për arsimin, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes, ndërsa një pjesë e tyre kërkon largimin e Ramës nga detyra.
Mbetet për t’u parë nëse ftesa e kryeministrit do të pasohet nga një takim konkret me përfaqësuesit e protestës dhe nëse palët do të gjejnë një pikë të përbashkët për nisjen e dialogut.




















