Suplement Pena shqiptare/ Pranverë me këngë shkodrane

1126
Nga Ramazan ÇEKA
“Pranverë me këngë shkodrane”, titullohej koncerti me këngë qytetare që u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni”, duke sjellë bashkë me pranverën, bashkë me aromën e luleve të këtij qyteti të mrekullueshëm edhe interpretimet e këngës së pavdekshme shkodrane, e asaj kënge që prej qindra vitesh jeton dhe bëhet gjithmonë e më e bukur, si një lule që sa herë vjen pranvera çel dhe shpërthen, duke sjellë aromën e oborreve, bahçeve, kopshteve dhe livadheve të këtij qyteti kaq të mrekullueshëm. Kështu erdhi edhe këtë pranverë kënga shkodrane, si një trëndafil që përtërihet, zbukurohet dhe bëhet një buqetë pranverore, dhuratë për qytetin ku ka lindur. Këto që po shkruaj nuk janë elozhe për këngët dhe lulet shkodrane që i njohin të gjithë, por janë lëvdatat që meritojnë ata të cilët nëpërmjet këngës dhe zërit të tyre të mrekullueshëm sjellin gjithmonë në Shkodër pranverën. Kështu solli edhe këtë mars pranveror aromën e kësaj stine grupi i muzikantëve dhe këngëtarëve shkodranë që u ngjit në skenë si buqetë me gonxhe dhe trëndafila. Koncerti u hap me këngën “Pranvera filloj me ardhë” interpretuar nga dy grupe këngëtarësh të rinj, të cilët gjatë gjithë koncertit shoqëruan këngëtarët që ishin pjesëmarrës. Për kënaqësinë e tyre po shkruaj emrat e këtij ansambli këngëtarësh të mrekullueshëm që performuan në tempullin e Teatrit “Migjeni” të mëdhenjtë: Bujar Qamili, Mukades Çanga, Vjoleta Zefi, Luigj Alia, Hajro Pepa, Leonora Çuliqi, pasardhësit e tyre, Orjeta Kelaj, Blerta Cina, Rezarta Smaja, Indrit Mlika, Leonard Guga, Ardian Tanushi dhe më pas i dhanë një aromë të mrekullueshme skenës zërat më të rinj: Ilsi Ademi, Niki Mjeda, Laorjan Ejlli, Riad Bashi, Klodiana Vata, Ylber Tahiri, Xhuli Pjetraj, Ademir Fresku, Artemisa Mithi dhe Marjana Begu. Publiku shkodran, gjithmonë i pasionuar pas këngës së qytetit të vet, për dy net me radhë mbushi sallën e teatrit i entuziazmuar, por edhe me falënderime të mëdha për organizatorët që duhen lavdëruar për këtë punë të madhe që kanë bërë. Ata janë Bashkia e Shkodrës dhe Teatri “Migjeni”, të cilët me bashkëpunimet e tyre i sjellin qytetit një gjallëri artistike që ndoshta kishte kohë që i mungonte. Koncerti “Pranverë me këngë” është pra kështu një aktivitet që pason festivalin “Luleborë”, meritë e Bashkisë së Shkodrës, të performuar në dhjetorin e vitit të kaluar, të rikthyer pas 30 viteve me krijime dhe interpretime të reja. Duke u rikthyer te ky aktivitet kaq i bukur dhe kaq i mirëpritur nga shkodranët, duhet të nënvizojmë se, të organizosh një koncert të tillë, aq më shumë në Shkodër nuk është e lehtë. Këto net në skenën e Teatrit “Migjeni” këta spektatorë të mrekullueshëm kërkojnë t’i përjetojnë si net magjike. Për të arritur atë që kërkojnë ata janë përgatitjet e mëdha që bën grupi i këngëtarëve, muzikantëve, orkestruesëve dhe orkestrës në skenë, të drejtuar nga maestro Ilir Zoga, nën kujdesin e drejtoreshës së Teatrit “Migjeni” znj. Rita Gjeka. Emocionet janë të mëdha. Emocione ka edhe këngëtari më i ri, por edhe më të njohurit, emocione ka edhe Bujar Qamili, por edhe këngëtarja e re Niki Mjeda, emocione ka edhe Vjoleta Zefi, por emocione ka edhe këngëtarja e re Klodiana Vata. Emocione kanë të gjithë, sepse me performancat e tyre sollën këtë pranverë aromën e këngës shkodrane në një format të veçantë, ku ndërthurja e interpretimeve të këngëtarëve të vjetër dhe të rinj, ngjasonte me një bahçe të mbushur me lule dhe me gonxhe. Për dy net me radhë këto lule dhe gonxhe shpërthyen dhe i dhanë aromën e këngës shkodrane, jo vetëm sallës, por gjithë qytetit. Si një bahçevane profesioniste doli në këtë skenë për të përkëdhelur dhe prezantuar, për t’i prekur dorë për dorë këto lule pranverore të këngës, prezantuesja, por dhe regjisorja e këtij spektakli, aktorja e mirënjohur Merita Smaja, e cila me aftësitë e saja dhe me dashurinë që ka për qytetin e Shkodrës, transmetoi në sallë vlerat e këtij aktiviteti, por dhe të secilit nga interpretuesit. Ishin 24 këngë në këtë buqetë që u përformuan dy net me radhë, por që vijnë në qytetin e Shkodrës për të dytin vit radhazi, tashmë si një kërkesë e publikut, por dhe si një mundësi për të krijuar një traditë në qytetin ku gjithmonë janë kënduar këngë për lulet, për pranverën dhe dashurinë. Ky pra është qyteti ku të gjithë këndojnë, kjo pra ishte salla ku të gjitha këngët që u përformuan, u kënduan dhe u duartrokitën, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme, si një festë a si një dasmë që vetëm shkodranët dinë ta gëzojnë së bashku. Për të realizuar këtë shfaqje, këtë koncert kaq të mirëpritur të këngës popullore qytetare shkodrane, duhet lavdëruar përkujdesja e Bashkisë së Shkodrës, por duhet të evidentohet përkushtimi i znj. Bruna Keçi (Lleshi), që mbulon sektorin e kulturës dhe puna e palodhur e drejtuesit artistik të këtij koncerti z.Ilir Zoga që tanimë mund të themi pa frikë se është një nga profesionistët që mban gjallë çdo vlerë të traditës që qyteti i Shkodrës ka ruajtur dhe kultivuar në shekuj. Maostro Ilir Zoga kishte zgjedhur repertorin nga perlat e këngëve. “Pranverë me këngë” solli pra kështu në Shkodër këngët dhe zërat e kësaj stine kaq të bukur, e cila është e veçantë në këtë qytet, sepse lidhet me festa dhe rite shumë të lashta, të cilat shquhen pikërisht për festimet e tyre me këngë, valle e gosti tradicionale. Shfaqje dhe koncerte të tilla, Shkodra i ka pasur gjithmonë traditë brez pas brezi. Edhe kur nuk janë organizuar në institucione, kanë qenë festa popullore, të cilat kanë lënë pas emra të shquar që nga ahengxhinjtë e vjetër shkodranë, e deri te artistët e shquar Bik Ndoja e Shyqyri Alushi, për të ardhur deri në ditët tona, me një brez të mrekullueshëm këngëtarësh, duke treguar kështu se pranvera e këngës shkodrane do të jetë e përjetshme si vetë pranvera. Në mungesë të të madhit Bik Ndoja, “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili interpretoi një jare shkodrane, “Nji kllef me ar’ ta çova” dhe më pas këngën “Kur të pash moj lule”, i cili duke ngritur publikun në këmbë, tregoi kështu se Jaret Shkodrane gjithmonë kanë dhe do të kenë trashëgimtar për interpretimin e tyre. Koncerti u mbyll me një potpuri shkodrane: “Luleborë”, “Si dukat i vogël je” dhe “S’ka ma t’bukur se pranvera”, ku përveç 24 këngëtarëve që këndonin të gjithë së bashku, dëgjohej fuqishëm edhe zëri i publikut në sallë, i cili i shoqëroi ata deri në fund të spektaklit. 
Sigal