Viron Bezhani/Lojërat Mesdhetare, mundësia për të ndryshuar imazh

463
Sigal

Sporti shqiptar do të vihet shumë shpejt përballë një tjetër provimi të vështirë dhe ato janë Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, një veprimtari që vjen gati një vit pas përfundimit të Lojërave Oimpike “Londër 2012”. Këto të fundit nuk lanë një shije fort të mirë në radhët e delegacionit olimpik shqiptar, një Olimpiadë e mbushur edhe me skandale dopingu apo rezultate jo të kënaqshme. Për pasojë, ardhja kaq shpejt e Lojërave Mesdhetare është një shans i mirë, një mundësi për sportin shqiptar që të tregojë se ka ndërruar faqe dhe se shpejt kërkon të shohë nga e ardhmja, duke harruar atë të kaluar të trishtueshme të një viti më parë. Natyrisht që Olimpiada britanike ka historinë e saj, e cila e mirë apo e dhimbshme do të mbesë e tillë. Ndaj na takon ne që të bëjmë të mundur që anën e saj negative ta fshijmë sa më shpejt dhe të shohim me optimizëm përpara. E rëndësishme për të gjithë ne e vëçanërisht për sportistët është që të nxjerrim mësime nga ajo veprimtari, në mënyrë që të shohim përpara, duke qëndruar më këmbët në tokë dhe jo të fantazojmë. Dhe ja ku në derë na troket një tjetër veprimtari po kaq e rëndësishme për ne shqiptarët, ku tradicionalisht kemi bërë një paraqitje të mirë në Lojërat Mesdhetare. Për pasojë, duhet të përgatitemi që edhe nga kjo veprimtari të dimë si të korrim rezultate të mira, të marrim maksimumin e mundshëm, të fitojmë medalje. Natyrisht që Mesdhetaret nuk kanë rëndësinë e Olimpiadës, por ajo mbetet një veprimtari e fortë për sa i përket konkurrencës, grintës sportive dhes synimeve që në si shtet kemi. Shanset për medalje janë të mira, ndaj dhe puna që duhet bërë nga çdo sportist do të jetë e madhe për t’i vënë vetes objektiva madhorë dhe konkretë, për t’u ballafaquar denjësisht me çdo kundërshtar. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka marrë prej kohësh të gjitha masat që në këtë turne të mos shkojë për pushime, por t’u japë mundësi sportistëve më të mirë shqiptarë të konkurrojnë denjësisht me rivalët e tyre. Për këtë arsye, ndryshe nga 4 vite më parë, janë përzgjedhur vetëm elementët më të mirë, ata të perspektivës dhe që premtojnë realisht të hyjnë në zonën e medaljeve apo që mund të konkurrojnë për atë zonë. Të gjithë sportistët e trajnerët duhet të bëjnë përgatitjet e duhura, të garojnë me objektiva të qartë dhe të bindur se mund t’ia dalin mbanë, në mënyrë që Lojërat Mesdhetare të mos jenë një dështim. Përgatitja që KOKSH-i po bën për këtë ekip mesdhetar do të jetë një trampolinë e mirë për Lojërat e ardhshme Olimpike, që do të zhvillohen në vitin 2016 në Rio de Zhaneiro. Por ashtu si gjithnjë, ajo që mungon dhe që shihet si problematike është mbështetja e shtetit shqiptar, që sërish nuk lëviz për të treguar se është pranë sportit, por e ka lënë mënjanë atë. Vetëm fjalë pa fund dhe asnjë mbështetje financiare, a thua se këta sportistë do të përfaqësojnë vetëm veten e tyre në Lojërat Mesdhetare dhe jo shtetin shqiptar, flamurin kuqezi. Dhe në fund, kur të vijnë me medalje nga Turqia, përfaqësuesit e MTKRS-së do të jenë të parët që do të vrapojnë në aeroport për t’i pritur, por për fat të mirë kjo drejtori sporti dhe kjo Ministri nuk do të jetë më në pushtet. Sportistët dhe trajnerët nuk kanë nevojë për fjalë, por për mbështetje konkrete. Për këtë arsye Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka ndërmarrë me kohë të gjitha masat paraprake dhe ka bërë përgatitjet e duhura që Shqipëria të ketë objektiva të qartë dhe një pritshmëri të mirë në Lojërat Mesdhetare. Dhe shanset për medalje si dhe për të lënë një imazh të mirë janë reale, pasi konkurrohet në një veprimtari ku presioni është më i ulët dhe natyrisht edhe rivaliteti më i vogël. Ndaj çdo sportist duhet ta ndjejë vetën të aftë dhe të qetë se do të garojë për të treguar vlerat e tij, për flamurin kuqezi. Në këtë veprimtari nuk do të jenë emocionet e një Olimpiade, ndërkohë që historia ka treguar gjithnjë se Shqipëria ka ditur të dalë fitimtare nga Mesdhetaret. Ndaj dhe sporti shqiptar duhet të vijojë këtë traditë pse jo edhe ta përmirësojë atë. Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” janë në derë, ato po trokasin dhe ne duhet të jemi gati, për të treguar se edhe pse mes vështirësish sporti shqiptar di të mbijetojë dhe të jetë aty mes vendeve të tjera.

 * Shef i Misionit Shqiptar në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”