Tripletë në merkato, te Teuta shpresojnë të përsërisin vitin 1994

53
Drejtuesit e Teutës vazhdojnë të jetë mjaft aktivë në merkato, duke afruar lojtarë cilësorë që do të jenë nën urdhrat e trajnerit Magani sezonin e ardhshëm futbollistik. Me afrimin e tyre synohet që durrsakët të konkurrojnë për vendet e para të klasifikimit dhe të sigurojnë një vend në Kupat e Europës.
Dje në ambientet e klubit janë prezantuar dy nigerianët Oluasina Sunday dhe sulmuesi Onyeka. Gjithashtu ka zyrtarizuar kalimin e tij te Teuta edhe ishmesfushori i Kukësit kampionatin e kaluar, Nijaz Lena. Por, nuk mbyllet kështu, pasi në seancën e djeshme stërvitore janë shfaqur edhe portieri Shpëtim Moçka, si dhe serboboshnjaku Tarik, i cili është rikthyer te skuadra e Teutës. Para fillimit të seancës së djeshme stërvitore, zv.presidenti i durrsakëve, Ardian Bardhi, ka folur para ekipit. “Ja ku jemi sërish të gjithë bashkë, kështu grup dua t’ju shoh gjithmonë. Nëse luajmë me zemër dhe jemi një skuadër e vërtetë, do jemi Teuta që duam. Unë di të them që barazimi do të jetë humbje për ne. Duhet të futeni në fushë për të fituar dhe të rrezikojmë gjithçka për gjithçka”, ishin fjalët e Bardhit. Ky i fundit, në deklaratën e dhënë për “SuperSport”, ka shpalosur edhe objektivat e ekipit.
“Teuta këtë vit është ndërtuar të mos jetë më një skuadër që lufton për të qëndruar në Superiore, por pse jo të llogaritet mes pretendenteve për titull. Për herë të fundit e kemi fituar titullin kampion në vitin 1994 dhe shpresojmë që këtë vit ta përsërisim 1994. Grupi besoj se është i plotësuar me afrimet e lojtarëve si Lena apo Mocka. Skuadra deri tani ka shfaqur dëshirë dhe në stërvitje për objektiva të rëndësishëm dhe lojtarët janë përshtatur mirë me njëritjetrin, megjithatë ka ende kohë deri në mbylljen e merkatos, kështu që nuk është për t’u përjashtuar afrimi i ndonjë futbollisti të ri”, ishin fjalët e Bardhit.
Ndërkohë trajneri Magani u ka kërkuar lojtarëve përqendrim gjatë seancave stërvitore. “Dua përqendrim nga të gjithë. Nëse nuk jeni në formë, nuk më vjen aspak keq që t’ua them në sy të gjithëve një gjë të tillë. Kemi bërë disa ndryshime, por që lojtarët që kanë ardhur janë në një nivel ndoshta dhe më të lartë. Duhet të tregojmë që dimë të luajmë dhe të marrim rezultatet tona”, ishin fjalët e trajnerit para grupit. Ndërkohë lojtari i prezantuar dje, Sunday, në një prononcim për gazetën, u shpreh: Jam i lumtur që ndodhem këtu dhe kam dëgjuar shumë për Teutën. Kam pyetur shokët e mi që kanë luajtur në Shqipëri.
Kam folur me presidentin dhe më ka treguar rreth projektit që ka ekipi. Nuk mund të refuzoja, pasi të luash në Europë është ndryshe nga Afrika. Do të tregoj se çfarë di të bëj në stërvitje dhe në ndeshjet që do të luaj”. Në të njëjtën linjë me të është edhe sulmuesi Onyeka, i cili ka thënë: “Firma ime me Teutën ka ardhur pas bisedave që kam pasur me drejtuesit. Të them të drejtën, kampionatin shqiptar nuk e njoh shumë mirë, por dua të provoj diçka ndryshe. Kam luajtur në Kategorinë e Dytë portugeze dhe kam mësuar shumë nga ai kampionat. Tani është koha të kem një eksperiencë tjetër”.