Tre raste ku teknologjia nuk reagoi, u tregua “memece” me Skënderbeun!

211
Nga Agron KAJA
KOMENT/ Në ndeshjen e së enjtes në “Elbasan Arena”, risia e re e UEFA-s doli blof me kronikën e lojës
Në ndeshjen e ditës së enjte në “Elbasan Arena”, lajmi se ishte vendosur teknologjia e vijës së fundit, u duk si një risi, e cila për Shqipërinë duket si diçka e pamundur aktualisht. Dhe gjithkush që e ka ndjekur këtë ndeshje, gjatë zhvillimit të saj ndoshta edhe e kishte menduar se do të shikonin de fakto këtë risi, për të bërë edhe dallimin e gabimeve njerëzore. Por kjo nuk ndodhi, edhe pse misioni ishte që të vihej në zbatim. Dështoi, u fsheh, apo diçka tjetër, këtë natyrisht që e ka UEFA detyrë që ta qartësojë, por duke iu referuar kronikës së ndeshjes, minimalisht në tre raste, kjo teknologji duhej të vihej në funksion. Sepse, të gabosh një herë, mund të jetë rastësi dhe gabimi quhet njerëzor, por kur gabimi përsëritet disa herë, tre të tilla në rastin konkret, dhe dëmtohet një ekip në lojë, sigurisht që nuk i shërben ritmikës, dhe nga ana psikologjike e dëmton skuadrën që e penalizon. Nëse për Skënderbeun nuk është e para herë që i ndodhin gjëra të tilla në ndeshjet në Evropë, kjo mundet t’i referohet edhe fatit të keq, por në “Elbasan Arena” ditën e enjte, arbitri holandez kaloi nga gabimi në gabim, dhe këtë UEFA nuk duhet ta falë. Le të kujtojmë se, më parë në ndeshjen “play off” ndaj Dinamos së Zagrebit, Liridon Latifit iu mohua një gol i rregullt, të cilin teknologjia nuk e mori në shqyrtim. Duke qëndruar te ndeshja Skënderbeu-Jang Bojs, 1-1, gjyqtari Blum i mohoi korçarëve një penallti të rregullt, pasi topi u prek me dorë në zonë nga mbrojtësi Von Bergen, ndërsa rastet e dyshimta në zonën e Jang Bojsit ishin tre. Sa ndikuan këto te skuadrat? Për Skënderbeun ka ndikuar negativisht në psikologjinë e vazhdimit të lojës, ndërsa për zviceranët pozitivisht, pasi me këtë suport shkuan drejt golit të barazimit. Sepse, nëse një nga tre rastet e pa dhëna do të ishte dhënë nga arbitri, loja do të kishte marrë tjetër rrjedhë, dhe rezultati nuk do të ishte i tillë, barazim. Duke reflektuar vetëm në këtë rast, nuk kuptohet nga shqiptarët zyrtarët e futbollit se, përse erdhi teknologjia në “Elbasan Arena”?! Sepse për këtë ndeshje, nga UEFA nuk u ritransmetuan rastet që përmendëm më sipër, e të tjera të dyshimta gjatë gjithë lojës, diçka që nuk ndodh në ndeshje të këtyre niveleve. Nga UEFA u transmetua vetëm prekja e topit me dorë nga ana e Von Bergenit në minutën e 25-të, dhe ky pas pesë apo gjashtë minutave. Të gjitha këto, realisht ndikuan në ritmikën e takimit, duke e dëmtuar Skënderbeun në moral, në rezultat, madje dhe në financa, pasi nga ky barazim, korçarët nuk mund të marrin 260 mijë eurot e fitores.
Dështoi, u fsheh, apo diçka tjetër, këtë natyrisht që e ka UEFA detyrë që ta qartësojë, por duke iu referuar kronikës së ndeshjes, minimalisht në tre raste, kjo teknologji duhej të vihej në funksion