Sulmuesi brazilian Andre Luis transferohet tek Skënderbeu

Skënderbeu kishte paralajmëruar prej javësh një goditje të rëndësishme në merkato, dhe kjo goditje erdhi vetëm pak ditë nga mbyllja zyrtare e këtij sesioni të shitblerjeve. Klubi kampion i vendit ka mbyllur marrëveshjen për transferimin e sulmuesit brazilian Andre Luis Leite në qytetin e Korçës.
Karriera e djaloshit të rritur në San Paolo është e pasur, ku pasi u zhvillua si futbollist në klubin e njohur brazilian të Cruzeiros, arriti që të ishte pjesë edhe e skuadrës së parë. Në fakt ka pasur mjaft luhatje në karrierë duke kaluar nga një tjetër klub i njohur si Gremio në kategoritë e ulëta të futbollit Brazilian. Së fundmi ai ishte pjesë e kampionatit tajlandez ku kontribuonte për klubin e Suphanburit dhe në 32 ndeshje të zhvilluara ka realizuar 16 gola.
Ai ka një fizik imponues ku përveç gjatësisë 1 m e 81 cm vlerësohet edhe për aftësitë teknike. 29 vjeçari Andre Leite duket se është projektuar si zëvendësuesi ideal i Peter Olanikës, i cili u largua në fillim të këtij muaji drejt belgve të Gentit. Kontrata që braziliani do të nënshkruajë me bardhekuqtë do të përfundojë në fund të edicionit tjetër me opsion rinovimi nëse paraqitjet e tij do të jenë në nivelet e kërkuara nga stafi teknik dhe drejtuesit. Ai pritet të jetë partneri i Hamdi Salihit në repartin e avancuar. Me këtë lëvizje Skënderbeu kompleton sulmin, pasi më parë siguroi shërbimet e Sebino Plakut.