Sukseset dhe dështimet e fazës së parë

764
Sigal

Nga totali i 91 ndeshjeve, 63 prej tyre u mbyllën me fitore. U shënuan 200 gola, 128 prej tyre nga vendasit

Faza e parë e sezonit 2012-2013 të Kategorisë Superiore, me 91 ndeshjet e saj, dhe me skemën e kampionatit për të dalë katër skuadra direkt pas përfundimit të edicionit, prodhoi jo pak surpriza, që nga kryesimi i qartë i Skënderbeut me një diferencë prej dhjetë pikësh nga vendi i dytë, performanca e mirë e Kukësit në vitin e parë si debutues në Superligë, por dhe dështime, duke nisur nga minikrizat e Tiranës, Vllaznisë e Flamurtarit, por dhe largimin e trajnerëve të dhjetë nga 14 skuadrat e Superligës. Gazeta “Telegraf” paraqet për lexuesit e saj një speciale, në lidhje me dështimet e fazës së parë.

KAMPIONI SKËNDERBEU – Kampion në fuqi dhe kampion i dimrit. Me dhjetë pikë më shumë se Teuta. Diferenca është e madhe. Në pamje të parë duket e paarritshme. Një skuadër interpretuese e shkëlqyer e fazës së parë. Asnjë humbje në 13 ndeshje, 33 pikë nga 39 të mundshmet. Suksesi durrsak nisi qysh në javën e parë, me atë fitore 3-1 në “Loro Boriçi”, kundër Vllaznisë. Fitorja e fundit është ajo me Kukësin, 2-0 në “Skënderbeu”. Korçarët janë në rrugë të mbarë për të fituar titullin e tretë rresht dhe të katërtin në historinë e tyre. Shifrat e fazës së parë janë entuziaste: 10 fitore, 3 barazime dhe 0 humbje, 35 pikë.

DOMINIMI I VENDASAVE – Ekipet vendase kanë dominuar shumicën e takimeve, teksa në 91 ndeshje, ata kanë fituar 44 të tilla, ose 48% të tyre. 28 ndeshje janë mbyllur në barazim, ose 31%, ndërkohë që ekipet udhëtuese kanë fituar 19 takime, ose 21% të tyre. Skënderbeu i ka fituar të gjashtë takimet e zhvilluara në Korçë, ndërkohë që të pathyer në shtëpi kanë dalë edhe Kukësi me Laçin. Luftëtari është ekipi më i dobët në ndeshjet e shtëpisë, pasi ka humbur katër nga gjashtë përballjet. Skënderbeu është dhe ekipi i vetëm që nuk ka humbur asnjë ndeshje në transfertë, duke fituar katër nga shtatë takimet, ndërkohë që skuadra më e dështuar jashtë shtëpisë është Tomori, beratasit kanë humbur pesë nga gjashtë ndeshjet. Interesant është fakti se, Laçi është “kampioni” i pjesëve të para të ndeshjeve. Nëse do të bëhej renditja vetëm këtë tregues, Laçi do të dilte me 23 pikë, pra po aq sa Skënderbeu.

SUPER JOSA – Absolutisht, më i miri nga 14 nga trajnerët e 14 skuadrave të Kategorisë Superiore. Mirel Josa trashëgoi një Skendërbe kampion, të përgatitur me mjeshtëri nga ish-trajneri çek, Stanislav Levi, por të dobët në Ligën e Kampioneve. Ballafaqimi i parë i Mirel Josës në stolin korçar (në fakt, e ka drejtuar edhe më parë Skënderbeun), nisi me finalen e humbur të Superkupës, pikërisht ndaj Tiranës në “Qemal Stafa”, kur tiranasi sapo e kishte marrë skuadrën.  Por, melodia e kampionatit ishte një tjetër histori. Suksesi. Josa i mposhti të gjithë kundërshtarët e mëdhenj: Shpëtim Duron te Vllaznia, Gentian Begenë te Teuta, Artur Lekbellon te Tirana dhe Hulian Rubion te Flamurtari.

BOMBERI PEJIÇ – Sulmuesi i Skënderbeut, kroati Pero Pejiç (mbushi 30 vjeç, më 28 nëntor), shënoi 10 gola në 13 ndeshjet (1163 minuta në total) e tij në fazën e parë, duke kryesuar edhe renditjen e golashënuesve të Kategorisë Superiore, për sezonin 2012-2013. Sulmuesi i “Ujqërve të dëborës” realizoi një tripletë (kundër Vllaznisë), dy dopjeta kundër Tiranës dhe Flamurtarit, dhe nga një gol ndaj Bylisit, Laçit dhe Teutës. (Sezonin e kaluar, Roland Dervishi i Shkumbinit realizoi pesë gola brenda një ndeshjeje të vetme, pikërisht në fitoren 6-2 të Shkumbinit ndaj Tomorit). Pas Pejiçit, i cili në Shqipëri ka luajtur edhe me Dinamon, Tiranën dhe Flamurtarin, renditet Migen Memelli (9 gola), ky i fundit e ka fituar “Këpucën e Artë” në sezonin 2008-2009, por me Tiranën. Në podium është dhe sulmuesi tjetër i Skënderbeut, Sebino Plaku, me gjashtë gola.

KOLONA ZERO – Pas 91 ndeshjeve, vetëm dy prej 14 skuadrave kanë nga një zero në kolonën e takimeve të tyre. Skënderbeu ka “zero” kolonën e humbjeve, në 13 takime, duke regjistruar 10 fitore dhe 3 barazime (me Besën, Tomorin dhe Bylisin). Tomori e ka shifrën “zero” në kolonën e fitoreve. Beratasit, në 13 ndeshje ka arritur gjashtë barazime dhe shtatë humbje. Skuadra e Tomorit, që gjatë këtyre 13 javëve u drejtua nga dy trajnerë, Kristaq Mile dhe Madrid Muzhai, ka pësuar më shumë gola se çdo ekip tjetër: 22, ndërkohë që ka dhe diferencën më të madhe negative të golave: -12.

“DRYNI” SHEHI – Është pa padyshim ajka e portierëve të Kategorisë Superiore, duke fituar edhe një “fletëthirrje” nga ish-trajneri i ekipit Kombëtar, kroati Josip Kuzhe dhe nga ai aktual, italiani Xhani De Biazi. Durrsaku 35-vjeçar ka mbrojtur gjatë karrierës së tij portat e Teutës, Vllaznisë, Partizanit, Besës dhe Skënderbeut. Dy sezonet e fundit e ndihmoi skuadrën e Skënderbeut të fitonte titujt kampion, ndërkohë që edhe këtë sezon mbetet një nga pikat më të forta: vetëm 5 gola të pësuar në 13 javë e bëjnë atë gardianin më të mirë të Superligës. Portieri i dytë që ka pësuar më pak gola është Ilion Lika i Tiranës, 9, edhe ky dikur një portier i Kombëtares.

SULMET E SKUADRAVE– Gjatë 91 ndeshjeve të fazës së parë u shënuan në total 200 gola, ose me një mesatare 2.2 gola në çdo 90 minuta lojë. Ekipet shtëpiake realizuan 128 gola, ose 1.41 gola për ndeshje, ndërsa ato udhëtuese, 72 gola pse 0.79 gola për ndeshje. Sulmin më efikas në 13 javët e para e pati Skënderbeu, që shënoi 24 gola. Golat për korçarët u realizuan nga Pero Pejiç (10), Sebino Plaku (6), Nuredin Orelesi (2), Zheljko Tomiç (2), Renato Arapi (1), Amarido Dimo (1), Sabien Lilaj (1). Ekipi i dytë më rezultativ, përsa u përket shënimit të golave, është Flamurtari i Vlorës (21 gola), i ndjekur nga Laçi (17). Më pak gola ka realizuar Shkumbini i Peqinit, vetëm 7 gola, pra 0.53 gola për ndeshje.

“POKERI” I RËNIES – Ky sezon ka një skemë “vrasëse”, pasi nga kategoria do të dalin direkt katër skuadra dhe nuk do të ketë ndeshje shtesë “play-off”-i. Nëse kampionati do të mbyllej në këtë moment, atëherë Shkumbini, Luftëtari, Apolonia dhe Tomori, të cilët renditen përkatësisht në vendet 11, 12, 13 dhe 14 do të binin nga Kategoria Superiore. Tomori, i vendit të fundit, ka grumbulluar 6 pikë, ose 27 pikë më pak se Skënderbeu i vendit të parë, për të njëjtin numër ndeshjesh. Me performancën që ka treguar deri tani skuadra beratase, rruga e saj drejt Kategorisë së Parë është e sigurt.

 

KOSOVË-SERBI – Shqipëria dhe Serbia nuk kanë një raport fqinjësie të afërt me njeri-tjetrin, kjo dhe për shkak të historisë së vështirë që kanë kaluar ndër shekuj. Futbolli duket se e ka “ëmbëlsuar” disi këtë raport të vështirë gjeopolitik. Madje këtë sezon, skuadra e Kukësit, që do të debutojë për herë të parë në në Superligë, ka në gjirin e saj dy futbollistë kosovarë: Besar Musolli dhe Yll Hoxha, ndërkohë që nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu do të jetë dhe serbi Milosh Jevdjeviç. Raportet futbollistike midis tyre janë të mira, por mbetet enigmë, se çfarë përjetojnë ata ndaj njëri-tjetrit në botën e tyre të brendshme.

STADIUME PA SHIKUES –Të vjen keq ta pranosh, por gjashtë klube të kampionatit maksimal shqiptar janë pezulluar në afate të ndryshme, për të luajtur pa shikues, apo dhe zhvilluar ndeshje në fushë asnjanëse. Tomori është ndëshkuar dy herë, fillimisht me katër ndeshje me vendimin e datës 29 gusht 2012, pra pas javës së parë Tomori-Tirana (0-1), por të zbutur deri në një ndeshje pas vendimit të Komisionit të Apelit, ndërkohë që me vendimin e datës 27 nëntor 2012, skuadra beratase u ndëshkua me tri ndeshje pa shikues (pas incidenteve në takimin Tomori-Shkumbini, java e 12-të). Në listën e ekipeve të ndëshkuara, për të zhvilluar ndeshje pa shikues janë dhe Vllaznia (1), Luftëtari (1), Skënderbeu (1), Kastrioti (1), dhe nga sezoni i kaluar, Kukësi (6). Besa e Kavajës ka marrë dhe ndëshkimin më të ashpër gjatë këtyre 12 javëve, pasi do t’i duhet të luajë gjashtë ndeshje në fushë asnjanëse.

DHUNA NË FUSHË – Thuajse ka qenë e pranishme në çdo stadium, pavarësisht përmasave të saj, ku shpesh ka qenë e formës virtuale me presione psikologjike, dhe në disa raste ka qenë edhe e formës konkrete fizike. Përsa u përket lojtarëve të pezulluar, janë jo pak, por 44 lojtarë nga të tri kategoritë që janë dënuar nga Komisioni i Disiplinës, ku 15 prej tyre janë nga Kategoria Superiore. Nuk mungojnë as përjashtimet përjetë të lojtarëve, për goditje të dhunshme ndaj gjyqtarëve të ndeshjes, ku katër janë të Gramozit (Ervis Peçi, Renato Saliko, Hyserion Shupe dhe Efiliano Liço) dhe një i Memaliajt (Donald Harizi).

PRESIDENTËT – Pragsezoni nisi me largimin si president të Skënderbetu, të Agim Zeqos (fitoi dy tituj me skuadrën korçare, u pasua nga Artan Take) dhe përfundoi me largimin si president nga Flamurtari, të kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika. Gjithsesi, ky i fundit deklaroi se financat e klubit janë të garantuara. Në lidhje me drejtuesit dhe zyrtarët e klubeve, Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar gjithsej 19 zyrtarë, nga të tri kategoritë, ku spikasin presidenti i Adës, Lazër Matija dhe ai Gramshit, kryebashkiaku Dritan Bici. Nuk mungon as presidenti i Kamzës, Naim Qarri.

RENDITJA

1    Skënderbeu      13   +19  33

2    Teuta           13   +3   23

3    Tirana          13   +5   22

4    Bylis           13   +6   21

5    Kukësi          13   +5   21

6    Laçi            13   +1   21

7    Flamurtari      13   +5   19

8    Vllaznia        13   +1   17

9    Besa            13   -2   16

10   Kastrioti       13   -7   15

11   Shkumbini       13   -7   12

12   Luftëtari       13   -6   11

13   Apolonia        13   -11  8

14   Tomori          13   -12  6

Saga e teknikëve, 24 trajnerë,

për 14 skuadra në 13 javë

 

 

Kategoria Superiore gjatë 13 javëve të para ka parë dhjetë bankina të ndryshuara apo të rindryshuara, ku vetëm në javën e parë dhanë dorëheqjen, u shkarkuan apo refuzuan kontratën tre trajnerë: Hulian Rubio (refuzim kontrate me Tiranën); Përparim Daiu (i dorëhequr nga Laçi) dhe Shkëlqim Muça ( i shkarkuar nga Flamurtari). Në javën e dytë u shkarkua trajneri i Teutës, Hasan Lika. Odiseja e shkarkimeve dhe largimeve vazhdoi me pas me Stavri Nicën, që u vetëlargua në mënyrë enigmatike nga drejtim i Laçit. Java e 8-të mund të konsiderohet edhë si kryejava e largimeve: tre të tillë, Artan Mërgjyshi nga Kastrioti, për të vazhduar me Nevil Deden nga Luftëtari, Artur Lekbello nga Tirana, dhe i fundit në radhë është Ernest Gjoka nga Apolonia. Odiseja vazhdon me Tomorin, kur vetëlargohet Kristaq Mile në javën e 9-të, dhe një javë më pas dha dorëheqjen edhe Gugash Magani i Shkumbinit. Pas javës së 11-të ishte radha e Agim Canajt. Gjithsesj në këto 11 javë janë 20 trajnerë në 10 skuadra që kanë ndryshuar. Vetëm 4 skuadra nuk i kanë ndryshuar trajnerët: Skënderbeu, Vllaznia, Kukësi dhe Besa. Gjithsej janë 24 trajnerë në 14 skuadra.

KATEGORIA SUPERIORE

SEZONI 2012-2013

LEVIZJET NË BANKINA

1. TIRANA

Hulian Rubio (java 1); Alban Tafaj (java 2-3); Artur Lekbello (nga java 4-8), Alban Tafaj (java 9);

2. LAÇI

Përparim Daiu (java 1); Stavri Nica (java 2-5), Ylber Zani (6-7), Ramadan Shehu (nga java 8).

3. FLAMURTARI

Shkëlqim Muça (java 1); Hulian Rubio (nga java 2).

4. TEUTA

Hasan Lika (java 1-2); Gentian Begeja (nga java 3)

5. KASTRIOTI

Artan Mërgjyshi (java 1-5), Shaban Dollaku (nga java 6)

6. LUFTËTARI

Nevil Dede (java 1-8), Edi Martini (nga java 9)

7. APOLONIA

Ernest Gjoka (java 1-8), Elidon Demiri (nga java 10)

8. TOMORI

Kristaq Mile (java 1-9), Madrid Muzhai (nga java 10)

9. SHKUMBINI

Gugash Magani (java 1-10), Kristaq Mile (nga java 11)

10. BYLIS

Agim Canaj (java 1-11), F.Xhafa-E.Egbo (nga java 12).

BANKINAT E PANDRYSHUARA

 

1. VLLAZNIA

Shpëtim Duro

2. SKËNDERBEU

Mirel Josa

3. KUKËSI

Armando Cungu

4. BESA

Ilir Daja

NDESHJET PA SHIKUES

KATEGORIA SUPERIORE

Vllaznia

Luftëtari

Skënderbeu

Kastrioti

Besa

Tomori (2 herë)

KATEGORIA E PARË

Ada

Butrinti

Gramshi

Himara

Naftëtari (2 herë)

Lushnja

Pogradeci

KATEGORIA E DYTË

Memaliaj

Erzeni

Këlcyra

Përmeti

Delvina

NDESHJE JASHTË FUSHE

Besa (6)

Naftëtari (8)