Skuadrat shqiptare vazhdojnë me “pit stop”-e në Evropë!

551
Nga Agron KAJA
FOKUS EVROPE/ Korçarët kualifikohen në turin e dytë eliminator në Evropa Ligë, Tirana e Partizani luajtën aventura shëtitëse 
Muaji korrik po rrokulliset me të nxehtin e tij, por që tradicionalisht mbetet i tillë edhe me futbollin dhe skuadrat tona elitare, pasi kanë bërë “shkrythjen” në Evropë me dhe pa shkëlqim, do t’i drejtohen fazave përgatitore të shoqëruara me merkaton e futbollistëve e trajnerëve. Në këtë dhjetëditor të parë të këtij muaji, janë mbyllur gjashtë takimet e para të ndeshjeve që skuadrat tona luajtën në turin e parë eliminator të Evropa Ligë dhe bilanci është, si zakonisht, negativ. Dhe, duke dashur të hyjmë në korridoret e futbollit evropian për sezonin 2017-2018, ku tre skuadrat shqiptare të futbollit prezantuan gjithçka që kishin, me rezultatet që arritën, që në fillim duhet thënë se, nuk kemi ndryshuar aspak në formë e në përmbajtje, të paktën krahasuar me sezonin e kaluar. Me këto rezultate, duhet kuptuar fakti se, edhe në këtë sezon, si zakonisht në 52 vitet që marrim pjesë me skuadra në kompeticionet evropiane, Evropa na “mundi” që në start. Duke përjashtuar skuadrën e Skënderbeut që na shpëtoi nderin kombëtar në këtë kompeticion, dy skuadrat e tjera, Tirana e Partizani, na “hipotekuan” ato “certifikatat e pronësisë” të eliminimit. Kësisoj, me pjesëmarrjet e tyre amatore në Evropa Ligë, Partizani dhe Tirana dështuan. Për bardheblutë dështimi ka marrë rrugë, sepse skuadra tashmë ka zbritur në inferiore, ndërsa për Partizanin, dështimi ndoshta troket për vazhdimësinë. E thënë më qartë, këto dy skuadra dështuan, dhe në mesin e këtij dështimi, një reagim “inatçor” na vjen rrotull në mendimin, se tashmë jemi me “certifikatë pronësie” eliminimi. Pas shëtitjeve që ato bënë në katër ndeshje (përjashtuar dy fitoret e Skënderbeut), në korridoret e historisë së përfaqësimit të skuadrave tona në Evropë vazhdojnë dritë-hijet. Kësisoj e kemi të drejtën të bëjmë dallimin se kush ishim dhe kush jemi ne futbolli shqiptar në kompeticionet evropiane. Konstatimi është konkret kur shohim se skuadrat tona vetëm teorikisht kanë bërë ndryshime me paraqitjen e tyre në Evropë, por praktikisht jemi shumë larg nga ish-Evropa Lindore, jo më nga ajo Perëndimore. Mjafton që të sjellësh në kujtesë rezultate, qoftë edhe me një memorie të pjesshme, dhe do ta kuptosh lehtë se, klube të shteteve më të vegjël në madhësi gjeografike e në futboll nga Shqipëria, i kalojnë disa ture, ndërkohë që skuadrat tona të futbollit nuk kanë ditur, ndoshta edhe nuk kanë dashur që Evropës t’i marrin “frytet” e pjekura. Ky “nul” duhet zgjidhur, futbolli ka vite që e pret këtë ndryshim. Përndryshe, Evropës pas marrjes së Statusit Kandidat, po i drejtohemi me “frena dore” në aspektin sportiv, kryesisht në futboll. Sa e gjatë do të jetë kjo pritje? Ndoshta për Skënderbeun në Evropa Ligë, me rezerva edhe për Kukësin në Ligën e Kampioneve, do të vlejnë për mirë këto konstatime.
Skuadrat shqiptare eliminohen në këto ture, të cilët janë të denjë për Azerbajxhanin, Luksemburgun, Lihtehshteinin e Andorrën, dhe jo për Shqipërinë evropiane. Tirana e Partizani, na “hipotekuan” ato “certifikatat e pronësisë” të eliminimit
Ndeshjet/ Europa Ligë
Turi i parë eliminator
Takimet e para/ 28 qershor 2017 
Partizani-Botev Plodviv 1-3
Makabi Tel Aviv-Tirana 2-0
Skënderbeu-Sant Hullia 1-0
Takimet e kthimit/ 6 korrik 2017 
Botev Plodviv-Partizani 1-0
Tirana-Makabi Tel Aviv 0-3
Sant Hullia-Skënderbeu 0-5
Turi i dytë eliminator
Takimi i parë/ 13 korrik 2017 
Kairat Almaty-Skënderbeu 16:45
(Ndeshja luhet në orën lokale 20:45)
Treguesit në Europa Ligë
Morrën pjesë 3 skuadra
Skënderbeu, Partizani, Tirana
U luajtën 6 ndeshje
Fitore 2 ndeshje
Skënderbeu-S Hullia (1-0, 5-0)
Barazime 0 ndeshje
Humbje 4 ndeshje
Partizani-Botev P (1-3, 0-1)
Tirana-Makabi T Aviv (0-2, 0-3)
Shënuam 7 gola
Pësuam 9 gola
Kualifikohet vetëm Skënderbeu
Liga e Kampioneve
Turi i dytë eliminator
Takimi i parë/ 12 korrik 2017 
Sherif Tiraspol-Kukësi 19:00
KOMENT
Me këta racistë do të hyjë Shqipëria në Evropë?!
Thirrjet “Vriti, vriti shqiptarët!”, dhe “Shkelini shqiptarët!”, të cilat u kënduan në kor nga tifozët bullgarë gjatë ndeshjes Botev Plovdiv-Partizani, treguan se racizmi i bullgarëve ndaj shqiptarëve, është i së njëjtës logjikë si edhe i serbëve. Ndoshta këtu duhet që të ndërhyjë ajo Evropa e Bashkuar, sepse me këta albanofobë, nuk mund të bashkëjetohet në një rajon të trazuar. Ditën e enjte, tre skuadrat shqiptare luajtën takimet e dyta në turin e parë eliminator të UEFA Europa Ligë, dhe përpos rezultateve, një dukuri e zezë nxori përsëri krye në disa prej tyre. Konkretisht, racizmi doli sheshit në Bullgari, në ndeshjen e Partizanit me Botev Plodviv. Ultrasit e kuq që kishin shkuar për të ndjekur këtë ndeshje, nuk u lejuan në stadium nga policia vendase, me pretekstin se shmangeshin përplasjet me tifozët vendas. Gjithçka e pakuptimtë për futbollin, të ngjashme me luftën! Gjithsesi, mirë “miqtë” që nuk i presin siç është misioni i futbollit, po pse i fyejnë kur nuk janë aty? Në Shqipëri, ata nuk u fyen për racizëm, vetëm sportivisht si tifozeri. Këtu, ata pinë birra e bënë çfarë deshën, jashtë e brenda stadiumit, ndërsa tifozët e Partizanit nuk u lejuan në stadiumin e tyre. Bukëshkalë! Kjo nuk është lojë në misionin e futbollit, dhe racizmi i tyre, më shumë se çdo gjë, vjen erë të ndyrë fobie, që tregon se në këto shtete, të cilat bëjnë pjesë në Europë, ka ende “skorie” të mentaliteteve nga shekujt e kaluar. Atëherë, ka një pyetje: Çfarë kërkon Evropa më shumë nga shqiptarët që nuk i pranon në grupimin e saj? Se shqiptarët nuk janë terroristë në fusha e stadiume, e këtë e kanë treguar me zë e figurë kudo në Evropë e në Botë, ndërsa politikanët e Tiranës, zënë veshët e mbyllin sytë para këtij fakti kaq alarmant, sa mund të quhej edhe një fyerje e dinjitetit të Kombit tonë. Pse, me këta racistë do të hyjë në Evropë Shqipëria?! A.K
Sigal