Skënder Gega: “Sekreti i Shqipërisë, loja në grup”

98

Trajneri i Kombëtares U-21 analizon grupin tonë eliminator në Kampionatin Europian “Francë 2016”

Trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, regjistroi një fitore të bukur me skuadrën e tij, duke fituar 3-1 në Austri, suksesi i dytë jashtë fushe për eliminatoret e Euro 2015, pas atij me Hungarinë (2-0), duke grumbulluar kështu gjashtë pikë nga tetë ndeshjet e zhvilluara. Ish-mbrojtësi i Partizanit dhe i Kombëtares analizoi gjatë një interviste për “FSHF.tv”,  kundërshtarët e Shqipërisë në Grupin I të kualifikueseve të Kampionatit Europian “Francë 2016”, duke deklaruar se, pavarësisht kundërshtarëve më emër si Portugalia, Danimarka dhe Serbia, vendi ynë ka shanse reale të kapë të paktën vendin e tretë që të çon në “play-off”. “Sekreti i Shqipërisë është loja në grup, nëse do të do të jemi kompaktë dhe do të japim maksimumin, çdo gjë është e mundshme”. Shqipëria i nis eliminatoret në Portugali, takim që do të luhet më 7 shtator 2014, teksa ndeshjen e parë në shtëpi e ka kundër Danimarkës, takim që do të luhet në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit.

 – Gega, Shqipëria i njeh tashmë kundërshtarët e saj në eliminatoret e Kampionatit Europian: Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia. Cili është mendimi juaj?

– Kombëtarja ka rënë në një grup shumë, shumë të fortë. Kjo pritej, pasi ekipet e vazos së parë janë të gjitha të forta, si Anglia, Italia, Gjermania. Neve na ra Portugalia. Duke u nisur nga fakti që, grupi ynë përbehet nga pesë ekipe dhe dy kualifikohen direkt dhe vendi i tretë luan në “play-off”, besoj se shanset për ne janë të hapura, kështu që nuk duhet ta shohim me pesimizëm këtë grup.

– Çfarë duhet të kemi kujdes, në mënyrë që të marrim maksimumin nga eliminatoret?

– Problemi kryesor, ka të bëjë me faktin se, trajneri (De Biazi) është në edicionin e dytë që drejton Kombëtaren, kështu që besoj se është më afër mentalitetit shqiptar. E njeh mënyrën e lojës dhe grupin e lojtarëve. Me prurjet e reja, besoj se ekipi do të përforcohet. E rëndësishme është që, të luhet në vazhdimësi, dhe të luhet për të arritur qëllimin kryesor: kualifikimin ose hyrjen në “play-off”. Është shumë e rëndësishme për një ekip që, të mos ketë lënie pikësh në fushën tonë. Ne e kemi treguar se, në fushën tonë, pavarësisht nga niveli i kundërshtarëve kemi bërë ndeshje të mira, por në fund të fundit duhet të shohim më shumë për pikët.

– Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia, cilat janë më të vështirat?

– Sigurisht që, ndaj opinionin se dy ekipet e para janë më të vështira, por si profesionist duhet vlerësuar çdo ndeshje. Historia dhe eksperienca kanë treguar se, shumë ndeshje që duken të lehta jemi ndëshkuar, dhe shumë ndeshje që kanë qenë të vështira kemi kapur rezultat. E rëndësishme është që, të kemi objektiva dhe finalja është ajo që duhet të hymë tek ekipi i tretë i grupit.

– Mendoni se, kemi grupin e lojtarëve për ta përballuar me sukses këtë edicion?

– Në pamjen e jashtme, duke pasur Portugalinë, apo ndonjë ekip tjetër, duhet të themi se në letër jemi të barabartë. Megjithatë, sekreti i futbollit dhe i një ekipi është loja në grup. Shpeshherë kemi treguar në ndeshjen jashtë, por dhe në fushën tonë, në qoftë se luajmë me disiplinë, pasi ne taktikisht luajmë shumë mirë, dhe patjetër me mbështetjen e sportdashësve, mund të japim më tepër se ç’kemi. Gjithsesi, kemi përpara një punë të madhe për të bërë. Trajneri, besoj se, tani e di se sa mund të marrë prej secilit lojtar. Ai do të krijojë një strategji për çdo ndeshje dhe ndoshta për çdo ndeshje do të ketë një fizionomi tjetër.

 Bilanci në Europianë

 Bilanci i ndeshjeve të luajtura është 83 ndeshje, 12 fitore, 20 barazime dhe 51 humbje, 62 gola të shënuar, 154 të pësuar.

 Ndeshja e parë

 Më 29 qershor 1963, me një ndeshje të humbur 4-0 me Danimarkën, kur fillon dhe debutimi ndërkombëtar i Shqipërisë në Europë

KALENDARI I SHQIPËRISË

7 shtator 2014 (20.45)

Portugali–Shqipëri

11 tetor 2014 (20.45)

Shqipëri–Danimarkë

14 tetor 2014 (20:45)

Serbi–Shqipëri

29 mars 2015 (18.00)

Shqipëri–Armeni

4 shtator 2015 (20:45)

Danimarkë–Shqipëri

7 shtator 2015 (20.45)

Portugali–Shqipëri

8 tetor 2015 (20.45)

Shqipëri–Serbi

11 tetor 2015 (18.00)

Armeni–Shqipëri

Bilanci me kundërshtarët

Ekipi                   N    F     B    H

Portugalia           5     0     1     4

Danimarka          8     1     1     6

Jugosllavia* 5     0     1     4

Armenia              3     1     1     1

* Serbia

RENDITJET

NË FIFA

4     Portugalia    1219

20   Danimarka   907

29   Serbia    775

30   Armenia       771

55   Shqipëria     571

NE UEFA

2     Portugalia    1219

14   Danimarka   907

18   Serbia    775

19   Armenia       771

30   Shqipëria     571

 Miqësore luksi me Francën

 Pavarësisht se, Shqipëria nuk ra në një grup me më të fortët e kontinentit, të tillë si: Gjermania, Spanja, Italia apo Anglia, Kombëtarja jonë – e shortuar në grupin I – ka fatin të luajë dy ndeshje miqësore të garantuara me Francën, njërin prej tyre në vendin tonë. Kjo, pasi vendi organizator i finaleve i “Euro 2016” ndodhet “virtualisht” në grupin tonë. Ndeshjet nuk kanë efekt pikësh. Kështu, sipas idesë së “Javës së futbollit”, Franca do të luajë miqësore edhe me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë, skuadrat e tjera të grupit I.

Miqësoret e rivalëve

 Portugalia dhe Kristano Ronaldo “tmerrojnë” Shqipërinë

 Kundërshtarët e Shqipërisë në grupin I, për eliminatoret e Euro 2016 zbritën të mërkurën në fushë për ndeshjet miqësore, ku spikati fitorja e bujshme 5-1 e Portugalisë 5-1 ndaj Kamerunit. Përveç luzitanve fitore arriti edhe Serbia në Irlandë me rezultatin 2-1, ndërsa Danimarka e Armenia u ndalën në dy transferta të vështira. Danezët u detyruan të dorëzohen në fundin e pjesës së dytë të transfertës në Angli përballë “Tre Luanëve”. Me një gol të shënuar në minutën e 82-të nga Daniel Starixh, kombëtarja e drejtuar nga Roy Hodgson siguroi një fitore morali ndaj rivalëve nga Danimarka, të cilët zhvilluan një paraqitje pozitive, çka do të thotë se edhe Shqipëria nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj tyre. Disfatë regjistroi edhe Armenia, e cila udhëtoi drejt Krasnodarit për ndeshjen miqësore me Rusinë. Me dy gola në pjesën e parë, skuadra e Capellos i mbylli llogaritë e këtij takimi por vlen për t’u theksuar se gjatë 45 minutave të dyta armenët treguan një ritëm të kënaqshëm loje, duke hedhur edhe ata kandidaturën për një biletë drejt Francës pas 2 vitesh. Ndërkohë, Serbia zhvilloi një ndeshje pozitive në Irlandë. Pjesa e parë e takimit u mbyll në favor të vendasve që kaluan në avantazh në minutën e tetë me Shane Long, por gjatë fraksionit të dytë, ballkanasit treguan forcën e tyre duke barazuar fillimisht me autogolin e Xhejms Mekarti ndërsa në minutën e 60-të sulmuesi i Nantës që tashmë është shumë pranë Lazios, Filip Xhorxheviç firmosi rrjetën e fitores për miqtë.

MIQËSORET

SKUADRAT E GRUPIT I

Shqipëri-Maltë 2-0

Portugali-Kamerun 5-1

Angli-Danimarkë 1-0

Irlandë-Serbi 1-2

Rusi-Armeni 2-0

Duka: “Faleminderit Armend Dallku!”

 Armend Dallku nuk do të luajë më për kombëtaren shqiptare të futbollit. Lajmi është konfirmuar nga vetë futbollisti, i cili do të vazhdojë karrierën e tij vetëm me klubin ku luan. Armend Dallku, është një nga futbollistët më të spikatur të kombëtares, në dekadën e fundit. Ai ka qenë lojtar stabël, në formacionin e ekipit kombëtar. Dallku numëron 64 ndeshje të luajtura me fanellën e kombëtares, ku ka shënuar vetëm një gol, në fitoren 3-0 ndaj Maltës në 9 tetor të vitit 2008. Kontributi i tij, në skuadrën kuqezi është vlerësuar nga mediat dhe specialistët. Me të mësuar këtë lajm, për largimin e tij nga skuadra kombëtare e Shqipërisë, Presidenti Armand Duka është shprehur: “Të vjen keq, që largohet një lojtar me kaq kontribut në ekipin kombëtar. Unë do ta vlerësoja Dallkun, si futbollist dhe si njeri, për atë që ka dhënë në shërbim të skuadrës kombëtare. Dëshiroj ta falënderoj publikisht, për ç’ka ka dhënë dhe i uroj fat dhe suksese”- përfundon Presidenti i FSHF-së. Përshëndetje dhe vlerësime, ka marrë futbollisti i shquar, nga ana e stafit të Federatës Shqiptare të Futbollit, nga ekipi kombëtar dhe drejtuesit e tij. Të gjithë, i kanë uruar shëndet dhe suksese.

 Serbët presion Blaterit: “Anulo ndeshjet e Kosovës”

 Federata e Futbollit e Serbisë i ka dërguar një letër presidentit të FIFA-së, Sep Blatter. Serbët kërkojnë që ta anulojnë vendimin që Kosova të luaj miqësore, pasi nuk i ka respektuar modalitetet.

Serbët janë duke i bërë presion FIFA-s për të anulluar vendimin që Kosova të luaj miqësore, pasi Federata e Futbollit e Serbisë pretendon se Federata e Futbollit Kosovës nuk i është përmbajtur rregullave të caktuara nga FIFA. Serbët i kanë dërguar një letër proteste Presidentit të FIFA-s, Sep Blatter, duke pretenduar se Kosova ka lejuar të përdori simbolet shtetërore, himnin dhe simbolet e tjera. “Është e qartë se kemi prova që lojtarët vendës mbanin në fanellë emblemën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo është befasuese, duke e pasur parasysh se drejtuesit e ndeshjes është dashur ta vërenin këtë, në bazë të vendimit të marrë nga FIFA”, thuhet në ankesën e FSS-së