Rikthim i madh i Partizanit

74

Të kuqtë mbyllin merkaton verore, firmosin edhe Xhekson Eyinga Nna dhe nigeriani Sodje Onome

Partizani është rikthyer në Superligë me një fitore bindëse 2-0 kundër Kastriotit në Krujë. Dy gola të bukur nga Renato Hyshmeri dhe shqiptar nga Maqedonia, Erton Demiri, dy blerjet cilësore gjatë merkatos verore. Gjithsesi, ai që spikati më shumë ishte mesfushori kosovar, Mentor Mazrekaj. Kjo ishte fitorja e 10-të në 18 ndeshjes direkte me Laçin, për kampionat (3 barazime dhe 5 humbje). Fitorja ndaj Kastriotit ishte ajo me numër 824 në 1539 ndeshje qe ka zhvilluar në total Partizani, në 61 kampionate. Pas ndeshjeve të javës së parë, kampionati rikthehet në aksion, në datë 14 shtator, për shkak të impenjimeve të Kombëtares për ndeshjet me Slloveninë dhe Islandën. Trajneri Hasan Lika do t’i shërbejnë këto 12 ditë për të kualiduar skuadrën nga pikëpamja taktike, ndërkohë që blerjet e reja do të integrohen më mirë me ekipin. Ndeshja e radhës është sërish në transfertë. Partizani do të udhëtojë në Laç në javën e dytë, përpara se të luajë për herë të parë në kryeqytet kundër Bylisit në javën e tretë (18 shtator).

HAKMARRJA – Për Partizanin dhe trajnerin Hasan Lika, fitorja ndaj Kastriotit ishte dhe një lloj hakmarrje, pasi ishin krutanët që i rrëzuan 15 herë kampionët para katar sezonesh në Kategorinë e Parë, por edhe me ndihmën e anësorit Mali. Lika ishte i kënaqur me trepikëshin e parë sezonal, të arritur për më tepër në transfertë. “Është një fitore e rëndësishme për të gjithë. E nisëm mbarë, aty ku rrëshqitëm para katër sezonesh, ndaj ky triumf shijon dyfish. Megjithatë, në lojë kemi ende për të bërë, por duhet pranuar se e merituam plotësisht për atë çka dhamë në 90 minuta lojë”, – tha ai pas ndeshjes. Trajneri Lika e ka të qartë misionin: “Në idetë dhe projektet tona është që të renditemi në vendet që të çojnë në Europë. E kemi një detyrim për historinë dhe tifozerinë tonë. Ne jemi Partizani dhe dihet historia që ne mbartim, përpos asaj shkëputjeje që patëm në këto 4 vite. Ne duam që të tregojmë aftësitë tona. Në çdo ndeshje do futemi për të marrë maksimumin, pasi ky është mentaliteti ynë”, – theksoi Lika, që ka dalë nënkampion me Partizanin në sezonin 2006-2007.

MERKATO – Kamerunasi Xhekson Eyinga Nna është përforcimi i radhës për Partizanin. Ky është një tjetër lajm i mirë për të kuqtë pas atij starti mbresëlënës në Krujë, në ndeshjen e parë të Superiores ndaj Kastriotit, të cilën e fituan 2-0. Kamerunasi ka nënshkruar të shtunën në darkë për klubin kryeqytetas, përpara skadimit të afatit të merkatos verore. Lojtari luan në rolin e mbrojtësit dhe është aktivizuar në sezonet e fundit me skuadrën e Union Douala në Kamerun. Ai ka luajtur edhe me kombëtaret e vendit të tij, nga U-18 deri te kombëtarja e madhe. Po, të shtunën firmosi edhe nigeriani Sodje Onome. Me ardhjen e lojtarëve Onome dhe Nna merkatoja e kuqe konsiderohet e mbyllur.

Tirana dhe Laçi, asgjë të re nga “Qemal Stafa”

 Tirana dhe Laçi ofruan shumë pak emocione në “Qemal Stafa”, në një 90-minutësh pa gola dhe me të dyja skuadrat, që u janë gëzuar ndarjes së pikëve në ndeshjen hapëse. Bardheblutë, të cilët luajtën me një formacion të orës së fundit, shfaqën dëshirë të madhe për ta fituar takimin, por finalizimi la shumë për të dëshiruar dhe kur rastet ishin të favorshme. Sulmuesi Mirel Çota pati një rast ideal afër fundit të pjesës së parë për 24 herë kampionët e vendit, kur fitoi me zgjuarsi një top nga gabimi i mbrojtes kurbinase, por nuk e shfrytëzoi me saktësi. Portieri i Laçit, Edvan Bakaj bëri një superpritje përballë gjuajtjes së Peposhit në një moment tjetër. Trajneri i Laçit, Stavri Nica kishte ndërtuar një mbrojtje të pakalueshme, ndërkohë dy repartet e tjera nuk prodhuan rrezikshmërinë e nevojshme, për të sulmuar e befasuar Tiranën. Në minutën e 58-të ku Veliaj nga jashtë zone lëshoi një predhë por Caka reagoi në kohë, ndërsa Vucaj drithëroi Tiranën në minutën e 65-të. Dy qëndërmbrojtësit e Laçit, Stipe Buljan dhe Henri Ndreka, u treguan në lartësinë e detyrës, me fituesit e Kupës së Shqipërisë që bënë të pavlefshëm thuajse çdo sulm të Tiranës. Tirana e Nevil Dedes ka ende nevojë të punojë, për të koordinuar repartet, të cilët ishin shumë të shkëputura. Gjithsesi, trajneri i Tiranës u shpreh i kënaqur nga ajo që skuadra tregoi në fushë, duke e vendosur theksin te afrimet e orës së fundit që sipas tij nuk janë përshtatur ende me grupin.

Përfundimisht, Laçi doli më i fituar nga ballafaqimi me 24 herë kampionët, teksa kurbinasit do të presin në javën e dytë Partizanin, që shkëlqeu në Krujë kundër Kastriotit.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA I

Të shtunën, 31 gusht 2013

Vllaznia-Flamurtari  0-1

Teuta-Bylisi         2-1

Kastrioti-Partizani  0-2

Dje, 1 shtator 2013

Tirana-Laçi          0-0

Skënderbeu-Besa      1-0

Sot, 4 shtator 2013

Lushnja-Kukësi       17:00

RENDITJA

 1    Partizani       1    +2   3

2    Teuta           1    +1   3

3    Flamurtari      1    +1   3

4    Skënderbeu      1    +1   3

5    Laçi            1    +0   1

6    Tirana          1    +0   1

7    Kukësi          0    +0   0

8    Lushnja         0    +0   0

9    Bylis           1    -1   0

10   Besa            1    -1   0

11   Vllaznia        1    -1   0

12   Kastrioti       1    -2   0

 Skënderbeut i mjaftojnë dy minuta, për të mposhtur Besën

 Falë një goli të shpejtë të realizuar nga Gjergji Muzaka, Skënderbeu fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Besës, në ndeshjen hapëse të kampioneve të Shqipërisë. Një trepikësh i vuajtur i korçarëve, që vinin edhe pas një sezoni të gjatë dhe përgjithësisht të suksesshëm në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës. Formacioni i Mirel Josës e kërkoi me ngulm fitoren nga minuta e parë dhe deri tek e fundit, por 4 herë kampionëve u mjaftoi ai gol i mesfushorit tiranas, i realizuar në minutën e 2-të e që krijoi përshtypje e një goleade te Skënderbeut. Korçarët patën një mori rastesh, por pa i shfrytëzuar dot. Të dyja skuadrat i kanë luajtur 60 minuta lojë me nga 10 lojtarë. Pikërisht në minutën e 30-të, një dyluftim i ashpër me taka të ngritura mes Orelesit dhe Poçit, gjyqtari kryesor Sino nxjerr të kuqen për të dy, duke i larguar nga loja. Në javën e dytë, Skënderbeu do të udhëtojë në Vlorë, për t’u përballur me një Flamurtar modest në përbërje por, që fitoi 1-0 me Vllazninë në Shkodër. Rivaliteti midis këtyre skuadrave ka spikatur sidomos në katër kampionatet e fundit dhe ka prodhuar emocione pa fund, si në Vlorë ashtu dhe në Korçë.

 Sot, Lushnja-Kukësi

 Java e parë e Kategorisë Superiore do të mbyllet sot me ndeshjen Lushnja-Kukësi. Lushnjarët vijnë në këtë ballafaqim në “Roza Haxhiu” me statusin e kampiones së Kategorisë së Parë, ndërsa kuksianët si skuadra e vetme shqiptare që ka kaluar tre ture eliminatore në Europë, përkatësish në Ligën e Europës. Kukësi është një nga pretendentët kryesorë për të fituar titullin kammpion.

UEFA heton Trabzonsporin, Kukësi ëndërron Ligën e Europës

 Klubet turke Beshiktash dhe Fenerbahçe janë përjashtuar nga Gjykata e Arbitrazhit e UEFA-s nga Europa League, pasi faktet kanë treguar se të dy këto ekipe kanë trukuar ndeshje. Beshiktashi është përjashtuar nga Europa Ligë pas 24 orëve të kualifikimit të tyre në fazën e grupeve, pasi Gjykata e Arbitrazhit (CAS) mori vendim që ta largonte ekipin turk nga turneu. Trupi i qeverisë europiane ka larguar skuadrën turke nga garat evropiane, sepse ata kanë qenë të përfshirë në skandale të trukimeve të ndeshjeve. Nën hetim është edhe klubi i Trabzonsporit, i cili u kualifikua për në fazën në grupe pasi mundi dy herë Kukësin. Ka shumë gjasa që gjatë këtyre ditëve të ketë zhvillime të forta në kampin turk, pasi mediat vendëse dhe ato ndërkombëtare shtrojnë mundësinë që të penalizohen edhe dy klube të tjera turke për përfshirje në trukime, që në këtë rast do të ishin Gallatasaraji dhe Trabzonspori. Nëse ndodh kështu, atëherë Kukësi mund të fitojë të drejtën për të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës.