Ramiz Reka/ Nderim në 70 -vjetorin e lindjes për Halil Petrelën, një nga mjeshtrat e dorezave

724
Sigal

Rrëfen për “Telegraf”, Ramiz Reka, mjeshtër i boksit, shok dhe mik i Petrelës

 Kur njeriu nuk njeh moshë, nuk njeh as plakje. Mendoj se kjo shprehje i shkon përshtat mjeshtrit të sportit në boks, Halil Petrela. Me rastin e 70- vjetorit të lindjes, në këtë rast pikërisht sot, kampioni i viteve 60-të, specialisti, trajneri dhe fituesi i Kupës së Boksierit më të mirë në kampionatin  e fundit kombëtar të vitit 1963 feston ditëlindjen. Në  këtë kuadër, familja e Halil Petrelës organizon një banket (tavolinë të rrumbullakët) në ambientet e Hotel Mondial me figurat më në zë të boksit shqiptar në vite. Shokë e miq të dashur, të cilët kanë dhënë kontribute me vlera në fushën e veprimtarisë shoqërore e asaj sociale në këtë takim do ti linin dorezat njëri tjetrit duke  sjellë mbresa dhe kujtime jo vetëm për mjeshtrin Petrela, por edhe për atë plejadë sportistësh “të kuadratit magjik”që i dhanë këtij sporti sa burrëror e aq spektakolar, shkëlqimin  e kohës. Vetë protagonisti i kësaj tavoline të rrumbullakët ndihet i respektuar sepse marrin pjesë brezat e të kaluarës dhe të sotmes madje jo vetëm të boksit “Për mua-u shpreh ai- është një vlerësim dhe respekt që në këtë tavolinë, sa modeste aq edhe domethënëse do të marrin pjesë emra të mëdhenj si mjeshtri i mirënjohur 12 herë Kampion Kombëtar, Theodhor ‘Todi’ Janku  ‘grushti i hekurt’ si edhe mjeshtrat e dorezave Ahmet Golemi, Ramiz Reka, Ramiz Sadushi, Etem Ibrahimi, Selim Bardheti, Anastas Kobuzi etj., për të cilët duhet treguar më shumë respekt, përkujdesje dhe dashamirësi. Unë personalisht nuk e mendoj vetëm si një tavolinë urimi por si një tavolinë bisedash e debatesh për atë që na dhëmb më shumë, sportin”.

HISTORI SUKSESI

Po ti referohemi rezultateve të mjeshtrit Petrela, ai ka lënë gjurmë në zhvillimin dhe përsosjen e cilësisë sportive për boksin Kombëtar.  Halili zanafillën e tij me boksin e ka në vitin 1959 me moshën e pionierëve ku pikërisht hapat e para i mori nga mjeshtri i madh Ahmet Golemi dhe pastaj ishte mjeshtri tjetër  i madh Theodhor “Todi” Janku, 12 herë Kampion i vendit që e formoi dhe e lançoi si një boksier të nivelit të lartë, duke e rreshtuar edhe në ekipin tonë Kombëtar. E kështu shkallë-shkallë, Halili u bë kampion i të rinjve disa herë, deri edhe Kampion Kombëtar për të rritur në vitin 1963 duke e mbyllur karrierën e tij me këtë event shumë të lartë sportiv, pikërisht atëherë kur edhe boksi u ndërpre si sport nga sistemi i kohës. Sigurisht kjo ishte një dhimbje jo vetëm për ne boksierët por për të gjithë dashamirët e këtij sporti, por me ndryshimin e sistemit, Halili  duke qenë se kishte ruajtur pasionin dhe dëshirat për sportin, mori një ftesë nga drejtuesit e klubit “Tirana” që të bëhej trajner për grupmoshat e reja  dhe sigurisht që e pranoi këtë detyrë fisnike. Por më vonë për Halilin do të vinte një kërkesë që të jepte edhe kontributin e vet jo vetëm në fushën sportive por edhe në fushën diplomatike. Edhe aty do të vlerësohej për etiken e lartë qytetare dhe kulturën e gjerë që kishte dhe gjatë kësaj veprimtarie të tij shoqërore ka dhënë kontribute të çmueshme jo vetëm brenda vendit por edhe në stafe të përfaqësive tona diplomatike ku shkoi dhe punoi në  Romë ku ka lënë gjurmë dhe është vlerësuar me superlativa nga personalitete të shquara të kësaj fushe. Punën e nisur nga ai si trajner në klubin “Tirana” ia dorëzoi bashkë kolegëve të tij me kënaqësi pasi e dinte se kolegët ishin të formuar  me një bazë të shëndoshë metodike dhe  tekniko-taktike që mundësonte vazhdimin e trajnimit të brezave në sportin e boksit.

Familja Petrela

Halili rrjedh nga një familje me tradita të thella patriotike e me kulturë të gjerë sportive me shumë pjesëmarrës në sporte të ndryshme të vendit tonë siç mund të përmendim Gëzim Petrela, Bet Petrelen e shumë e shumë sportistë të tjerë të kësaj familje të gjerë. Por sigurisht ndikimin më të madh Halili e pati  nga familja e ngushtë ku u rrit dhe u edukua në frymën e dashamirësit të sporteve, prindit të shkëlqyeshëm Fadil Petrela dhe nën përkujdesjen e nënës së tij të shkëlqyer Xhumaje Petrela.

Halili më vonë do të martohej me Pranvera Casllin që merr një meritë të veçantë për ruajtjen dhe regjimin sportiv të tij, të dy bashkë edukuan dhe formuan dy djem të mrekullueshëm, Fatmirin dhe Redin, të cilët pasuan edhe pasionin  e babait të tyre duke ndjekur e zhvilluar sportet marciale (ndeshësve). Nuk kemi se si të mos përkujtojmë dhe vlerësojmë vëllezërit e Halilit, si Bujarin, Seitin Ylberin, të cilët e ndoqën hap pas hapi në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke qenë edhe ata vetë pasionantë, ndjekës dhe zhvillues të sporteve ndeshëse.

 

Halil Petrela në sytë e mjeshtrave më të mëdhenj të boksit

 

Mjeshtri i madh Ahmet Golemi

“Halil Petrela është shquar e përkushtuar maksimalisht për të marrë njohuritë e sakta të dyluftimit mbi bazën e të cilave u bë një boksier cilësor dhe i lakmueshëm për peshat e lehta. Halili shkallë- shkallë u përgatit në mënyrë të shkëlqyer dhe zotëronte cilësi të radha si shkathtësinë, shpejtësinë dhe forcën, të cilat e radhitën ndër boksierët cilësor të ekipit tonë kombëtar, duke bërë emër si një sportist me të dhëna të shkëlqyera, ku në vitin 1963, ai u vlerësua si boksieri më i mirë i Kampionatit Kombëtar të atij viti”.

Mjeshtri i madh Ramiz Reka

“Kontributi i Halil Petreles është i jashtëzakonshëm. Kur ne ishim të grumbulluar në ekipin Kombëtar për takimin dypalësh me ekipin e Koresë së Veriut, patëm rastin të stërviteshim së bashku dhe të bënim ndeshje dyluftuese në sparing, ku kishim se çfarë mesazhesh ti jepnim njëri tjetrit si në dyluftim ashtu edhe në përsosjen dhe këmbimin e mendimit tekniko-taktik me njëri tjetrit

Mjeshtri i madh Ali Kastrati një ndër pionierët e boksit shqiptar shprehet: “Halili kishte një vullnet të hekurt, i përkushtuar totalisht gjatë procesit mësimor-stërvitor, mbi të gjitha ishte mjaft serioz në zbatimin e regjimit ditor. Pikërisht për këtë, Halilin e rreshtuam në formacionin bazë të ekipit Kombëtar për takimin me koreanët. Ai kishte vlera të karakterit taktik, në përzgjedhjen e distancave të dy luftimit, sidomos në mënyrën e ndërtimit të sulmit dhe daljes prej tij pa u ndëshkuar. Halili do të mbetet në memorien historike të boksit tonë kombëtar.

 “Mjeshtri i Madh” Todi Janku

Boksieri im i dashur dhe shumë simpatik Halil Petrela, ishte një atlet i vërtetë në kuadratin e ringut, ai aplikonte shumë mirë goditjet finte dhe ato reale. Ishte mjaft ambicioz për të demonstruar në ring një nivel të lartë tekniko-taktik,që edhe ne boksierët e peshave më të rënda e kishim zili”.Gazeta “Telegraf” bashkohet me urimet për mjeshtrin Halil Petrela në këtë jubile!