Qiproja, makthi trepikësh i Xhanit

519
Sigal

Asnjë nga pesë teknikët e huaj nuk e ka humbur sfidën e parë zyrtare: pesë ndeshje, pesë barazime

Pas tri javësh, më 7 shtator 2012, do të jetë sfida e parë zyrtare e Xhani De Biazit në bankine e Shqipërisë, ajo kundër Qipros, e që përkon dhe me ndeshjen hapesë të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Ndeshja e fundit kundër Qipros ishte një miqësore e fituar 6-1 nga paraardhësi juaj, Josip Kuzhe, dy vjet më parë. E nisim me një bonus psikologjik jo të vogël. Xhani De Biazi dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë. Është një trajneri i regjur dhe e di shumë mirë sa vlejnë ato: “Statistikat nuk do të thonë shumë në futboll. Edhe me Moldavinë kishim fituar 17 vjet më parë, por ja që u ndamë në barazim të mërkurën mbrëma. Kundër Qipros do të luajmë në javën e parë të shtatorit (7) dhe atëherë thuajse të gjitha kampionatet kanë filluar. Pres të kem lojtarë më të mirë nga ana fizike. Dua ta fitoj ndeshjen kundër Qipros. Të gjithë jemi të përqendruar te ai takim. Edhe pse do të luajmë në shtëpi, pres një ndeshje të vështirë. Kemi diferenca të vogla me Qipron, por unë do të doja që kjo të përkthehej në tri pikë në shtëpi. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm”. Duke parë ndeshjet e para zyrtare të trajnerëve të huaj, në eliminatoret e Kampionateve Botërore apo Europiane, të paktën në pesë edicionet e fundit, Shqipëria e ka nisur shumë mirë, duke mos humbur asnjë nga takimet, madje statistika është shumë intriguese: pesë ndeshje, pesë barazime. “Ka qenë një Shqipëri tjetër në ato kohë, – shpjegon De Biazi, – të jeni të sigurt që, dhe unë do ta kaloj me sukses provën”.

XHUZEPE DOSENA – Trajneri italian e drejtoi Shqipërinë, në vetëm dy ndeshje zyrtare, përpara se ta braktiste atë, pas humbjes 4-1 me Rusinë në Vollograd. Në ndeshjen e parë të tij, për eliminatoret e Euro 2004, Dosena barazoi 1-1 me Zvicrën, më 12 tetor 2012, në “Qemal Stafa”. Turko-zvicerani Murat Jakin shënoi i pari në minutën e 37-të, ndërkohë që barazoi Edvin Murati me një gjuajtje shumë të bukur nga distanca në të 73’. Pra, Dosena e nisi me barazim.

HANS-PETER BRIGEL – Ndeshja e parë zyrtare e Brigelit është fitorja 3-1 kundër Rusisë, dhe i përket eliminatoreve të Euro 2004, ndërkohë që takimi i tij i parë në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2006, është fitorja madhështore 2-1 (4 shtator 2004) kundër Greqisë që vetëm disa muaj më parë ishte shpallur kampione e Europës (në Europianin portugez). Edvin Murati (2’) dhe Adrian Aliaj (11’, me një gjuajtje të lirë të mrekullueshme) e bënë të pavlefshme golin e nderit të grekut Janakopulos (39’).

OTO BARIÇ – Kroati vendosi një rekord, si trajneri më i moshuar në botë, kur 75-vjeçari mori bankinën e Shqiëprisë. Ndeshja e parë e “Oto Masimales” (nofka e tij) ishte barazimi 2-2 kundër Bjellorusisë, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2008, një ndeshje e luajtur në Minsk, më 2 shtator 2006. Skenari i sfidës është ky: Kalaçev shënoi qysh në minutën e 2-të për Bjellorusinë, ndërkohë që Skela barazoi në të 7’, me penallti; Romashenko i çoi sërish në avantazh vendasit në minutën e 24-t, ndërsa golin e barazimit për kuqezinjtë e realizoi Besnik Hasi, me një gjuajtje të lirë, në të 86’.

ARI HAN – Edhe holandezi pati fat në ndeshjen e tij të parë, madje kundër një Suedie prepotente, në gjirin e së cilës ishte edhe Zlatan Ibrahimoviç, një nga lojtarët më të shtrenjtë në botë, e që në atë kohë luante me Interin. Një 0-0 i fiksuar në “Qemal Stafa”, më 6 shtator 2008, gjatë së cilës heroi i kuqezinjve ishte një mbrojtje e tërë, përfshirë portierin Arjan Beqaj, por dhe kapitenin Altin Lala. Takimi ishte për eliminatoret e Botërorit 2010 dhe ai barazim në Tiranë, e nxori Suedinë jashtë finaleve të Afrikës së Jugut.

JOSIP KUZHE – Shqipëria kishte një sfidë të vështirë në Rumani, me vendasit që kaluan në avantazh të parët. Stancu realizoi golin për ekipin e tij në minutën e 80-të dhe Kombëtarja jonë, pasi kishte rezistuar me heroizëm deri në ato momente, ra në një shok psikologjik. Por, zëvendësimi i trajnerit kroat, që hodhi në fushë Gjergji Muzakën, rezultoi vendimtar. Ishte pikërisht, mesfushori ai që realizoi me kokë golin e barazimit në minutën e 87-të. Një 1-1 heroik në Pietra Neamnt!

NDESHJET E PARA TË TRAJNERËVE

XHUZEPE DOSENA

Shqipëri-Zvicër 1-1

Eliminatoret Euro 2004

12 tetor 2002

HANS-PETER BRIGEL

Shqipëri-Greqi 2-1

Eliminatoret Botërori 2006

4 shtator 2004

OTO BARIÇ

Bjellorusi-Shqipëri 2-2

Eliminatoret Euro 2006

2 shtator 2006

ARI HAN

Shqipëri-Suedi 0-0

Eliminatoret Botërori 2010

6 shtator 2008

JOSIP KUZHE

Rumani-Shqipëri 1-1

Eliminatoret Euro 2012

3 shtator 2010

KALENDARI I ELIMINATOREVE

“BRAZIL 2014”

07.09.2012      Shqipëri-Qipro

11.09.2012      Zvicër-Shqipëri

12.10.2012      Shqipëri-Islandë

16.10.2012      Shqipëri-Slloveni

22.03.2013      Norvegji-Shqipëri

07.06.2013      Shqipëri-Norvegji

06.09.2013      Slloveni-Shqipëri

10.06.2013      Islandë-Shqipëri

11.10.2013      Shqipëri-Zvicër

15.10.2013      Qipro-Shqipëri

 Ada për rekord, pëson 46 gola në tri ndeshje

Ada e Velipojës është duke vendosur rekorde negative njëra pas tjetrës në paraqitjet e saj ndërkombëtare, në kompeticionin e Ligës së Kampioneve për Femra. Kampionia e Shqipërisë, pas humbjeve 14-1 me ukrainasit të Kharkivit dhe 21-0 me Apollonin e Qiporos, pësoi një tjetër “dramë futbollistike”, pasi humbi 11-1 me Klasvik nga Ishujt Faroe. Një turp i vërtetë. Golin e vetëm për Adën e shënoi Baro, madje ai ishte dhe i pari i ndeshjes, pasi u realizua në minutën e 10-të, përpara se niste furtuna e Klasvik, ku Purkhus realizoi pesë gola. Në tri ndeshje, Ada ka pësuar 46 gola, duke shënuar vetëm 2. Edhe edicionin e kaluar, Ada, pësoi 34 gola në tri ndeshje pa shënuar asnjë.

 U-19, Slloveni-Shqipëri 3-0

Kombëtarja U-19 e drejtuar nga Foto Strakosha humbi 3-0 miqësoren me Slloveninë, duke luajtur nga minuta e 78-të me dhjetë lojtarë. Vendasit humbën dhe një penallti. Në takimin e parë, Sllovenia kishte fituar 4-0.