Përballja Tirana-Kukësi, provë vendimtare për trajnerët Mema dhe Cungu

505
Sigal

Java e 12-të e Kategorisë Superiore nis sot me ndeshjen e orës 18:00, në stadiumin “Selman Stermasi”

Ndeshjet e raundit të 12-të të Kategorisë Superiore do të zhvillohen ditën e sotme dhe të nesërme. Java nis me përballjen e sotme mes dy skuadrave “të gjymtuara” të kampionatit të sivjetshëm, Tirana dhe Kukësi. Këto dy ekipe ndodhen në një periudhë të vështirë dhe nuk po kalojnë një sezon brenda pritshmërive. Tirana dhe Kukësi do të ndeshen ditën e sotme në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një sfidë që mund të jetë shumë përcaktuese dhe e “rrezikshme” për ecurinë e mëtejshme jo vetëm të dy rivalëve por edhe të trajnerëve respektivë. Tekniku bardheblu Ardian Mema, ende nuk e ka provuar shijen e fitores me skuadrën e tij të re, pasi në 3 ndeshje ka regjistruar 2 humbje dhe 1 barazim, dhe ditën e sotme do të kërkojë tre pikë për t`i shpëtuar makthit të zonës së ftohtë. Nga krahu tjetër, Armando Cungu e ka bërë tashmë zakon retorikën e parandeshjeve ku lavdëron lojën e skuadrës së tij duke theksuar gjithmonë se “asnjë ekip nuk luan më mirë se Kukësi”. Megjithatë në futboll ato që kanë rëndësi janë rezultatet dhe pikët, dhe nënkampionët e Shqipërisë këtë sezon i kanë pasur jo sistematike. Duhet theksuar se verilindorët i kanë humbur pothuajse të gjitha përballjet direkte me rivalët për titull, dhe fitoret me ekipet më të dobëta nuk kanë mjaftuar që ambienti kuksian të jetë i kënaqur apo i qetë. Për trajnerin shkodran nuk lejohen më hapa fals dhe një rezultat jo pozitiv në duelin e sotëm mund t’i lëkundë seriozisht pozitat e tij në drejtimin e Kukësit. Ditën e sotme në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, Tirana rikthehet në shtëpi, dhe kjo sfidë do të jetë e para për Ardian Memën në stadiumin e bardhebluve, pasi debutimi dhe dy ndeshjet e tjera, trajneri i ri i kryeqytetasve, i ka pasur në transfertë.

Gjendja e Lojtarëve

Për sa i përket lojtarëve duhet thënë se Tiranën e ka zënë një epidemi më vete mungesash. Marvin Turtulli ka probleme në kofshë, Kërçiku në pulpë dhe të dy dje vetëm sa kanë vrapuar. Me grupin nuk është stërvitur as Shpëtim Moçka, i cili ka zhvilluar një seancë të diferencuar. Dejan Blazhevski u stërvit në palestër, ndërsa Namdi Oduamadi mungon që prej sfidës me Laçin. Ndeshja me Flamurtarin la me pasoja Kukësin, në aspektin e dëmtimeve. Dëmtimet nisën që nga fitorja me Laçin, nga i cili ndiejnë dhimbje kapiteni Shameti, Dzaria e Maliqi, sakaq nga përballja me vlonjatët këtij grupi iu shtua Shafik, Melo, Rexhinaldo e Donjet Shkodra që ishte mungesa e vetme në këtë seancë stërvitore. Të gjithë këta lojtarë ditën e diel zhvilluan stërvitje individuale, ndërsa gjysmën e kohës bënë vrapime në fushë, e pjesën tjetër e shfrytëzuan për masazhe e ushtrime të tjera. Sipas mjekëve të ekipit, përveç Shkodrës që është në dyshime për ndeshjen ndaj Tiranës, e gjithë pjesa tjetër është e gatshme.

5 ndeshjet e fundit direkte

Kukësi-Tirana 3-1      2 shtator 2018

Kukësi-Tirana 1-0      13 shkurt 2018

Tirana-Kukësi 1-1      31 janar 2018

Kukësi-Tirana            0-1      6 shtator 2017

Kukësi-Tirana            4-1      23 prill 2017

RENDITJA SUPERLIGA

Skuadrat          Nd       P

  1. Skënderbeu 11 26
  2. Partizani 11 25
  3. Kukësi 11 19
  4. Laçi 11 19
  5. Flamurtari 11 18
  6. Teuta 11 18
  7. Tirana 11 9
  8. Luftëtari 11 9
  9. Kamza 11 8
  10. Kastrioti 11 4

Ndeshjet, Java e 12

Sot, 6 nëntor

Tirana-Kukësi  18:00

Nesër, 7 nëntor

Laçi-Skënderbeu         14:00

Kamza-Teuta   14:00

Kastrioti-Partizani       14:00

Flamurtari-Luftëtari    17:00