Pep Guardiola: Nga Manchester City do iki kur të më përzënë

109

Çështja e trajnerit të Juventusit po kthehet në një telenovelë. Nga raportimet e ndryshme në Itali, disa herë duket se nga momenti në moment do të zyrtarizohet Sarri, ndërsa më pas është sërish emri i Pep Guardiolës që qarkullon.

Tekniku spanjoll do të ishte i preferuari i bardhezinjve, megjithatë duket se nuk do të jetë këtë herë rasti për ish-teknikun e Bayernit e Barcelonës, për të marrë drejtimin e “Zonjës së Vjetër”.

Ka qenë vetë Guardiola, i cili nga një turne golfi ku merr pjesë, është shprehur se do të respektojë kontratën me Cityn, ndërsa mundësia për t’u larguar ekziston vetëm nëse klubi anglez do ta marrë me “shkelma”.

“Lajmet vazhdojnë të dalin dhe të përsëriten, por kam një kontratë 2-vjeçare me Manchester Cityn. Nëse ata nuk më marrin me ‘shkelma’, atëherë do të qëndroj. Do të iki kur të më përzënë”, tha Guardiola, duke sqaruar të ardhmen e tij.