Partizani-Lushnja, sfida e gjigantëve

578
Sigal

Kategoria e Parë do të mbyllë të shtunën fazën e parë. Një sezon me ulje-ngitje të mëdha, surpriza dhe dështime

Partizani-Lushnja do të jetë kryendeshja e javës së fundit të fazës së parë të Kategorisë së Parë. Dy skuadrat kryesojnë kampionatin, por me Lushnjën që ka gjashtë pikë më shumë se të kuqtë. Pas 14 javëve të zhvilluara, lushnjarët kanë grumbulluar 33 pikë, ndërsa të kuqtë, 27. Edhe në rast se, Partizani i drejtuar nga trajneri Nikolin Çoçlli do të fitojë kundër Lushnjës së Artan Banos, kjo e fundit e ka siguruar titullin simbolik “kampion i dimrit”. Ndeshjet e deritanishme kanë rezervuar jo pak surpriza, por ajo që të bie në sy janë rezultatet e dobëta të Dinamos (18 herë kampione të Shqipërisë) dhe Elbasanit (2 herë kampion). Blutë dhe verdheblutë kanë bërë një sezon me ulje-ngritje të mëdha, madje Dinamo e ka ndryshuar dhe trajnerin me të cilin nisi sezonin, Eduard Zhupa (aktualisht është Dritan Mehmeti). Dallgët e ndryshimeve të trajnerëve kanë prekur jo pak, por nëntë nga 16 skuadrat e Kategorisë së Parë. Gjithsesi, duke parë dhe ecurinë apo renditjen javë pas jave të skuadrave në këto 14 javë, vetëm Lushnja ka bindur, pasi gjithë të tjerat, ato të kreut, e kanë ndryshuar shpesh pozicionin. Lufta midis ekipeve ka qenë tepër e fortë dhe e rivalizuar. Partizani ndodhet aktualisht në vendin e dytë, dhe nesë kampionati do të mbyllej tani, të kuqtë do të riktheheshin në Kategorinë e Superiore, pas tri sezoneve mungesë, kur për herë të fundit kanë marrë pjesë në edicionin 2008-2009. Në fakt, Partizani e nisi jo mirë sezonin, por më pas pati stabilitet në rezultate, ndërkohë që në katër javët e fundit ka regjistruar dy fitore dhe dy barazime. Humbja e fundit e të kuqve është regjistruar me Mamurrasin e vendit të tretë. Lushnja ka qenë skuadra më e stabilizuar në këtë fazë, si në lojë ashtu dhe në rezultate, duke treguar se e meriton plotësisht vendin e parë në renditje me gjashtë pikë nga vendi i dytë. Bilanci i Lushnjës është 10 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje (2-0, me Tërbunin e Pukës, më 29 shtator 2012). Ekipi që ka zhgënjyer më shumë në këtë fazë ka qenë Elbasani, i cili është i vetmi që nuk ka arritur të marrë asnjë pikë jashtë fushe. Aktualsiht renditet në vendin e 10-të, por verdheblutë nuk fitojnë prej katër ndeshjesh. Figurë të keqe ka bërë në këtë pjesë edhe Kamza (e ardhur nga Kategoria Superiore), kjo dhe për shkak të problemeve që ka pasur në fillim të këtij sezoni, midis kryebashkiakut Xhelal Mziu dhe presidentit Naim Qarri. Aktualisht kamzalinjtë kanë përfunduar në zonën e mbijetesës: vendi i 12-të me 14 pikë, po aq sa Gramshi (në zonën e rënies). Kamza nuk fiton prej tetë ndeshjesh. Surprizat e kësaj faze kanë qenë Tërbuni, Mamurrasi dhe Iliria, të cilat kanë zënë vendin e dytë në klasifikim në shumë raste, duke e bërë kampionatin tepër tërheqës. Ekipi tjetër e kryeqytetit, Dinamo, nuk ka mundur t’i përshtatet emrit që ajo mban mbi supe, duke zhvilluar një fazë me ulje dhe ngritje të mëdha në lojën e saj. Aktualisht në luftën për vendin e dytë janë katër skuadra, të cilat janë të ngjeshura me njëra-tjetrën: Partizani, Mamurrasi, Tërbuni dhe Pogradeci, të cilat ndahen me vetëm katër pikë midis njëra-tjetrës, me Partizanin me 27 pikë dhe Pogradecin, 23. Në javën e fundit, do të luhet dhe superndeshja e kësaj faze, ajo midis Partizanit dhe Lushnjës, rezultati i së cilës do të ketë ndikimin e saj në fazën tjetër, e cila nis pas dy muajsh, pikërisht më 9 shkurt 2013-të.

KATEGORIA E PARË

JAVA 15

E shtunë, 8 dhjetor 2012

Iliria-Besëlidhja

Pogradeci-Dinamo

Mamurrasi-Burreli

Gramshi-Tërbuni

Himara-Elbasani

Naftëtari-Butrinti

Kamza-Ada

Partizani-Lushnja

RENDITJA

1    LUSHNJA         14   +15  33

2    PARTIZANI       14   +1   27

3    Mamurrasi       14   +8   26

4    Tërbuni         14   +11  24

5    Pogradeci       14   +2   23

6    Iliria          14   +4   20

7    Dinamo          14   +2   20

8    Burreli         14   +2   20

9    Butrinti        14   +1   19

10   Elbasani        14   -5   17

11   Besëlidhja      14   -2   14

12   Kamza           14   -6   14

13   Gramshi         14   -8   14

14   Ada             14   -5   12

15   Himara          14   -6   12

16   Naftëtari       14   -14  7

  Disiplina “burgos” presidentin e Besëlidhjes

 Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u tregua i ashpër me presidentin e Besëlidhjes, Gjok Ndoka, duke e pezulluar atë me 18 muaj nga të gjitha aktivitetet sportive. Njëshi i futbollit lezhjan u ndëshkua për shkak të sulmit të tij ndaj zyrtareve të ndeshjes Besëlidhja-Partizani (java e 14-të e Kategorisë së Parë), duke shkaktuar akte dhune, çka rezultoi edhe me një gjobë prej 250 mijë lekësh. Ndoka nuk është presidenti i parë, që ndëshkohet nga Disiplina, pasi më parë janë pezulluar Lazër Matija i Adës së Velipojës (8 javë), kryebashkiaku-president i Gramshit, Dritan Bici (deri në fund të sezonit), si dhe presidenti i Kamzës, Naim Qarri (2 ndeshje). Masa të rrepta u morën edhe për zyrtarin e Ilirisë, Gëzim Zogu, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve u dënua me tetë ndeshje pezullim. Komisioni i Disiplinës vendosi pezullimin me kusht të dënimit për trajnerët Viktor Gjoni (Tërbuni) dhe Shpendi Kumbarçe (Shkëndia Tiranë U19), me një pezullim me kusht prej gjashtë muajsh. Trajneri i Gramshit, Gentian Stojku, për sjellje jokorrekte paralajmërohet se në rast se kryen shkelje disiplinore të parashikuara nga Kodi i Disiplinës Sportive, masës së dënimit do t’i shtohet edhe masa e mëparshme. Komisioni i Disiplinës ndëshkoi me pezullime dhe disa lojtarë. Kështu, sulmuesi i Shkumbinit, Erion Mustafaj, për goditje të lojtarit kundërshtar u dënua me gjashtë ndeshje pezullim; lojtari i Mamurrasit, Klodian Hysa, për ofendim të zyrtarit të ndeshjes u pezullua me katër ndeshje, ndërsa ai i Ilirisë, Taulant Lama, për goditje të lojtarit kundërshtar u dënua me pesë ndeshje nga aktivitetet futbollistike.

 Precedentët

 Gjok Ndoka i Besëlidhjes nuk është presidenti i parë, që ndëshkohet këtë sezon nga Disiplina, pasi më parë janë pezulluar Lazër Matija i Adës së Velipojës (8 javë), kryebashkiaku-president i Gramshit, Dritan Bici (deri në fund të sezonit), si dhe presidenti i Kamzës, Naim Qarri (2 ndeshje).

 Shqipëria, kundër Greqisë edhe në futboll

 Kombëtarja U-19 e Shqipërisë, e drejtuar nga Foto Strakosha, njohu kundërshtarët e saj, në eliminatoret e Kampionatit Europian 2013-2014 të asaj moshe. Kështu, Shqipëria ndodhet në grupin 6, së bashku edhe me Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë. Ende nuk është përcaktuar se, në cilin vend do të luhen ndeshjet. Për trajnerin Foto Strakosha kjo ka një shije tjetër, pasi ish-portieri dhe kapiteni i Kombëtares sonë ka pasur një karrierë të gjatë futbollistike në shtetin helen, madje ka qenë trajner portierësh te Panionosi. Në fakt, një pjesë e mirë e lojtarëve të Kombëtares U-19 luajnë në Greqi. Në eliminatoret e fundit, të zhvilluara në Vlorë dhe Fier, gjatë tetorit të këtij viti, Shqipëria kishte përballë Belgjikën, Italinë dhe Bjellorusinë, duke u renditur e fundit në grup, por spikati fitorja 3-1 ndaj Belgjikës. Në hedhjen e shortit të kualifikueseve morën pjesë 52 nga 54 vendet e regjistruara, dhe çuditërisht aty bën pjesë dhe Gjibraltari, i pranuar nga UEFA si anëtar i përkohshëm, me një vendim të 1 tetorit të vitit 2012. Shorti u hodh nga kryetari i Komitetit të të Rinjve dhe Amatorëve pranë UEFA-s, Xhim Bojs, dhe nga kapiteni i skuadrës së vitit të kaluar të Anglisë, Tom Torp. Skuadrat janë ndarë në 13 grupe me nga ekipe, ku për në turin “Elite Round” do të kalojnë dy të parat, ndërkohë që i kualifikuar do të jetë dhe vendi i tretë më i mirë i të gjitha grupeve. Spanja është kualifikuar direkt për në “Elite Round”, takimet e të cilit do të luhen në pranverën e vitit 2014. Shtatë fituesit e grupeve do të bashkohen me Hungarinë, në finalet e vitit të ardhshëm. Fituesi do të marrë pjesë në kompeticionin kualifikues të Botërorit FIFA U-20, që do të zhvillohet në vitin 2015 në Zelandën e Re.

 Ndeshjet e U-17 luhen në Shqipëri

 Dje u hodh edhe shorti i eliminatoreve të Kampionatit Europian për moshën U-17, finalet e të cilit do të zhvillohen në Maltë, në verën e vitit 2014. Shqipëria, e drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, ndodhet në grupin 1, së bashku edhe me Bjellorusinë, Rumaninë dhe Danimarkën. Turneu i kësaj grupmoshe do të mbahet në Shqipëri nga data 18-23 tetor të 2013. Edhe këtu skuadrat janë ndarë në 13 grupe me nga ekipe, ku për në turin “Elite Round” do të kalojnë dy të parat, ndërkohë që i kualifikuar do të jetë dhe vendi i tretë më i mirë i të gjitha grupeve. Gjermania është kualifikuar direkt për në “Elite Round”, takimet e të cilit do të luhen në pranverën e vitit 2014. Në edicionin e fundit eliminator të Kampionatit Europian, Shqipëria bënte pjesë në grupin 8, së bashku edhe me Hungarinë, Italinë dhe Lihteshtejnin, ku skuadra jonë fitoi vetëm më këtë të fundit, ndërkohë që humbi minimalisht me dy të parat.

KAMPIONATI EUROPIAN

2013-2014

Shorti U-19

Grupi 6

Greqi

Sllovaki

SHQIPËRI

Bullgari

Shorti U-17

Grupi 1

Bjellorusi

Rumani

Danimarkë

SHQIPËRI

Xhemo fton talentin e Hamburgut

 Përfaqësuesja U17 e Shqipërisë, e cila drejtohet nga trajneri boshnjak Xhemal Musdedanagiç do të organizojë në Tiranë nga datat 10 deri më 12 dhjetor një grumbullim – seleksionim me futbollistët e talentuar shqiptarë që luajnë brenda dhe jashtë vendit. Në mesin e të ftuarve për këtë grumbullim është edhe talenti Dren Feka. Ky i fundit aktivizohet me skuadrën e të rinjve të Hamburgut. 15 vjeçari me prejardhje nga Kosova luan si mbrojtës, por më parë në karrierë ka bërë edhe rolin e e mesfushorit ofensiv. “Kombëtarja shqiptare e futbollit, ekipi U-17, do të ketë grumbullim nga 10 deri më 12 dhjetor 2012. Për këtë arsye, ne miqësisht kërkojmë nga ju që ta lironi lojtarin Dren Feka më 9 dhjetor të këtij viti. Futbollisti do të lirohet nga ekipi kombëtar më 12 dhjetor”, thuhet në ftesën e Federatës Shqiptare të Futbollit drejtuar skuadrës gjermane, Hamburg.

Ekipet U15, 17, 19 dhe 21 të Shqipërisë viteve të fundit me të madhe kanë angazhuar futbollistë kosovarë, këtë po vazhdojnë ta bëjnë edhe tani.

 Junajted, katër opsione për t’u ndarë me Hamdi Salihin

 Gazeta prestigjioze e kryeqytetit amerikan, “Uashington Post”, citonte dje burime të klubit të futbollit D.C United, sipas të cilëve klubi është i vendosur të ndahet nga sulmuesi shqiptar, Hamdi Salihi. Drejtori i klubit amerikan, Dejv Kasper, tha se klubi ishte ende në proces evoluimi dhe nuk e ka vendosur ende nëse do e rikthejë Salihin në Europa, pas pushimeve të fundit të sezonit, gazeta është e bindur që klubi po studion disa mënyra sesi mund të ndahet nga shqiptari. Gazeta, i ka numëruar ato në edicionin e djeshëm. Ja katër opsionet e klubit.

1. Të shesë kartonin e lojtarit në Major League Soccer (kampionati ametikan i futbollit).  Kjo mundësi është e vështirë, shkruan gazeta duke qenë se ai është një “Designated Player” (futbollist që përfiton më shumë se tavani i vendosur nga Liga, 310 mijë dollarë rrogë dhe të paktën 490 mijë dollarë kompensime në sezon. Çdo klubi i lejohen vetëm dy Designated Player-s në organikë). Salihi, që do të jetë 29 vjecc muajin e ardhshëm, ka shënuar gjashtë gola 945 minuta, që do të thotë se ai ka gjetur golin një herë në 157 minuta.

2. Të shesë kontratën e tij.  Klubet e MLS-së sipas një rregulli të Ligës janë të lejuara të bëjnë kështu me një lojtar të vetëm. Por, duhet ta paguajnë atë plotësisht. Sipas gazetës, “Uashington Post”, pozitive për Junajtedin në këtë rast do të jetë fakti që klubi do ketë një vend bosh si Designated Player, një lojtar që me siguri do të vijë nga merkato. Negativ për klubin është fakti që Junajtedi duhet të paguajë futbollistin.

3. Të prishë kontratën me marrëveshje të përbashkët. Kjo do të ndodhte vetëm nëse Salihi do të gjejë një klub të mirë në Europë. Gazeta është e sigurtë që ai nuk do të heqë dorë nga një rrogë e shkëlqyer, pa një destinacion të ri me një pagë të përafërt.

4. T’i japë një shans tjetër në sezonin e vitit 2013 (në Amerikë luhet mars-nëntor). Mundësi thuajse e pamundur duke qenë se Junajted është kërkuar një sulmues të ri, me shumë mundësi në Amerikën Latine ku trajneri Olsen ka vëzhguar së fundmi. Gjithashtu, klubi ka nënshkruar një kontratë edhe me sulmuesin kolumbian Pajoy, i cili ishte në formë borxhi sezonin e kaluar.