VIDEO/ Pendohet Ribery, kërkon falje që shtyu arbitrin

451
Sigal

Franck Ribery ka kërkuar falje që e ka shtyrë dhunshëm gjyqtarin anësor, Matteo Passeri, pas humbjes së djeshme të Fiorentinës 2-1 kundër Lazios.

Ribery u pa duke e shtyrë dy herë në mënyrë të dhunshme anësorin kur të gjithë po largoheshin nga fusha pas fishkëllimës së fundit.

Ai u ndal vetëm pas ndërhyrjes së njërit prej anëtarëve të stafit të Fiorentinës.

Tani, duket se francezi është penduar pasi ka thënë se ndien keqardhje për atë që ka ndodhur.

“Më vjen vërtet keq për mbrëmë. U kërkoj falje bashkëlojtarëve të mi, trajnerit dhe tifozëve. Po ashtu, i kërkoj falje edhe Matteo Passerit, sepse në fund të ndeshjes isha shumë i shqetësuar dhe trishtuar, shpresoj se ai mund të më kuptojë”, shkroi Ribery në Twitter.

“Unë gjithmonë dua të jem në fushë dhe t’u ndihmoj bashkëlojtarëve, sepse erdha në Firence për këtë qytet dhe për këtë klub. Mendoj se Fiorentina duhet të marrë më shumë vëmendje, vëmendjen e njëjtë që e marrin klubet e tjera, për punën që po e bëjmë çdo ditë”, shtoi ai.

Serie A konfirmoi se Ribery ishte ndëshkuar me karton të kuq pas përfundimit të ndeshjes. Kjo nënkupton se pezullimi me disa ndeshje është praktikisht i pashmangshëm për Ribery.