Partizani dhe Skënderbeu “shtypin” kundërshtarët

519
Sigal

 Partizani dhe Skënderbeu mundin Teutën dhe Kukësin me rezultatin e njëjtë 2-0

U luajtën dje ndeshjet e para të javës së pestë të Superligës dhe sollën rikonfirmimin e Partizanit dhe rikthimin te fitorja për Skënderbeun. Të dyja këto ndeshje u mbyllen me rezultatet 2-0 për të ngjitur si Partizanin ashtu edhe Skënderbeun në kuotën e 10 pikëve, po aq sa edhe Tirana por kjo e fundit me një ndeshje më pak pasi luan sot ndaj Laçit. Një pjesë e parë e shkëlqyer për Partizanin që e mbyll gjysmën e lojës me rezultat 2-0 me gola të Racic dhe Fazlia përkatësisht në minutën e 39’ dhe të 42’. Rezultati i pjesës së parë do ishte edhe përfundimtari pasi të kuqtë nuk shënuan më, por as durrsakët nuk patën mundësinë e një goli. Vihet re rritja e nivelit të lojës tek Partizani që këtë herë nuk fituan me gol në minutat e fundit,si në dy ndeshjet më përpara. Aktualisht Partizani e vë veten si favorite për titullin duke parë edhe rezultatet e fundit dhe vijueshmërinë e tyre. ‘Demat’ kanë kohë një javë që të përgatiten ndoshta për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë ndaj Tiranës, jo vetëm se është derbi, por luhet ndaj kundërshtarit të drejtpërdrejtë për titull. Në ndeshjen tjetër patëm një fitore 2-0 të korçarëve me golat e shënua në minutën e 65 nga Sefa dhe në të 77 nga Progni. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, me një lojë të vakët nga kuksianët dhe me Skënderbeun që vetëm provonte të shënonte. Kjo fitore i jep mundësinë Skënderbeut të jetë në të njëjtin hap me Partizanin me nga 10 pikë secila. Për Kukësin është humbja e dytë radhazi dhe të dyja humbjet vijnë nga pretendentët për titull, edhe pse duhet thënë se vendi i parë deri më tani nuk është më shumë se 3 pikë larg. Pas këtyre ndeshjeve në krye të tabelës qëndron Partizani i ndjekur nga Skënderbeu dhe nga Tirana që do luajë sot. Ndeshjet e sotme do të luhen mes Elbasani-Flamurtari, Vllaznia-Apolonia dhe Laçi-Tirana. Të tria këto ndeshje do jenë në të njëjtin orar, me Flamurtarin që do të përpiqet të mos bëjë asnjë hap të gabuar ndaj Elbasanit që është në një gjendje krize për sa ju përket rezultateve me katër humbje në katër ndeshje. Trajneri i Flamurtarit Gjoka, është shprehur se, ‘nuk do të ketë më hapa fals si ndaj Vllaznisë dhe nuk do e nënvlerësojmë kundërshtarin’, qoftë ky edhe Elbasani që në fakt luajti një ndeshje shumë të mirë ndaj Tiranës dhe paraqet rrezik për çdo skuadër. Vllaznia do e luajë ndeshjen ndaj Apolonisë në një “Loro Boriçi” të boshatisur, me të dyja skuadrat që fitoren e kanë detyrim për të rregulluar pozitën jo të favorshme në klasifikim duke qenë se janë në vetëm dy pikë larg njëra-tjetrës (Vllaznia në vendin e 9 dhe Apolonia në të 7-tin). Ndeshja tjetër Laçi-Tirana do rrëmbejë vëmendjen jo vetëm të tifozëve në fushë por të të gjithë tifozëve të skuadrave të tjera të Superligës, pasi një hap fals i Tiranës këtu, do të thoshte shkurtim diferencash në pikë për pretendentët për titull. Vlen të përmendet fakti se pas katër vitesh mungesë, tifozët e Laçit do munden ta shikojnë skuadrën e tyre drejtpërdrejtë në stadium, pas dënimit që nuk i lejonte të shkonin në stadium në ndeshjet ndaj kryeqytetasve.

Nr Skuadra Nd F B H P
1 KF Partizani 5 3 1 1 10
2 KF Skënderbeu 5 3 1 1 10
3 KF Tirana 4 3 1 0 10
4 KF Kukësi 5 2 1 2 7
5 Flamurtari 4 2 1 1 7
6 KF Teuta 5 1 1 3 4
7 KF Apolonia 4 1 1 2 4
8 KF Laci 4 0 3 1 3
9 KF Vllaznia 4 1 2 1 2
10 KF Elbasani 4 0 0 4 0

  

Shpallen qytetet, ku do luhet EURO 2020

Janë bërë të ditur qytetet, ku do të zhvillohen të gjitha ndeshjet e EURO 2020. Siç dihet,  këtë kompeticion nuk do ta zhvillojë një shtet i vetëm, si në rastin e Francës në 2016 apo nga dy shtete si në rastin e Zvicrës dhe Austrisë në 2008, por çdo ndeshje do të luhet në stadiumet e 13 qyteteve të ndryshme të Evropës ku finalja dhe gjysmëfinalet do zhvillohen të gjitha në ‘Wembley’, Londër

 

Ndeshjet do të zhvillohen si më poshtë

 Finale dhe Gjysmëfinale të Euro 2020

Angli, Londër ‘Wembley Stadion’ 90.000 vende
Çerekfinale dhe tre ndeshje grupi
Azerbaixhan, Baku ‘Baku Olympiastadion’ 68.000 vende
Gjermani, Mynih ‘Allianz Arena’ 67.812-75.000 vende
Itali, Romë ‘Stadio Olimpico’ 72.698 vende
Rusi, San Petersburg ‘Gazprom Arena’ 69.501 vende
Tetëshe dhe tre ndeshje grupi
Belgjikë, Bruksel –Propozohet si stadiumi i ri Kombëtar 60.000 vende
Danimarkë, Kopenhagen ‘Telia Parken’ 38.065 vende
Irlandë, Dublin ‘Aviva Stadion’ 51.700 vende
Holandë, Amsterdam ‘Amsterdam Arena’ 55.000- 56.000 vende
Rumani, Bukuresht ‘Arena Nationala’ 55.600 vende
Skoci, Glasgou ‘Hampden Park’ 52.500 vende
Spanjë, Bilbao ‘San Mamés Barria’ 53.332 vende
Hungari, Budapest ‘Ferenc Puskas’ 65.000 vende

Nisma në stadiumin e Korçës, hyrje falas për femrat

Me qëllimin për të rritur tifozerinë në stadium, Klubi i Skënderbeut ka vendosur që të lejojë hyrjen falas të tifozëve femra në çdo ndeshje. Kjo është një nismë në mënyrë që të rritet prania e tifozëve në tërësi, por edhe e gjinisë femërore në veçanti. Gjithashtu, është vendosur po nga klubi se fëmijët nën moshën 12 vjeç do futen në ambientet e stadiumit pa qenë të detyruar të presin biletë, por me kushtin e vetëm që të jenë të shoqëruar nga prindërit. Ky lëshim është bërë që me ndeshjen e luajtur ndaj Kukësit, ku klubi ju ka kërkuar tifozëve që të mbushin stadiumin jo vetëm në këtë ndeshje, por në çdo ndeshje që do të luajnë.