Niko Frashëri: “Partizanin e shoh pretedent për titull”

1229
Sigal

Flet për “Telegraf”, ish-mbrojtësi i kuq: “Ndeshja me Benfikën shkatërroi një gjeneratë të artë”

Niko Frashëri, ish-mbrojtësi i Partizanit – kampion në sezonin 1986-1987 dhe fitues i Kupës së Shqipërisë në vitin 1991 – tha për gazetën “Telegraf” se, rikthimi i 15 herë kampionëve në Kategorinë Superiore do t’i japë më shumë rivalitet dhe bukuri kampionatit tonë. Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga startimi i Kampionatit të 75-të Kombëtar të Futbollit, Frashëri theksoi se ekipe si Partizani, Tirana e Dinamo mbeten legjendat e futbollit tonë, jo vetëm për titujt e arritur – të tria së bashku kanë fituar 57 kampionate nga 74 të tilla, por dhe nga gjeneratat e lojtarëve që kanë nxjerrë, duke filluar nga Panajot Pano e Refik Resmja, Skënder Halili dhe Fatmir Frashëri, Iljaz Çeço e Torez Çiraku, apo dhe të brezave të mëpasshëm si: Perlat Musta, Shkëlqim Muça e Sulejman Demollari. Niko ishte pjesëmarrës në ndeshjen e famshme të Partizanit me ekipin portugez të Benfikës, për Kupën e Kampioneve (1987), teksa ishte një nga katër lojtarët e ndëshkuar me karton të kuq. “Kemi bërë një ndeshje të madhe kundër portugezëve, pavarësisht rezultatit që, erdhi si pasojë e njëanshmërisë dhe ndëshkimeve me karton të kuq nga ana e arbitrit. Edhe në Shqipëri u morën ndaj nesh masa të rënda nga ana Ministrisë së Mbrojtjes. E them me bindje të plotë se u shkatërrua një gjeneratë e artë e Partizanit të atyre viteve. Mos harroni, ekipi që doli kampion kishte një mesatare moshe shumë të re”, – tha mjeshtëri i sparkatave për gazetën “Telegraf”. Frashëri ishte thuajse i pagabueshëm në krahun e majtë, dhe tepër i fortë në lojën në ajër dhe atë zonale. Një mbrojtës shumë modern.

 – Zoti Frashëri, ju keni qenë pjesë e Partizanit për një periudhë 8-vjeçare me ekipin e parë, në vitet 1984-1992. Si nisi karriera juaj?

– Është një nisje normale, si e çdo futbollisti në Shqipëri dhe në botë. I pasionuar pas futbollit, qysh kur kam qenë 11 vjeç Partizani ka qenë si një familje. E kam nisur me skuadrat e moshave të Partizanit dhe në moshën 17 vjeç, pjesë e ekipit të parë. Çdo arritje e imja, por dhe e shokëve të mi të asaj kohe, ka qenë shpërblim i një punë të jashtëzakonshme tonës, por dhe vlerësimit të trajnerëve me të cilit kemi punuar. Ata na dhanë dorën, ne i dhamë gjithçka tonë për të marrë trofetë. Kam luajtur për herë të parë në një ndeshje të Kupës së Shqipërisë, kundër Apolonisë dhe Kujtim Majacit të famshëm. Një ndeshje në “Qemal Stafa”, e luajtur në vitin 1984. Kam qenë lojtar i Kombëtares së të rinjve dhe Shpresave.

– Tre vjet më pas, fituat titullin e parë dhe të vetëm kampion tuajin me Partizanin në sezonin 1986-1987 dhe Kupën e Shqipërisë në vitin 1991, në një finale kundër Flamurtarit. Si e kujtoni atë kohë?

– Isha vetëm 20 vjeç, kur fitova titullin kampion me Partizanin. Një moment që, nuk kam për ta harruar kurrë. Ishte një sezon i shkëlqyer nga ana ne, i drejtuar me shumë kompetencë nga trajneri Neptun Bajko dhe me një rivalitet të fortë me Flamurtarin e venit të dytë. Kam bërë një sezon shumë të mirë, kam qenë në super formë. Jam krenar për atë qa kam bërë, por dhe për rivalët më të cilët kam luajtur si Sefedin Braho, Luan Seiti, Arben Minga, Agustin Kola, Faslli Fakja, Agim Bubeqi, Muhedin Targaj, Sulejman Demollari, Shkëlqim Muça, Eduar Abazi.

– Ajo skuadër konsiderohet edhe sot e kësaj dite, si ndër ekipet më të mira që ka pasur Partizani…

– Po, është e vërtetë. Partizani kishte formuar një ekip shumë të mirë. Me përjashtim të tre lojtarëve, Perlat Musta, Ilir Lame dhe Arian Ahmetaj, ne ishim një brez shumë i ri futbollistësh, me një mesatare shumë të re. Një nga ekipet më të rinj në moshë të Partizanit që, ka fituar titullin kampion. Të mos harrojmë se, në skuadër luanin lojtarë të tillë si portieri Perlat Musta, mbrojtësit Arian Ocelli, Skënder Gega dhe Astrit Ramadani. Mesfushorë me emër si Ledio Pano, Genc Tomori, Lefter Millo, Eqerem Memushi, apo sulmues race si Sokol Kushta dhe Roland Agalliu. Karriera ime u mbyll shpejt, në vitin 1992, pas ndeshjes së Partizanit me Fejenordin e Roterdamit për Kupën e Kupave. Barazuam 0-0 në Tiranë dhe humbëm 1-0 në Holandë. Unë pësova një dëmtim në gju, dhe nuk munda të vazhdoj më.

– Ndeshja kundër Benfikës në Kupën e Kampioneve në edicionin 1987-1988, ka mbetur në historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar, edhe për faktin sesi ndodhën gjërat. Një humbje 4-0 në ndeshjen e parë dhe katër kartonë të kuq për Partizanin, përfshirë dhe një tuajin. Si e kujtoni atë ndeshje?

– U nisëm drejt Portugalisë, për të paraqitur një futboll të mirë dhe nuk e kishim menduar kurrë se do të humbnim 4-0. Kurrë më parë, Partizani nuk kishte humbur me atë rezultat, pavarësisht se atë edicion Benfika doli nënkampione e Europës. Kemi bërë një ndeshje të madhe kundër portugezëve, sidomos në pjesën e parë të humbur me një autogol, pavarësisht rezultatit që, erdhi si pasojë e njëanshmërisë dhe ndëshkimeve me karton të kuq nga ana e arbitrit. Gjyqtari spanjoll më ndëshkoi gjatë protestave që bëmë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Mustës. Imagjinojeni: në minutën e 54-t ne mbetëm me dhjetë lojtarë, kur rezultati ishte 1-0 për Benfikën. Genc Tomori hyri në portë, në vend të Mustës, ndërkohë që më pas me karton të kuq dolën edhe Arian Ahmetaj dhe Adnan Ocelli. Benfika shënoi tre gola nga minutat 81’-90’. Edhe në Shqipëri u morën ndaj nesh masa të rënda nga ana Ministrisë së Mbrojtjes. Pra, përveç dënimit nga UEFA, u dënuam edhe në vendin tonë. E them me bindje të plotë se u shkatërrua një gjeneratë e artë e Partizanit të atyre viteve. Mos harroni, ekipi që doli kampion kishte një mesatare moshe shumë të re.

– Partizani është rikthyer në Kategorinë Superiore. Si e parashikoni rikthimin e tij?

– Së pari, më vjen mirë që, Partizani u rikthye në vendin që i takon, pasi është skuadra e tretë me më shumë tituj në Shqipëri, pas Tiranës (24) dhe Dinamos (18), por njëherësh edhe më popullorja në vendin tonë. E them me bindje, se prania e Partizanit në Superligë i shton jo vetëm bukurinë kampionatit, por dhe rivalitetin. Edhe pse jetoj në Gjermani, jam i informuar në hollësi nga ish-lojtarët e Partizanit, me atë që po ndodh në klub. E kam ndjekur edhe sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë, në praninë e Ledio Panos dhe Ylli Shehut. E meritoi rikthimin, por skuadra e këtij viti është ndryshe nga ajo e edicionit të kaluar. Kam besim te presidenca dhe stafi teknik. E shoh midis tre ekipeve të para dhe një vend në Europë. I uroj me gjithë zemër suksese!

– Skënderbeu dhe Kukësi do të luajnë ndeshjet e kthimit ndaj Çernomortes Odesës dhe Trabzonsporin në fazën “play-off” të Ligës së Europës, në një tur që ekipet tona nuk e kishin arritur kurrë më parë. Cili është komenti tuaj?

– E kam ndjekur ecurinë e të dyjave në Europë. Është një arritje e madhe për futbollin tonë dhe për këtë duhen përgëzuar. E kam ndjekur më shumë Kukësin, kjo edhe për faktin se Sulejman Starova është drejtor sportiv, ndërsa Dash Gëzdari i portierëve. Pavarësisht se, humbja 2-0 e Kukësit me Trabzonsporin në “Qemal Stafa” është e vështirë të përmbyset në Turqi, mendoj se Kukësi ka arritur maksimumin. Humbja 1-0 e Skënderbeut ndaj Çernemoretsit në Odesa e shoh më të mundshme për t’u kaluar. Është një sukses ndërkombëtar i futbollit tonë.

 Ekipi kampion, sezoni 1986-87

 Perlat Musta, Arjan Hametaj, Adnan Ocelli, Besnik Bilali, Skënder Gega, Astrit Ramadani, Niko Frashëri, Ledio Pano, Ylli Shehu, Ilir Lame, Genc Tomori, Roland Agalliu, Lefter Millo, Edmond Alite, Alfons Muca, Eduart Kaçaçi, Fatmir Hasanpapa, Shkëlqim Fana, Eqerem Memushi, Lorenc Leskaj, Sokol Kushta, S. Balla, Izmir Ndreu. Trajner: Neptun  Bajko.

* * *

 “Altin Lala trajtohet te Hanoveri, si të jetë në Tiranë. Rrakli dhe Skela kujtohen me respekt”

 ” Lojtarët shqiptarët kanë bërë emër në Gjermani”

 Historia e lojtarëve shqiptarë në Gjermani është shumë e pasur, ajo nis me Altin Rrakllin te Frajburgu i vitit 1992; vazhdoi me Altin Lalën te Borusia Fulda e vitit 1994; Ervin Skelën te Union Berlini në vitin 1995; Rudi Vata me Energi Kotbusin e vitit 1998, Fatmir Vata te Valdhajm në vitin 2000 dhe vazhdon dhe sot e kësaj dite me Edmond Kapllani dhe Odise Roshin te Frankfurtin, Mërgim Mavrajn dhe Ilir Azemi te Grojther Fyrthi, Alban Mehën te Padeborni, etj. Aktualisht, në Gjermani luajnë dhjetë lojtarë shqiptarë dhe kosovarë. “Lojtarët shqiptarë kanë bërë emër të mirë në Gjermani, – tha Niko Frashëri, i cili jeton në Haltern am See, një qytet turistik, vetëm 40 km larg Gelsenkirshenit, qytetit që ka për ekip “Shalke 04”. “Altin Lalën e njoh mirë. Ai respektohet jashtëzakonisht shumë në Hanover, nga një qytet i tërë, ndër më të rëndësishmit në Gjermani. Bëri epokë me skuadrën e Hanoverit, mjafton të shikosh lamtumirën që i bëri klubi, ku një stadium prej 49 mijë vendesh mbante të veshur bluzën me emrin dhe portretin e tij. Ai respektohet atje, si të ishte në Tiranë. Lala ka qenë një lojtar i mrekullueshëm dhe shumë punëtor”. Përsa, i përket lojtarëve tjerë, Niko Frashëri çmon edhe Rudi Vatën te Energi Kotbusi. “Edhe Igli Tare ka lënë një emër të mirë në Kaiseralauterni, e kujtojnë të gjithë me respekt. Altin Rraklli është një nga lojtarët e parë shqiptarë që ka luajtur në Gjermani dhe i dha një emër futbollit tonë me golat që, ai ka shënuar. Rraklli mbetet edhe sot e kësaj dite lojtari shqiptar që ka realizuar më shumë në Gjermani. Ervin Skela ka luajtur dhe ka bërë emër me ekipet ku është aktivizuar”, – tha Niko Frashëri. Ish-mbrojtësi i majtë i Partizanit çmon edhe Edmond Kapllanin, sulmuesin e FSV Frankfurtit. “Është një golashënues i lindur. Aktualisht është një formë të mirë”, – tha Frashëri, i cili është tifoz i Bajernit.

 “E kam ndjekur Kombëtaren në Paris, tani do të shkoj në Slloveni”

  Shqipëria do të luajë pas pak ditësh, dy ndeshje shumë të rëndësishme në transfertë, ato kundër Sllovenisë në Lubjanë (6 shtator) dhe Islandës në Rejkavik (10 shtator). “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për Kombëtaren tonë. Tani skuadrat e njohin njëra-tjetrën, pasi janë ndeshur midis tyre. Mendoj se, kemi një ekip shumë të mirë, të aftë për të marrë dy rezultate pozitive, pavarësisht se ato do të luhen në transfertë”. Kombëtarja jonë ndodhet pas gjashtë ndeshjeve të para në vendin e dytë, me 10 pikë, katër më pak se Zvicra e vendit të parë dhe një më shumë se Islanda, e treta. Në ndeshjet e para, Shqipëria humbi 2-1 me Islandën në “Qemal Stafa” dhe fitoi 1-0 me Slloveninë, po në Tiranë. Një nga faktorët e suksesit të pazakontë të Kombëtares sonë, i dedikohet edhe lojtarit të 12-të, tifozëve, sidomos në ndeshjet e transfertës. Në ndeshjen kundër Zvicrës në Gjenevë u luajt në një stadium ku gjysma ishin shqiptarë, ndërkohë që ishin disa mijëra të tillë ën Oslo kundër Norvegjisë. “E ndjek rregullisht Kombëtaren. Jo të gjitha ndeshjet i kam parë në stadium, por kam qenë në Paris kundër Francës, ndërsa tani po planifikojmë me disa shokë që, të jemi në Lubjanë për ndeshjen kundër Sllovenisë. Shqiptarët në Gjermani janë shumë të interesuar për të qenë atje, më pëlqen që të jem në Lubjanë. Ndoshta i sjellim fat Kombëtares”.