Nga “ïtalianizimi” i bankinave të Superiores, te Skënderbeu “hajmalia” në Evropë

427
Nga Agron KAJA
VËZHGIM/ Situata gri në futbollin shqiptar dhe në Kombëtare, ja të veçantat në këtë periudhë verore
Muaji korrik po rrokulliset me nxehtin e tij, por që tradicionalisht mbeti i tillë edhe me futbollin, ku skuadrat elitare pasi kanë bërë “shkrythjen” në Evropë, po i drejtohen fazave përgatitore të shoqëruara me merkaton e futbollistëve e trajnerëve. Njëherësh, edhe skuadrat e tjera që u bitisën ashtu-kështu në sezonin e kaluar, i kanë bërë llogaritë e tyre për këtë muaj, ku mediatikisht e më pak realisht, po shohim e dëgjojmë lëvizje dhe emra, në ndonjë rast edhe drejtime të reja në klube e bankina. Gjithsesi, duke filluar me skuadrat që u përfaqësuan në Evropë gjatë këtij korriku, le të themi se pas shëtitjeve që ato bënë në tre qytete evropiane në ndeshjet e tyre: Kukësi në Ligën e Kampioneve dhe Partizani me Tiranën në Evropa Ligë, një reagim i matur sjell mendimin se, tashmë jemi me “certifikatë pronësie”, sa i përket rezultateve të dobëta në Evropë, ose të themi se eliminimin e kemi të “hipotekuar” që në start. Të treja skuadrat që u eliminuan në ndeshjet e para, duke përjashtuar Skënderbeun që po luan në turin e tretë, ndoshta për të qenë “hajmalia”e këtij sezoni në Evropë për skuadrat shqiptare, kanë sjellë një horizont që duket më shumë gri, se sa i kthjellët. Ndryshe do të thoshim, se skuadrat shqiptare në Evropë nuk shkojnë për të kaluar turet, por për të mbushur akrkat e tyre, të paktën me turin e parë. Ndërsa me Skënderbeun duket një horizont tjetër, më optimist, i cili të enjten do të nisë të shfaqet në Çeki, në sfidën e parë me Mllada Boleslav. Nga ana tjetër, nëse do ti referohemi skuadrave në kuadrin e përforcimeve të tyre, spikat Partizani, jo vetëm me futbollistët që ka afruar, por edhe me trajnerin e ri, italianin Mark Julianon, dikur lojtar me Juventusin dhe me kombëtaren e Italisë. Trajnerë italianë këtu në Superioren Shqiptare kanë ardhur, por Juliano është me CV-në më të pasur, sa i përket karrierës si lojtar, e po kështu ka ndodhur me bankinën e Kombëtares, teksa javën e kaluar është ulur në bankinë Kristian Panuçi, ish-mbrojtësi i djathtë i kombëtares italiane, i Milanit, Interit e Real Madridit. Një stil i ri ky, efektet e të cilit ndoshta nuk do ti presim afatshkurtër, pasi vetë CV-të flasin për perspektivë më shumë, se sa për aktualitet. Dhe, nëse do të vendosim në pole-pozition edhe vendosjen e Luçiano Moxhit si drejtor teknik te Partizani, na duhet të largojmë idenë e keqe, se, dështimi i tij në futbollin italian, po transferohet në Tiranë. 
Pas shëtitjeve që ato bënë në tre qytete evropiane në ndeshjet e tyre: Kukësi në Ligën e Kampioneve dhe Partizani me Tiranën në Evropa Ligë, një reagim i matur sjell mendimin se, tashmë jemi me “certifikatë pronësie”, sa i përket rezultateve të dobëta në Evropë, ose të themi se eliminimin e kemi të “hipotekuar” që në start
Sigal