Millan Baçi: “Kombëtarja, me nuanca italiane”

1182
Sigal

Shefi i Sektorit të Futbollit të Bazës: “Kemi një ekip të bukur,  por në sulm na mungon një dyshe si Tare-Rrakli”

Millan Baçi, ish-futbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares shqiptare, aktualisht me detyrën e shefit të Sektorit të Futbollit të Bazës në Federatën Shqiptare të Futbollit, tha për gazetën “Telegraf” se, dy fitoret e Shqipërisë ndaj Norvegjisë (1-0, zyrtare) dhe Lituanisë (4-1, miqësore), dëshmuan se në Kombëtaren shqiptare ka nisur një erë e re dhe se përfaqësuesja jonë është një pretendente reale për të shkuar në finalet e Botërorit “Brazil 2014”. Baçi për gazetën se, po frynë një “erë italiane” në futbollin tonë. “Sigurisht, dora e De Biazit ndihet, sidomos në aspektin taktik. Kjo erë italiane ne na vjen përshtat, sidomos një mesfushë e ngjeshur dhe një mbrojtje kompakte, ashtu sikundër në sulm kemi Bogdanin dhe Çanin”, – tha Baçi, i cili e ka veshur 7 herë fanellën e ekipit Kombëtar, në vitet 1976-1981.

  – Zoti Baçi, dy fitoret e Shqipërisë ndaj Norvegjisë (1-0, zyrtare) dhe Lituanisë (4-1, miqësore), krijuan një atmosferë entuziaste në ambientin futbolldashës. Si një specialist i mirënjohur, si do t’i vlerësonit ato?

 – Fitorja në Norvegji ishte më shumë vlerë, një sukses që e rriti Kombëtaren tonë, jo vetëm një shkallë më lart në renditje, pra në të dytin. Ishte një fitore e merituar, falë një loje bindëse. Pamë një Shqipëri, të vendosur shumë mirë në fushë, pavarësisht paraqitjes së kundërshtarit. Në tërësi, e gjitha loja jonë kishte një theks pozitiv. Kishim një mesfushë të zhdërvjellët që, i dha frymëmarrjes si mbrojtjes në momente të caktuara, ashtu edhe veprimeve sulmuese. Ndeshja ishte shumë e rëndësishme jo vetëm për pikët e plota të marra në Olso, por dhe për ekipin Kombëtar, në synimin e madh për të marrë pjesë për herë të parë në Botëror.

 – Ndeshja pati disa lojtarë të spikatur. Kë do të veçonit?

 – Më bëri shumë përshtypje loja e sulmuesit Edgar Çani. Krijoi moment shumë të bukura, duke e vënë mbrojtjen kundërshtare në pozicione shumë të vështira. Mendoj se, vendosja e Hamdi Salihit, pas Çanit, ishte një vendosje taktike e trajnerit Xhani De Biazi, dhe ai ia shpërbleu me atë eurogol që, vendosi dhe fatin e ndeshjes. Salihi është një lojtar i paparashikueshëm në momente të veçanta të lojës. Mënyra e ekzekutimi të faullit, me top të ulët brenda zonës, ishte aplikuar disa herë në seancat stërvitore dhe u konkretizua në mënyrë të shkëlqyer në ndeshje. Absolutisht, duhet vlerësuar edhe portieri i ri Berisha, për pritjet e shkëlqyera të tij.

 – Entuziazmi i fitores në Norvegji, reflektoi edhe në miqësoren me Lituaninë. Si e patë Kombëtaren në atë ndeshje?

 – Në fakt, pati shumë skeptikë para ndeshjes, për shkak se ajo ishte miqësore. Por, dhe ajo dëshmoi se ekipi Kombëtar gëzon formë të mirë, pavarësisht se u luajt me lojtarë të rinj. Më pëlqeu Valdet Rama, një lojtar që luan në Spanjë me Real Valadolidin. Më pëlqeu në interpretimet që, bënte në lojë. U bashkua shumë shpejt me mesfushën, me Alban Mehën dhe Migjen Bashën. Mund të themi se, mesfusha tani është shumë kompetitive, ashtu sikundër kemi pasur dhe mbrojtjen. Tani kemi një ekip të kompletuar në të gjitha repartet. Djemtë duhet të ruajnë gjendjen, pasi po vjen fundi i kampionateve, ndërkohë që ndeshja e kthimit me Norvegjinë është, më 7 qershor. Besoj se, me mbështetjen e lojtarit të 12-të, pra tifozëve, që tani nuk na mungojnë as në transfertë, do të jetë një ndeshje shumë e mirë.

 – Çfarë i mungon ende kësaj skuadre?

 – Mendoj se, i mungon një tip lojtari si Ervin Skela. Por, jam i bindur se ai do të gjendet shumë shpejt. Trajneri Xhani De Biazi po punon për këtë. Sot, ekipet kombëtare në Shqipëri, duke filluar që nga mosha U-17, mund të luajnë ndeshje pa fund. U kanë ikur emocionet e zhvillimit të ndeshjeve jashtë, apo brenda. U kanë ikur emocionet e peshës së fanellës së kundërshtarit. Grumbullimet që bën Gjermania, apo cilido ekip tjetër i bëjmë dhe ne. Mendoj se, kemi një grup të mirë.

 – Si do t’i vlerësonit vitet e fundit të Kombëtares?

 – Kombëtarja ka ardhur duke e rritur performancën, kjo dhe për faktin se shumica e lojtarëve luajnë në ekipe me emër. Megjithatë, dhe vetë Shqipëria, pavarësisht se i mungon infrastruktura, ka talente. Problemi është që ata duhen zhvilluar.

 – Lojtarët shqiptarë luajnë thuajse në të gjithë Botën, nga Europa deri në Kinën e largët. Si do ta vlerësonit këtë grup?

 – Mendoj se, trajneri De Biazi ka bërë një punë të mirë, pasi ai është në themelet e kësaj kombëtareje, por ai ka ende shumë pune për të bërë.

 – Si do ta gjykonin punën e De Biazit?

– Mendoj se, nga periudha e Hans-Peter Brigelit, Kombëtarja jonë po rinovohet në vazhdimësi. De Biazi ka venë dorë, duke punuar në mënyrë sistematike me lojtarët që aktivizohen jashtë. Është një italian i thekur që, di të vlerësojë çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar. Di të karikojë lojtarët.

 – A mund të them se po fryn një erë italiane në futbollin shqiptare?

– Sigurisht, dora e De Biazit ndihet, sidomos në aspektin taktik. Kjo erë italiane ne na vjen përshtat, sidomos një mesfushë e ngjeshur dhe një mbrojtje kompakte, ashtu sikundër në sulm kemi Bogdanin dhe Çanin. Nuk gjejmë një dyshe, si ajo Tare-Rraklli, një dyshe që u përshtat shumë mirë në sulm. Sidoqoftë, me Çanin përpara dhe Salihin pas, De Biazi ka bërë një modifikim shumë të rëndësishëm.

  Kush është Millan Baçi?

 Millan Baçi është një ish-futbollist i njohur i Tiranës së viteve 1975-1985, duke dalë dy herë kampion me bardheblutë, pikërisht në sezonet 1981-1982 dhe 1984-1985. Millan Baçi e ka veshur 7 herë fanellën e ekipit Kombëtar, në vitet 1976-1981, ku spikasin ndeshjet kundër Gjermanisë, Austrisë, Bullgarisë, Finlandës, etj. Millani ka shënuar një gol, në ndeshjen Shqipëri-Finlandë 2-0 (3 shtator 1980), për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Spanjë 1982”.

 Goli im kundër Finlandës,pas pasimit të artë të Zërit

  Millan Baçi ka qenë pjesëtar i ekipit Kombëtar, madje ka shënuar edhe një gol kundër Finlandës, në atë fitore 2-0, për eliminatoret e Botërorit “Spanjë 1982”. “Po, unë jam thirrur disa herë me Kombëtare dhe jam aktivizuar në shtatë ndeshje, pikërisht Gjermanisë, Austrisë, Bullgarisë, Finlandës. Ndaj kësaj të fundit, kam shënuar edhe golin në fitoren 2-0 (3 shtator 1980). Trajneri ishte Zyber Konçi. Golat u shënuan nga Sefedin Braho (2’) dhe nga unë (18’). Në grup kishim Finlandën, Gjermaninë, Bullgarinë dhe Austrinë. Bëmë një grumbullim të tejzgjatur, por pa pasur mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore, si tani”. Golin e parë e shënoi Sefedin Braho, pas një goditje nga këndi. Goli im erdhi pas një pasimi të artë i Vasillaq Zërit, siç ai dinte t’i bënte atëherë. Unë dola përpara portierit të Finlandës, edhe vetë u habita sesi u ndodha para tij. Zoti më nderoi që shënova. Kishte një entuziazëm shumë të madh, pasi stadiumi ishte i tejmbushur, kjo dhe për faktin se ne luanim pas një kohe të gjatë dhe ishte ndeshje e parë në eliminatore. Ishte një fitore që, u gëzuam të gjithë pasi ne luanim pas një ndëprerje prej disa vitesh. Mesa mbaj mend ajo ishte fitorja e dytë në eliminatoret e një Botërori. Për koincidencë, dhe a para është po me Finlandën 1-0, por në vitin 1973 (10 tetor 1973), me trajner Ilia Shuken”.

 Brezi i mrekullueshëm i viteve 1970

 Millan Baçi tha se, vitet 1970-1980 kishin një brez të artë futbollistësh, me Ilir Përnaskën, Muhedin Targajn, Vasillaq Zërin, Ferid Rragamin, Safet Berishën, Andrea Marko, Ferdinand Lleshi, Arben Minga, etj..

Shteti duhet të investojë në sport

 Shefi i Sektorit të Futbollit të Bazës në Federatën Shqiptare të Futbollit tha për gazetën se, shteti duhet të investojë fuqishëm në futbollin e bazës: “Nëse do të kishim një statistikë nga të gjitha vendet europiane, yjet e sotëm të futbollit, pa dyshimin më të vogël e kanë filluar në futbollin e bazës, pra të rrugës, kur ka qenë fëmijët. Vëmendja kryesore duhet të përqendrohet të investimet te fëmijët e talentuar shqiptarë. Pra, të behet një punë me specializuar, me në program të qartë për përpunimin e tyre. Kjo është detyrë e çdo klubi në Shqipëri. Sektori që, unë drejtoj në FSHF organizon kampionatet amatore në nivel moshash. Shteti shqiptar duhet të investojë në sport”.

 E gjitha Shqipëria luan futboll

 Në vendin tonë numërohen me dhjetëra ekipe të moshave, ku në futbollin e bazës, numërohen me qindra fëmijë. Futbolli i bazës po përhapet gjithmonë e më shumë. Baçi tha: “Në Shqipëri ka shumë ekipe fëmijësh. E gjitha Shqipëria dëshiron të luajë futboll nga Veriu në Jug. Ajo që ë pengon zhvillimin më të shpejtë është mungesa e infrastrukturës. Këtë nuk mund ta bëjë e vetme Federata, duhet që dhe shteti të investojë dhe të japë kontributin e tij”. Në Shqipëri ka gjashtë zyra rajonale: Tiranë, Fier, Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, të cilat kryejnë aktivitete futbollistike nga mosha 10-17 vjeç. “Jemi duke punuar për hapjen e zyrës rajonale në Gjirokastër, pasi mbulon një zonë të madhe”.