Migen Memelli: Shënimi i 16 golave, sinjal pozitiv për vazhdimësi më cilësore

Nga Agron KAJA

INTERVISTA/ Për ndeshjet e javës së gjashtë dhe vazhdimësinë në Superiore, flet për “Telegraf” ish-kryegolashënuesi i Shqipërisë

Java e gjashtë nisi të dielën dhe u mbyll dje të hënën, si i përshkruani pesë ndeshjet e luajtura?
Le të themi se surprizë deri diku ka qenë Kamza me fitoren ndaj Vllaznisë, e cila po tregohet pragmatiste në këtë debutim të dytë në Superiore. Vllaznia dhe Teuta nuk po bindin në lojërat e tyre, dhe në përgjithësi po krijohet një hendek i Skënderbeut e Kukësit, me skuadrat e tjera.

Cila ishte, sipas jush, ndeshja më e mirë e kësaj jave të gjashtë?
Jo vetëm se u shënuan 6 gola, por ndeshja Kukësi-Teuta 4-2 mendoj se ishte ndeshje me ritëm nga të dyja skuadrat. Teuta vinte pas humbjes me Partizanin dhe nuk ishte plotësisht e rikuperuar, ndërkohë që Skënderbeu e kishte më të lehtë përballjen me Lushnjen.

Sa mendoni se kanë bindur skuadrat në rezultatet që kanë arritur në këto gjashtë javë?
Për mendimin tim, përveç ndeshjes humbëse të Kukësit me Skënderbeun, të dyja janë skuadrat që kanë më shumë qëndrueshmëri në lojën e tyre. Korçarët janë më lart se kuksianët, ndërsa do të vendosja pas tyre edhe Flamurtarin, por jo në pritshmëritë e duhura. Partizani po tregon se është skuadër që do të ngrihet më shumë, por vështirë për titull.

U shënuan 16 gola në këtë javë, më shumë se në çdo javë tjetër, çfarë tregon kjo shifër më shumë?
Një shifër e tillë është shumë e mirë, sepse tregon që skuadrat po reagojnë e po funksionojnë mirë edhe në fazat përmbyllëse, në sulm. Është e vështirë të shënosh në Superiore, por gjithsesi, mendoj se Bushiç i Flamurtarit, Soue i Skënderbeut dhe Sukaj i Partizanit, mund të jenë konkurrentë për kryegolashënues. Ndoshta do pritet më shumë edhe nga Alijev i Kukësit.

Në aspektin e shënimit të golave, mendoni se në këtë sezon mungojnë lojtarët tipikë të shënimit të golit?
Patjetër që po, dhe në se do të sjell ndërmend emrat e golashënuesve që kanë qenë protagonistë të golit në Superiore në 20 vitet e fundit, ata sot mungojnë. Kështu si po ecet, për 10 vite nuk do të vijnë golashënues në kampionatin shqiptar, kjo është një dukuri që “vret” në aspektin e golit.

Në këto javë janë dhënë edhe penallti, janë realizuar edhe autogola, tregon kjo për gjendje jo të mirë të skuadrave apo për agresivitet të tyre në sulm?
Jo, nuk mund të tregojë dobësi se të tillë tregues janë pjesë e lojës. Nuk mund ta ndash skuadrën profesionalisht në reparte, mbrojtje e sulm, e ti fajësosh për to. Më shumë mendoj se kemi të bëjmë me mungesë neglizhence e përqendrim jo të mirë i skuadrave, të cilat nuk shmangen dot.

Sa ka ndikuar ngjeshja e kalendarit në performancën e skuadrave, me 4 ndeshje në 10 ditë?
Nuk besoj se ka ndikim, sepse Superiorja sot është kthyer në profesioniste, nuk është më amatore si më parë. Kur luaja unë ishte ndryshe, ndërsa sot stërvitshmëria ka ndryshuar dhe nuk ka problem kjo ngjeshje. Duke qenë se ushqyerja e trajtimi mjekësor kanë përparuar, ato bëhen faktor pozitiv te gjendja fizike e çdo lojtari.

Kanë qenë arbitrat faktor në rezultatet që janë arritur në 30 ndeshjet e luajtura?
Nuk mendoj se kanë influencuar në rezultate, edhe pse te takimi Laçi-Flamurtari mund të jepeshin dy penallti, nga një për çdo skuadër. Mendoj se kanë qenë javë të qeta për gjykimet në tërësinë e tyre.

Edhe tre javë e mbyllet faza e parë, si e mendoni renditjen?
Është një renditje normale, por gradualisht Skënderbeu e Kukësi do të shkëputen shumë dhe do të krijojnë një hendek të madh me skuadrat e tjera. Mund të jenë Flamurtari e Partizani më afër tyre, por nuk do të jenë rivalë me to.

Çfarë konstatoni se nuk është bërë mirë në këtë sezon të ri të Superiores?
Ka shumë pak rritëm në lojë. Futbolli sot është kthyer në lojë taktike, dhe nuk të jep shumë hapësira te goli. Me një gol po ndahen shumica e ndeshjeve, ndaj skuadrat duhet të japin maksimumin në çdo ndeshje.

Një shifër e tillë (16) është shumë e mirë, pasi tregon që skuadrat po reagojnë e po funksionojnë mirë edhe në në sulm. Është e vështirë të shënosh në Superiore, por gjithsesi, mendoj se Bushiç i Flamurtarit, Soue i Skënderbeut dhe Sukaj i Partizanit, mund të jenë konkurrentë për kryegolashënues. Ndoshta do pritet më shumë edhe nga Alijev i Kukësit

16 gola
Kaq u shënuan në pesë ndeshjet e javës së 6-të të Superiores, java me më shumë gola të shënuar në këtë edicion

LAÇI-FLAMURTARI 1-1
Vlonjatët bëjnë realitet premtimin për pikë, ndërkohë që ngecin laçianët. Flamurtari mendoj se ka bërë një hap fals, pasi ka humbur 2 pikë, ndërsa Laçi duhet të shikojë më shumë në organizimin e skuadrës në fushë, sepse jo vetëm Rexhinaldo mund të jetë zgjidhja.

Ndeshjet-Java e gjashtë
Të dielën, 15 tetor 2017 
Skënderbeu-Lushnja 4-1
Shënues: Taku 20’, 41’, 
Soue 75’, Xhejms 80’
/ Sefa 29’
Dje, 16 tetor 2017
Kamza-Vllaznia 1-0
Shënues: Imeri 86’
Kukësi-Teuta 4-2
Shënues: Bakaj 19’, 
Et’hemi 32’, 
Alijev 83’, 95+5’ / 
Hila (p) 86’, Lena 89’ 
Laçi-Flamurtari 1-1
Shënues: Rexhinaldo (p) 54’
/ Bushiç 34’ 
Partizani-Luftëtari 2-0
Shënues: Sukaj 28’, Trashi 71’ 

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 6 16
2.Kukësi 6 13
3.Flamurtari 6 9 
4.Kamza 6 9
5.Partizani 6 8
6.Laçi 6 7
7.Teuta 6 7
8.Luftëtari 5 5
9.Vllaznia 6 5
10.Lushnja 6 2