Mentor Mazrekaj: “Partizani luan në Ligën e Europës”

477
Sigal

Mesfushori kosovar i të kuqve i kërkon falje publike stafit dhe rikthehet në skuadër

Mentor Mazrekaj nuk është më një “çështje” te Partizani. Mesfushori kosovar i kërkoi falje publike trajnerit Marcio Sampaio dhe stafit mjekësor për sjelljen e tij joprofesionale në javët e fundit, duke i hapur rrugë rikthimit në stërvitje me të kuqtë. Në një konferencë për shtyp në ambientet e klubit, 24-vjeçari e pranoi se kishte gabuar, duke theksuar se ishte shtyrë nga ato që kishte lexuar në media. Mesfushori kosovar tha gjithashtu se, është i fokusuar vetëm te objektivat e Partizanit, për të luajtur në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm. “Shpresoj të arrijmë objektivat dhe të luajmë në Ligën e Europës. Kemi edhe tri ndeshje të vështira, ku fillimisht duhet të kalojmë Laçin”. Mazrekaj e pranoi se ka patur kontakte me skuadrat e tjera të Superiores, por e ardhmja e tij mbetet Partizani, edhe pse marrëveshja edhe për dy vite të tjera me të kuqtë është vetëm në parim. Mazrekaj, dje u stërvit me skuadrën pas tri javësh mungesë.

 – Mazrekaj, një konferencë shtypi jo e zakonshme për ju, apo jo?

– Ju falënderoj për praninë tuaj këtu, pasi në asnjë moment nuk kam dashur që të jap komente në telefon apo në “Facebook” dhe për këtë arsye jam këtu sot që të sqaroj çështjen time, e cila u bë shumë e madhe dhe fillimisht t’i kërkoj falje trajnerit për të gjitha ato që kanë ndodhur.

– Përse duhet t’i kërkoni falje?

– Trajneri asnjëherë nuk më ka thënë që do të më çojë te Partizani B. Ndërkohë, që dua t’i kërkoj falje edhe për sjelljet jo të mira që kam bërë kohët e fundit dhe të vazhdojmë punën për të arritur objektivat që ka klubi për ngjitjen pjesëmarrjen në Europë. Shpresoj që me rikthimin tim në klub të gjej të njëjtën atmosferë si më përpara dhe dua të falënderoj stafin teknik dhe presidentin që më kanë pranuar sërish dhe shpresoj t’ia shpërblej me paraqitjet e mia.

– Kush ishte shkaku i këtij keqkuptimi mes jush dhe trajnerit?

– Nuk e di si erdhi, por mendoj se ishte edhe keqkuptim mediatik, pasi gjithmonë në media kam parë që shkruhej se Sampaio ka thënë që Mazrekaj do të shkojë te ekipi i dytë dhe gjëra të tilla, ndërsa mua nuk më ka thënë asnjëherë një gjë të tillë. Gjithashtu edhe që Mazrekaj gënjen se është i dëmtuar, ndërsa mua asgjë.

– Këto nuk i ka shpikur media, i ka thënë Sampaio…

– Mua ai nuk më ka thënë asgjë.

Mazrekaj, kjo është një falje momentale deri në fund të kampionatit apo marrëdhëniet me klubin janë normalizuar plotësisht?

– Falje kam kërkuar se, jam pjesë e Partizanit nuk mendoj për asnjë skuadër tjetër. Falja ime është përfundimtare.

– E sheh përfaqësimin në Europë si një promovim edhe personal?

– Kemi ende edhe tre ndeshje për të luajtur. T’i kalojmë edhe ato dhe më pas të shohim.

– Kur do ta shohim Mazrekajn në fushën e lojës?

– Është një pyetje që duhet t’ia bëni trajnerit, jo mua.

– Është e vërtetë që keni firmosur për 3 vite me Partizanin?

– Unë kam arritur një akord me presidentin Demi edhe për anën financiare dhe gjithçka tjetër që të jem pjesë e ekipit në dy vitet e ardhshme. Në vazhdim besoj se do të firmos edhe zyrtarisht.

– Gjatë kësaj periudhe, a keni pasur kontakte me klube të tjera të Superiores siç është përfolur për Kukësin e Tiranën?

– Është e vërtetë që jam kontaktuar megjithatë unë do të jem pjesë e Partizanit. Kam kaluar shumë mirë këtu dhe do të vazhdoj me këtë skuadër.

– Keni një mesazh për tifozët, pasi të kanë mbështetur shumë?

Nuk i ka kthyer asnjë përgjigje gjatë këtyre ditëve, pasi nisa të ngarkohesha shumë edhe psikologjikisht. Por dua t’i falënderoj shumë, pasi gjithmonë më kanë mbështetur shumë dhe me rikthimin do të jap më të mirën në fushë.

26 ndeshje

ka luajtur Mazrekaj me fanellën e Partizanit në këtë sezon

 1 gol

ka shënuar mesfushori kosovar, pikërisht kundër Vllaznisë (1-1)

Pezullohet Hyshmeri

 Klubi i Partizani vendosi të pezullojë pa afat Renato Hyshmerin për thyerje të disiplinës. Ndaj elbasanasit do të merret edhe masa disiplinore sipas rregullores së brendshme të përcaktuar nga klubi. Mesfushori 25-vjeçar është aktivizuar këtë sezon në 25 ndeshje (22 si titullar), duke shënuar katër gola: ndaj Besës (2), Kastriotit (1), Laçit (1).

Deklarata e faljes

 “Kërkoj falje publikisht, Presidentit, stafit teknik atij mjekësor dhe gjithë mbështetësve tanë. Nëpërmjet kësaj konference për mediat pohoi se deklaratat e mia në adresë të klubit kanë qenë të nxituara. Dua që të gjithë të më kuptojnë pasi kam kaluar një periudhë të rëndë psikologjike. I kërkoj ndjesë trajnerit pasi në asnjë moment ai nuk me ka komunikuar mua personalisht të luaj në ekipin B të Partizanit. Gjithashtu i kërkoj falje mjekëve dhe stafit teknik të ekipit për sjelljen time aspak korrekte përsa i përket formës time dhe mos ndjekjen sistematikisht të seancave stërvitore në periudhën kur unë isha i dëmtuar. Kërkoj falje të gjithë stafit teknik dhe kolegeve të mi për sjelljen aspak profesionale, e cila nuk më dha mundësinë të menaxhoj pozitivisht periudhën më të vështirë që kam përjetuar që nga koha që gjendem në Tirane. Në fund dëshiroj të falënderoj Presidentin Demi për mbështetjen që ka dhënë dhe mundësinë të jem përsëri pjesë e kësaj skuadre. Që nga momenti që kam mbërritur në Shqipëri, Partizani ka qenë dhe mbetet zgjedhja ime e parë, ndaj dua të vazhdoj gjatë në këtë klub”, -tha Mazrekaj.

Në Laç e quajnë me Partizanin, si një finale

 Laçi do të bëhet gati për një tjetër finale në rrugën drejt Europës teksa pret në shtëpi Partizanin një rival direkt në objektivin e vendosur. Për të synuar Europa League për të dytin vit radhazi, kurbinasit duhet të marrin maksimumin në tre javët e mbetura, duke nisur që nga kjo mesjavë ndaj të kuqve të cilët kanë zaptuar vendin e dytë në klasifikim. Për mesfushorin Olsi Teqja skuadra është gati për sprintin final të sezonit.

“Jemi në fund të sezonit dhe nuk na lejohen gabime. Në Kukës mund të merrnim edhe fitoren. Me Partizanin kemi një finale dhe zbresim në fushë për të dhënë maksimumin. “Partizani ka një mbrojtje të mirë por nëse japim maksimumin është 100% e sigurt që nuk do të rezistojë”. Laçi ka 45 pikë, po aq sa Teuta e vendit të katërt, e cila në javën e 31-të do të përballet me Lushnjën, tashmë të rënë nga Kategoria Superiore dhe të pa interesuar prej kohësh për të prodhuar futboll. Lushnjarët janë humbur 8 nga 9 ndeshjet e fundit, duke fituar vetëm me Bylisin në tavolinë.

  Tekniku peqinas ka drejtuar me sukses këtë kampionat Teutën (11 ndeshje) dhe Tiranën (18)

 Gugash Magani, trajneri i sezonit

  Kur presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, shkarkoi trajnerin Gugash Magani nëntorin e vitit të kaluar, për ta zëvendësuar me italianin Roberto Sorrentino (u shkarkia disa javë më pas) skuadra durrsake ndodhej në vendin e dytë. Peqinasi Magani nuk qëndroi shumë kohë i papunë, pasi shkarkimi i njëpasnjëshëm i tre trajnerëve të Tiranës: Dede, Gallo e Bulku, e çuan atë në krye të stolit bardheblu në fillim të muajit dhjetor. Asokohe, Tirana ndodhej në vendin e fundit dhe tuhasje e pashpresë për të mbijetuar, ndërkohë që gjatë prezantimit të tij, Magani e quajti veten si një “trajner anti-krizë”. Dhe pati të drejtë. Nëse Tirana e sheh sot veten jashtë rrezikut për të rënë nga Kategoria, meritë të madhe për këtë ecuri ka trajneri Magani. Në të njëjtën kohë, nëse Teuta sheh t’i dështojë sezoni, sërish në qendër të vëmendjes është trajneri peqinas. Kjo për një arsye të thjeshtë, pasi duke parë shifrat e arritura nga Gugash Magani këtë sezon në stolin e Teutës në fillim dhe më pas me Tironën, atëherë vëren se 49 vjeçari ka një ritëm për titull kampion. Magani ka drejtuar këtë sezon Teutën në 11 ndeshje ndërsa bardheblutë në 17 të tilla duke regjistruar në total 28 stola këtë sezon. Me “Djemtë e Detit”, Magani regjistroi 5 fitore, 4 barazime dhe dy humbje, ndërsa me 24 herë kampionët ka 9 fitore, 6 barazime dhe 2 humbje. Në total ecuria e Maganit këtë sezon në kampionatin shqiptar është me 14 fitore, 10 barazime dhe 4 humbje. Janë 52 pikë të grumbulluara me një mesatare 1.85 pikë për ndeshje çka e bëjnë ecurinë e Maganit në stol gjatë këtij sezoni një rrugëtim për titull. Po të mendosh se, kur mori drejtimin e Tiranës, skuadra vinte nga pesë humbje radhazi, atëherë e kupton që populli bardheblu fërkon duart për zgjedhjen e bërë nga drejtuesit, ndërkohë që në Durrës mund të jenë penduar për largimin e tij. Pavarësisht se këtë sezon vetë trajneri Magani nuk ka fituar asnjë trofe (Tirana u eliminua nga Lushnjë në Kupë), ai mbetet trajneri i edicionit, pasi ka marrë drejtimin e dy skuadrave të ndryshme në periudha tranzicioni. Ia vlen të theksojmë, se Tirana e Maganit është e vetmja skuadër që i ka fituar pesë ndeshjet e fundit, ndërkohë që gjatë ndeshjeve të vitit ka grumbulluar 31 pikë, ose gjashtë pikë më shumë sesa Skënderbeu është kryesues i padiskutueshëm i kampionatit dhe është shumë afër titullit kampion.