“Magelanët” shqiptarë të futbollit

2713
Sigal

Hamdi Salihi luan në SHBA, Sokol Cikalleshi në Korenë e Jugut. Xhevair Sukaj dhe Sokol Bulku në Iran

 Këmba e futbollistëve shqiptarë nuk njeh më kufij. Nëse historia e legjionarëve tanë në Europë është bërë e zakonshme, tani lojtarët tanë janë duke e shkruar atë në të pesë kontinentet, përshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australinë, Azinë e Largët apo Lindjen e Mesme, duke u shndërruar në “Magelanë” të futbollit tonë, ashtu si dikur lundërtari i famshëm portugez, Ferdinand Magelani (1480-1521), në vitet 1920, ishte i pari që arriti të lundronte rreth gjithë tokës. Transferimi i fundit i “bujshëm” është ai i mesfushorit sulmues kavajas, Sokol Cikalleshit. 22-vjeçari, i cili në Shqipëri ka luajtur me Besën, Skënderbeun dhe Tiranën, firmosi me skuadrën nga Koreja e Jugut, Incheon Junaitid, për një shumë të majme. Pas shkodranit Xhevair Sukaj, aventurën ekzotike në Iran do ta shijojë edhe mesfushori tiranas i Kombëtares shqiptare, Ervin Bulku. Ish-lojtari i Tiranës, Hajdukut të Splitit në Kroaci dhe Azalit në Azerbajxhan firmosi një kontratë 1-vjeçare (me opsioni rinovimi), për një shumë 400 mijë eurosh në sezon. Legjionarët tanë kanë meritën se krijuan emrin e madh që vazhdon të hapë dyert e futbollistëve shqiptarë në klubet më të njohura të kontinentit tonë. Foto Strakosha në Greqi, Lefter Millo në Greqi, Rudi Vata në Skoci, Sulejman Demollari në Rumani, Kliton Bozgo në Slloveni, Ylli Shehu në Kroaci, Igli Tare në Itali, Altin Rraklli në Gjermani, Eduard Abazi në Portugali, Edvin Murati në Francë e Greqi, Besnik Hasi në Belgjikë, të gjithë këta edhe sot e kësaj dite kujtohen si futbollistë cilësorë dhe të respektuar.

 Gjermania, e “bekuara” e kuqezinjve

 Transferimi i fundit në Gjermani ndodhi vetëm pak ditë më parë, kur mesfushori i Kombëtares, Odise Roshi u huazua nga Këlni te FSV Frankfurti, atje ku luan edhe sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani. Gjermania është një arenë e njohur e sportistëve kuqezinj, pasi kanë luajtur me radhë, qysh nga Altin Rraklli (1992-2009, kur ai u tërhoq në moshën 39-vjeçare), por dhe emra të tillë si Igli Tare, Ervin Fakaj, Ervin Skela, Rudi Vata, Adrian Aliaj, Geri Çipi, Skerdilajd Curri, Altin Lala (që pas 14 vjetësh me fanellën e Hanoverit, tani luan për amatorët e Bajernit të Munihut), Jurgen Gjasula, por dhe Jahmir Hyka, për të mos përmendur një numër të madh kosovarësh, përfshirë edhe disa ish-lojtarë të Kombëtares sonë, si Mehmet Dragusha, Besim Kastrati, Blerim Rustemi, Besart Berisha, apo kuqeziu i fundit, Mërgim Mavraj. Edhe fushat e futbollit në vende të tilla si, Zvicra, Austria, Kroacia, Sllovenia janë “shkelur” nga këmbët e futbollistëve shqiptarë, si Redi Jupi, Devi Muka, Vioresin Sinani, Bledi Shkëmbi, Ylli Shehu, Edmond Dosti, Kliton Bozgo, Uliks Kotrri, Ervin Bulku, Hamdi Salihi, Ronald Gërxhalliu, e deri tek më të rinjtë si, Jahmir Hyka, Armando Sadiku, Klodian Semina, Enco Malindi, Shpend Matoshi, Xhevair Sukaj, Arbër Abilaliaj, Sabien Lilaj, e një numër i jashtëzakonshëm kosovarësh.

 SHBA-AUSTRALI

Sulmuesi Besart Berisha fitoi “Këpucën e Artë” në Australi, rekord për numrin e golave të shënuar brenda një sezoni, një vend në formacionin ideal, por dhe rinovimin e kontratës në terma të majme financiarë. Kosovari 26-vjeçar shënoi 21 gola në total me Brisbejn Roar, 19 prej të cilëve në sezonin e rregullt dhe 2 në finalen e madhe përballë Perth Glorit. Duke futur edhe dy golat e shënuar në Ligën e Kampioneve të Azisë: në humbjen 4-2 kundër japonezëve të Tokios dhe në barazimin 1-1 kundër kinezëve të Beijing Guoan, ai i ngjit në kuotën e 23 golave, pra legjionari që ka shënuar më shumë. Hamdi Salihi u bë lojtari i parë shqiptar në SHBA, që luan në kampionatin maksimal amerikan, MLS. Shkodrani, i cili ka luajtur në Greqi dhe Austri, aktivizohet me skuadrën e Uashingtonit, DC Junaitid. Në 15 ndeshje ka shënuar 5 gola.

 IRAN–ARABIA SAUDITE

Sulmuesi Xhevair Sukaj, i vetmi shqiptar që luan në Iran, jo vetëm që u shpall kampion, por shënoi edhe 3 gola me Sepahanin, ndërkohë që realizoi edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë. Edhe këtë sezon, shkodrani Sukaj, i cili ka luajtur edhe në Turqi, Egjipt dhe Kroaci, e ka nisur shumë mirë. Në Iran këtë sezon do të luajë edhe mesfushori tiranas, Ervin Bulku, po me Sepahanin.

Në Arabinë Saudite kanë luajtur mbrojtësi i njohur, Hysen Zmijani (me Al Nasrin, 1994-1995) si dhe sulmuesi Migen Memelli (2010-2012), me Al-Faisalin dhe Al-Tauon. Në Izrael kanë luajtur Viktor Paço dhe Elvin Beqiri; në Egjipt, Xhevair Sukaj, ndërsa në Maltë, kanë luajtur

 GREQI-RUMANI

Greqia ishte “porta” e parë e emigrimit të futbollistëve shqiptarë, duke filluar me Genc Tomorin, Artur Lekbellon, Foto Strakoshën, Arjan Bellaj, Arjan Xhumbën, Sokol Kushtën, Lefter Millon (humbi jetën në një aksident rrugor në Larisa, më 8 mars 1987), Arjan Beqajn, Indrit Fortuzin, Alban Bushin, Hamdi Salihin, Jahmir Hykën, ndërkohë që tani luajnë ende dy lojtarë të Kombëtares A, Andi Lila dhe Emiljano Vila, që të dy te PAS Janina. Në Rumani ka pasur në fillim të viteve 1990 ka pasur një koloni shqiptarësh, duke filluar nga Roland Agalliu, për të vazhduar me portierët Perlat Musta, Ilir Bozhiqi, Blendi Nallbani, por dhe Sulejman Demollarin, Agim Canajn, Agim Mingën, etj.. Në Turqi, aty ky dikur ka luajtur edhe Vioresin Sinani, Klodian Duro, Alban Bushi, Redi Jupi, Gilman Lika, Admir Teli, Xhevair Sukaj, Bekim Balaj, Lorik Cana,  tani japin kontributin e tyre te Genshlerbirlixhi edhe Debatik Curri, Labinot Harbuzi.

 UKRAINË-AZERBAJXHAN

Në Ukrainë, dekadën e fundit ka pasur gjithmonë futbollistë shqiptarë: Dorian Bylykbashi, Henri Ndreka, Ansi Agolli, Parid Xhihani, Ervis Kaja, Kristi Vangjeli, dhe së fundi, Cernemoretsi bleu zyrtarisht kartonin e Elis Bakajt. Në Ukrainë kanë luajtur apo luajnë edhe kosovarë: Armend Dallku, Ahmed Januzi dhe Debatik Curri, me këtë të fundit që luan tani në Turqi, te Genshlerbirlixhi. Azerbajxhani, edhe pse duket një emër jo fort “komod” për veshët tanë, ka pasur disa lojtarë shqiptarë në kampionatin vendas: shkodranët Elvin Beqiri dhe Admir Teli, si dhe tiranasit Ansi Agolli dhe Ervin Bulku, ky i fundit tani është transferuar në Iran. Në Kazakistan ka luajtur dhe ish-lojtari i Dajtit, Driton Stafsula. Lojtarë shqiptarë kanë luajtur edhe në Portugali: Eduard Abazi dhe Klevis Dalipi.

 POLONI-NORVEGJI-SUEDI

Duket si një destinacion, pjesë e ndonjë pakete turistike, por janë “stacione” ku kanë luajtur lojtarë shqiptarë, duke nisur nga sulmuesi aktual i Kombëtares, Edgar Çani (realizoi 11 gola sezonin e kaluar për Polonia Varshavën), teksa në Norvegji dhe kanë luajtur Jahmir Hyka, Migen Memelli, Vangjel Mile, Sebino Plaku, ndërkohë që në Suedi kanë mbërritur Edmond Lutaj, por dhe Migen Memelli. Në Danimarkë ka luajtur Renato Arapi. Edhe në Çeki, tashmë kemi një lojtar shqiptar: pikërisht sulmuesin shkodran, Bekim Balaj, një futbollist që i dha Tiranës sezonin e kaluar dy trofe, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.

 Italia, “toka e ëndërruar”

 Italia ka qenë gjithmonë një “tokë e ëndërruar” dhe lidhjet e lojtarëve shqiptare më të janë të hershme, madje datojnë gati 63 vjet më parë, kur Riza Lushta luante me Barin, Juventusin, Napolin, Sienën, etj. në harkun e viteve 1939-1953, dhe fitonte Kupën e Italisë me “Zonjën e vjetër” (Juventusin) në sezonin 1941-1942, ndërkohë që Naim Kryeziu i famshëm fitonte kampionatin italian me Romën, po atë sezon. Loro Boriçi, Haki Korça dhe Sllave Llambi, e kanë provuar fatin gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, për të ardhur më pas në kohën e “skafeve” gjatë viteve 1990, kur vlonjati Florian Myrtaj kapërceu me një guxim heroik Ngushticën e Otrantos, për të veshur më pas fanellën e Modenës në vitin 1994, e më pas dhe të nëntë ekipeve të tjera, për ta “varur këpucët në gozhdë’, në vitin 2009. Erjon Bogdani mbërriti në Itali në vitin 2000 (te Rexhina), teksa vazhdon prej 12 vjetësh të luaj në nivel të lartë, për t’u pasuar nga Igli Tare, i cili mbërriti në Itali në vitin 2001 (te Breshia), dhe tani luan rolin e drejtorit sportiv të Lacios, duke qenë një figurë mjaft e njohur në ambientin futbollistik italian. Në Itali kanë luajtur apo vazhdojnë të luajnë edhe Lorik Cana (te Lacio), Samir Ujkani (u transferua para pak muajsh te Palermo), apo Edgar Çani, Ervin Skela, Xhulian Rrudho, Ledian Memushaj, me këta të fundit që kanë luajtur në Serinë A, pa përmendur një duzinë emrash që luajnë në kampionatet inferiore.

 Japonia e Vatës dhe Kina e Dedes

Japonia mund të duket një vend shumë i largët nga Shqipëria, por dhe aty ka mundur të luajë një lojtar shqiptar: ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, i cili ka veshur fanellën e Jokohoma Sitit në vitin 2003. Rudi Vata është një lojtar me “valixhen ndërkombëtare” gjithmonë në shpinë, pasi ka luajtur dhe në Skoci (ku dhe banon aktualisht), por dhe në Francë (kur u arratis nga Kombëtarja shqiptare në vitin 1991, pas ndeshjes në Paris kundër francezëve), Gjermani, Qipro. Në Kinë ka luajtur mbrojtësi Nevil Dede me Changshan (2008).

 TRANSFERIMET GJATË SEZONIT 2012-2013

 Lojtari              Nga                  Tek                  Shteti

Altin Lala           Hanover 96           Bajern Munih (Am.)   Gjermani

Odise Roshi          Këlni                FSV Frankfurt        Gjermani

Edmond Kapllani      Augsburg             FSV Frankfurt        Gjermani

Sokol Cikalleshi     Besa                 Incheton Junaitid    Gjermani

Ervin Bulku          Azal                 Sepahan              Iran

Bekim Balaj          Tirana               Sparta Pragë         Çeki

Aramndo Sadiku       Lokarno              Lugano               Zvicër

Elis Bakaj           Dinamo Buk.          Çerneometets         Ukrainë

Ish-portieri i Fenerbahçes ka qenë ndër të parë futbollistë shqiptarë që kanë luajtur jashtë

 Vasfi Samimi, legjionari i parë shqiptar

 Ish-portieri i Vlorës (dikur “Ismail Qemali) dhe i Tiranës së viteve 1930-1937, Dr. Vasfi Samimi, ka qenë ndër futbollistët e parë shqiptarë që ka luajtur jashtë kufijve të vendit. Pikërisht në Turqi, me Fenerbahçen e famshme, në vitet 1927-1928. Nëse Naim Kryeziu dhe Riza Lushta u rritën si futbollistë e më pas shpërthyen si të tillë në Italinë e viteve 1940 e më pas, Samimi ishte produkt i pastër i shkollës turke të futbollit, për aq sa luajti. Që kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit, Vasfiu kishte tërhequr vëmendjen e trajnerit të skuadrës së futbollit “Fenerbahçe” te Stambollit. Ai e ftoi në prova ku doli me sukses. Shtatlarti Vasfi Samimi u rreshtua ne mbrojtjen e kësaj skuadre në zë edhe jashtë kryeqytetit të Turqisë. Për cilësitë e tij, shkathtësi e symprehtësi, trajneri e kaloi në mbrojtjen e portës. Portieri i “ Fenerbahçes”, studenti me “shallin e verdhe” u bë i mirënjohur ne qarqet sportive, sidomos te futbollit turk. Në Turqi, në periudhën e Paraluftës së Dytë Botërore, kanë luajtur edhe Qemal Omari, madje deri në lojtar të Kombëtares turke e gjyqtar ndërkombëtar, e trajneri që i ka dhënë Skënderbeut titullin e vetëm kampion në vitin 1993, por dhe Servet Teufik Agaj, një tjetër lojtar kampion me skuadrën korçare. Riza Lushta te Juventusi, Naim Kryeziu dhe Haki Korça te Napoli, Loro Boriçi te Lacio, Sabaudin Biçaku te Voghera, janë disa nga futbollistët shqiptarë në Italinë e viteve 1940. Riza Lushta është shqiptari që ka luajtur për ngjyrat “azzure” të Napolit, edhe pse bëhet fjalë për një histori më shumë se 65 vjet më parë. Kosovari Riza Lushta, i lindur në Mitrovicë, u aktivizua me Rudarin, por në Itali shkoi pasi më parë kishte luajtur me Tiranën – fitoi 4 tituj kampionë, 1934, 1936, 1937 dhe 1939 dhe të parën Kupë të Shqipërisë, 1939. Lushta ka luajtur si sulmues me Napolin në vitet 1945-1947, teksa është aktivizuar në 27 ndeshje, duke shënuar 6 gola. Në Itali Lushta ka luajtur edhe me Juventusin, Barin, Alesandrinë, Forlin e Rapalon, ndërsa në Francë me Kanën. Në Serinë A, Lushta ka luajtur në total 170 ndeshje, duke shënuar 68 gola. Lushta, i lindur në vitin 1916, vdiq në moshën 81-vjeçare, në vitin 1997. Skënder Begeja, një ish-futbollist i shquar i Dinamos dhe i Kombëtares, i ndarë nga jeta vetëm disa javë më parë, ka qenë një prej futbollistëve të parë të pasluftës që kishte luajtur futboll një shtet tjetër, në Bullgari.

 Loriku, lojtari më i shtrenjtë shqiptar

 Shifrat e transferimve të lojtarëve shqiptarë nuk mund të konkurrojnë kurrsesi me ato të “yjeve” të përmasave botërore, megjithatë janë të respektuara. Lorik Cana dhe Erjon Bogdani janë futbollistët shqiptarë për të cilët është paguar më shumë. Për të marrë Canën nga Paris Sën Zhermeni, Marseja pagoi 4 milionë euro, Sanderlendi pagoi 6 milionë euro për ta marrë nga Marseja, dhe Gallatasaraji 4.5 milionë euro për ta marrë nga klubi anglez. Në Itali, Lorik Cana përfiton një rrogë vjetore, prej 1.7 milionë euro.

 Qemal Vogli, arratisja e “Tigrit të zi”   

 Në gusht të vitit 1956, Dinamo mori pjesë në një turne në Çekosllovaki, ish-Republikën Demokratike Gjermane dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Dinamo fitoi 3-2 me përfaqësuesen e Pragës (Resmja, Deda, Lubonja), më 4 gusht 1956. Më pas Dinamo fitoi 3-1 ndaj Dinamos së Berlinit në stadiumin “Glyh auf Kampfban”, më 22 gusht të vitit 1956, por pikërisht pas kësaj ndeshjeje Dinamoja do ta linte Republikën Demokratike Gjermane për t’u nisur drejt Bashkimit Sovjetik, pa portierin e mrekullueshëm, Qemal Vogli, i cili u arratis, ndërkohë që para tij ishin arratisur Bule Vathi dhe Bahri Kavajës (1950, në ngushticën e Bosforit). Ai u cilësua armik e tradhtar i partisë dhe pushtetit popullor. Pas kthimit të tij në Shqipëri ai u dënua në vitin 1957. Dënimi i tij i padrejtë ishte një periudhë prej 7 vite e 4 muaj. Vogli ka fituar 6 herë titullin kampion dhe 5 herë Kupën e Shqipërisë me Dinamon. Debutoi me Kombëtaren që në moshën 17-vjeçare dhe zhvilloi vetëm 11 ndeshje. U nda nga jeta në moshën 75-vjeçare.

JAPONI

Rudi Vata

(Oklohoma, 2003-2004)

KINË

Nevil Dede

(Gansha, 2008-2009)

KOREJA E JUGUT

Sokol Cikalleshi

(Incheon Junaitid, 2012-2013)

IRAN

Xhevair Sukaj

(Sehehan, 2011-2013)

Sokol Bulku

(Sepehan, 2012-2013)

SHBA

Hamdi Salihi

(DC Junatid, 2012-2015)

AUSTRALI

Besart Berisha

(Brisbejn Roar, 2011-2014)

 DISA NGA LEGJIONARËT

 Arjan Bellaj

Arjan Beqaj

Ansi Agolli

Alban Bushi

Agim Canaj

Admir Teli

Albert Duro

Altin Lala

Arber Malaj

Altin Rraklli

Albert Stroni

Andi Lila

Besart Berisha

Bekim Kuli

Bekim Balaj

Blendi Nallbani

Bledi Shkëmbi

Elvin Beqiri

Erjon Bogdani

Edgar Çani

Elton Çeno

Edmond Abazi

Ervin Fakaj

Edvin Murati

Edi Martini

Edmond Kapllani

Ervin Skela

Emiljano Vila

Devi Muka

Dorian Bylykbashi

Daniel Xhafa

Foto Strakosha

Fatmir Vata

Gentjan Muça

Geri Malaj

Gilman Lika

Gjergji Dema

Ilir Bozhiqi

Igli Tare

Ilion Lika

Isli Hidi

Hysen Zmijani

Hamdi Salihi

Jahmir Hyka

Johan Driza

Klevis Dalipi

Klodian Duro

Klodian Semina

Kristi Vangjeli

Ledian Memushaj

Lefter Millo

Lorik Cana

Lulzim Hushi

Migen Memelli

Odise Roshi

Perlat Musta

Redi Jupi

Rezart Maho

Renaldo Rama

Rudi Vata

Roland Agalliu

Renato Arapi

Samir Ujkani

Saimir Patushi

Skerdilajd Curri

Sulejman Demollari

Sokol Kushta

Uliks Kotrri

Vangjel Mile

Viktor Paço

Vioresin Sinani

Xhulian Rrudho

Xhevahir Sukaj

Legjionarët e Paraluftës

Vasfi Samimi

Riza Lushta

Naim Kryeziu

Teufik Agaj

Loro Boriçi

Haki Korça

  Drejtori sportiv Igli Tare

Igli Tare është një nga futbollistët më të shquar shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Pas eksperiencave në Gjermani dhe Itali, ai është prej tre vitesh, drejtori sportiv i Lacios, një prej skuadrave të njohura italiane, ku Igli është përgjegjësi kryesor për merkaton laciale. Një nga blerjet e tij është Lorik Cana.

 Nofkat, nga “skafisti te “Princi i Epirit”

 Nofkat e futbollistëve. Kurrsesi nuk mund të shpëtonin as futbollistët tanë. Lorik Cana thirret nga tifozët e media franceze si “Le Guerier” (Luftëtari); Altin Lala ka nofkën “xhuxhi luftarak”; Erjon Bogdani quhet ndryshe dhe “Princi i Epirit”; Florjan Myrtaj, për shkak të mënyrës së veçantë të festimit të golave, duke lëvizur flamurin e këndit sikur vozit një varkë, quhet “skafisti”; Hamdi Salihi ka marrë epitetin “Gerd Myleri shqiptar”; ndërsa Edvin Murati “Maradona i Ballkanit”. “Princi i Epirit” ju vendos Erjon Bogdanit në kohën kur ai luante Hellas Veronën në Serinë B. Bogu shënoi  17 gola atë sezon dhe si shqiptar i vendosën këtë nofkë. Iljaz Lika, – kështu thirrej Ilion Lika, portieri aktual i Tiranës, kur ai luante në skuadrën e tij çeçene, Terek Grozni. Pagëzuesi i portierit shqiptar ishte vetë presidenti i klubit dhe i rajonit të Çeçenisë, Kadirov Ramzan Ahmatoviç. Madje bosi çeçen 32-vjeçar vendosi atëherë edhe një rregull ekstrem. Kush e thërriste Likën me emrin e tij zyrtar, Ilion, merrte një gjobë të majme.

 Gola në gjithë planetin

 Golat shqiptarë e kanë pushtuar planetin. Gjeografia e golave të legjionarëve kuqezinj është e gjerë, në të pesë kontinentet: Hamdi Salihi shënon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhevair Sulaj realizon për Sepehanin e Iranit; Besart Berisha që aktivizohet në Australi shënon për Brisbane Roar, duke u shndërruar edhe në lojtarin e parë shqiptar që shënon në dy Liga Kampionesh të ndryshme, ato europiane dhe aziatike. Statistikat e golave ofrojnë Erjon Bogdanin dhe Lorik Canën që shënojnë në Itali, Elis Bakajn dhe Ahmed Januzin, realizojnë në Ukrainë; Jahmir Hyka dhe Armando Sadiku në Zvicër, Edmond Kapllani dhe Mërgim Mavraj në Gjermani; Ansi Agolli dhe Ervin Bulku në Azerbajxhan, Emiljano Vila në Greqi dhe Arbër Abilaliaj në Kroaci, etj. Sulmuesi Besart Berisha fitoi “Këpucën e Artë” në  Australi.  Në total, sezonin e kaluar, 26 futbollistë shqiptarë kanë shënuar sezonin e kaluar, jo pak, por 147 gola.

 147 gola

Shënuan në total sezonin e kaluar 26 legjionarët shqiptarë, që luajnë në të pesë kontinentet

 23 gola

realizoi kosovari Besart Berisha në Australi, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë shqiptar

 Portierët kuqezinj

Portën e ekipeve të ndryshme europiane e kanë mbrojtur Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta, Ilir Bozhiqi në Rumani, Arjan Beqaj (Greqi dhe Qipro), Isli Hidi (Ukrainë dhe Qipro), Ilion Lika (Rusi), Lulian Gjeloshi në Angli, Mario Cenolli në Angli, SHBA dhe Kanada, Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë. Dy portierët aktualë të Kombëtares, Sajmir Ujkani dhe Etrit Berisha, luajnë respektivisht në Itali (Palermo) dhe Kalmar (Suedi).

 Rikthimet e legjionarëve

Nuk ka vetëm transferime të lojtarëve tanë, por dhe rikthime të tyre në Shqipëri: mesfushori Sabien Lilaj dhe sulmuesi Arbër Abilialiaj u kthyen nga Kroacia, duke firmosur respektivisht te Skënderbeu dhe Tirana. Sulmuesi Migen Memelli përfundoi kontratën e tij në Arabinë Saudite, për të nënshkruar me Flamurtarin. I rikthyer është dhe mbrojtësi shkodran, Elvin Beqiri, që ka firmosur me Vllazninë.

 Shqipëria ngjit një kat në FIFA

 Shqipëria ngjiti një vend në ranglistën e FIFA-s, për muajin gusht 2012, duke u pozicionuar tani në vendin e 74-të nga 208 kombe që aderojnë në qeverinë botërore të futbollit, teksa në qershor renditeshim në vendin e 75-të. (Në maj ishim të në vendine  79-të). Kombëtarja e drejtuar nga italiani Xhani De Biazi ndodhet në kuotën e 448 pikëve. Në renditjen botërore ndodhemi midis Bolivisë (vendi i 73-të, 449 pikë) dhe Guinesë (75, 448 pikë). Në renditjen specifike europiane, pra të zonës UEFA, Shqipëria ka fituar një pozicion dhe tani ndodhet në vendin e 35-të nga 53 shtete. Moldavia, kundërshtarja e Shqipërisë, në miqësoren e 15 gushtit (në “Qemal Stafa”) ka ngjitur dy vendet dhe tani renditet në vendin e 137-të (213 pikë) duke ngjitur një vend. Qipro, kundërshtari i parë në eliminatoret e Botërorit 2010, ka humbur një pozicion, dhe tani klasifikohet në vendin e 123-të (266 pikë). Renditja botërore kryesohet nga kampionia e freskët e Europës, Spanja (1605 pikë), e ndjekur nga Gjermania (1474 pikë) dhe Anglia (1294).