Kupa përcakton sot çerekfinalistët

480
Sigal

Partizani përpara një misioni të vështirë në Shkodër. Skënderbeu e Flamurtari luajnë për protokoll

 Me tetë ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Edicioni të 62-të Kupës së Shqipërisë, do të përcaktohen edhe tetë skuadrat çerekfinaliste të këtij kompeticionit. Rezultatet e ndeshjeve të para favorizuan skuadrat që fituan në transfertë. Më të favorizuar nga ndeshjet e tyrit të parë dolën Skënderbeu, Flamurtari e Laçi, të cilët fituan në transfertë. Në grupin A,

Skënderbeu nuk ka pasur mëshirë për Mamurrasin e Kategorisë së Parë, duke fituar 4-1, madje mamurrzakët e realizuan golin e nderit vetëm në fund të takimit, kur Bledar Marashi shënoi në minutën e 87-të. Goleada e kampionëve në fuqi dhe liderit të Kategorisë Superiore nisi në pjesën e dytë me anë të Morinës (58’), dygolëshit të Tahirllarit (66’ e 80’) dhe firmën e Tomiçit (78’). Një kualifikim i pritshëm i katër herë kampionëve në turin e tretë, nisur edhe nga dorëzimi “vullnetar” i Mamurrasit të Ylber Zanit. Teuta nën drejtimin e Sorentinos nuk ka arritur të gjejë dot fitoren ndaj Shkumbinit të Kategorisë së Parë. 90 minutat e kthimit në “Niko Dovana” janë në favorin e Teutës.

Lushnja fitoi 1-0 me Tiranën. Një gabim i pafalsshëm portierit Caka në pjesën e parë i ka dhënë mundësinë Fatjon Topit që të shënojë dhe ta vulosë fatin e duelit në minutën e 17-të. Fitorja 2-0 e Laçit në Kavajë i jep të drejtë skuadrës së Stavri Nicës të ëndërrojë qysh tani turin e tretë. Vuçaj dhe Ndreca janë autorët e dy golave bardhezinj, që kanë superuar me lehtësi formacionin rezervë të kavajasve. Në grupin B, kryesfida e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia, u mbyll në barazim pa gola pavarësisht lojës së fortë dhe dëshirës së madhe të të dyja palëve. Si Partizani, ashtu dhe Vllaznia, shpërdoruan disa raste shënimi, por rastin më të pastër e patën shkodranët. Gjithçka mbetet e hapur në këtë çift, sa i takon skuadrës që do përparojë në turin e tretë. Do të jetë sfida e kthimit në “Loro Boriçi” ajo që do të vendosë, nëse Vllaznia, gjashtë herë fituese e Kupës do të vazhdojë në turin e tretë, apo Partizani që e ka fituar 15 herë kompeticionin. Bylisi dhe Kastrioti u ndanë në barazim 1-1, kështu gjithçka është e hapur në kualifikimin në Krujë, aty ku Kastrioti është i favorizuar për shkak të golit në fushën kundërshtare. Një gol në kohën shtesë i Papës (91’) i dha fitoren Apolonisë në sfidën me Kukësin, duke u prishur disi “humorin” nënkampionëve të vendit, që mbërritën në “Loni Papuçiu” pas katër fitoreve rresht.  Kukësi, pavarësisht kësaj disfate minimale ka potencialin dhe karikimin e duhur për ta kthyer gjithçkë në favotin e tij. Flamurtari është më një këmbë në turin e tretë, falë fitores 2-0 me Tomorin në Berat. Golat për vlonjatët u shënuan nga Orjad Beqiri (32’) dhe Ardit Shehaj (45’+2).

Takimet e turit të tretë do të zhvillohen vitin tjetër më 12 dhe 26 shkurt, teksa për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet 4 ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Ndeshjet do të luhen më 26 mars dhe 9 prill 2014. Ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet në 17 maj 2014 në një stadium të përcaktuar nga FSHF-ja. Nëse dy ekipet janë nga i njëjti qytet, atëherë ndeshja finale luhet në stadiumin përkatës të atij qyteti. Ekipi pritës për ndeshjen finale do përcaktohet me short të lirë. Trofeu i Kupës së Shqipërisë është i dyti për nga rëndësia në kampionatin shqiptar. Kjo për dy arsye: së pari për financat që të sjell (FSHF-ja jep 50 milionë lekë) dhe, së dyti, për faktin se fituesi merr pjesë në turin e parë të Ligës së Europës (pra merr minimalisht 120 mijë euro, gjithnjë nëse nuk arrin të kualifikohet në turin e dytë, ku shifrat rriten në proporcion). Janë dhjetë skuadra të cilat e kanë fituar të paktën nga një herë Kupën e Shqipërisë: Partizani (15), Tirana (15 trofe), Dinamo (13), Vllaznia (6), Flamurtari (3), Teuta (3), Elbasanin (2), Apolonia (1), Besa (1) dhe së fundi Laçi (1). Fituesi i fundit i Kupës është Laçi, që mundi në finale e sezonit të kaluar, Bylisin me rezultatin 1-0.

Grupi A

Skënderbeu-Mamurrasi (4-1)

(Golat: Morina 58’, Tahirllari 66’, 80’, Tomic 78’/ Marashi 87’)

Tirana-Lushnja       (0-1)

(Golat: Topi 17’)

Teuta-Shkumbini      (0-0)

Laçi-Besa            (2-0)

(Golat: Vucaj 45’, Ndreca 74’)

Grupi B

Flamurtari-Tomori    (2-0)

(Golat: Beqiri 32’, A.Shehaj 45+2’)

Kastrioti-Bylis      (1-1)

(Golat: Karapici 32’/ Bakiu 37’)

Kukësi-Apolonia      (0-1)

(Golat: Papa 90+1’)

Vllaznia-Partizani   (0-0)

Shënim: -Rezultatet dhe autorët e golave janë të ndeshjeve të para

 Atletja Luiza Gega do të trajnohet në Kenia, ndërsa në Lojërat Dimërore merr pjesë Suela Mëhilli

 Bezhani: “Sportistët cilësorë, trajnim në qendra të specializuara”

 Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është i angazhuar, për të mbështetur sportistët cilësorë të cilët synojnë rezultate të larta sportive dhe gjithashtu për kualifikimin në Lojërat Olimpike qoftë ato Dimërore apo Verore. “Jemi këtu sot (dje), për të nënshkruar marrëveshjen së bashku me Federatat Sportive përkatëse atë të Atletikës dhe të Skive, për të mundësuar mbështetjen e dy sportisteve për një trajnim më të specializuar”, – tha Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani. “Njëra është sportistja Luiza Gega me të cilën nisim procedurën e trajnimit të saj në një nga qendrat e nivelit të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF) që ndodhet në Kenia. Përveç synimit për përgatitjen e saj për një rezultat dinjitoz përpara Kampionatit Botëror me salla të mbyllura që zhvillohet në Poloni në muajin mars 2014, synimi i KOKSH-it është afatgjatë, përgatitja e saj për kualifikimin në “Rio 2016”. Është hera e parë që, fillojmë mbështetjen e sportiste te caktuar pothuajse tre vjet përpara Lojërave Olimpike. Për ne kjo nënkupton fillimin e ndërtimit të Ekipit Olimpik për “Rio 2016”, – theksoi Bezhani. Sportistja e dytë që përfiton Bursën Olimpike “Sochi 2014”, është skiatorja Suela Mëhilli e cila stërvitet ne Itali. “KOKSH-i ka negociuar fort me Solidaritetin Olimpik, për të siguruar një bursë të dytë për një kandidat potencial për kualifikimin në Lojërat Olimpike “Sochi 2014”, – tha Bezhani. Në të njëjtën kohë, Erjon Tola që po vijon stërvitjen dhe garat për “Sochi 2014”, përfiton bursën Olimpike qe nga nëntori 2012. Kjo është historike për Shqipërinë pjesëmarrja me dy sportistë ne Lojërat Olimpike dimërore dhe hera e pare me sportiste femër “Ne si KOKSH kemi marrë angazhimet tona për mbështetjen e sportisteve cilësore dhe padyshim që për të realizuar projektin tonë që, të rrisim numrin e sportisteve qe marrin pjese ne Lojërat Olimpike, na duhet të bashkëpunojmë ngushte me federatat sportive dhe gjithashtu me institucionet publike sportive për të bashkëpunuar në sinergji të plotë dhe bashkërenduar aktivitetet, objektivat dhe mundësitë tona të përbashkëta”, – përfundoi Bezhani. Të pranishëm në nënshkrimin e kontratave ishin edhe Gjergj Ruli, zv.President  i KOKSH, Kryetar i Komisionit Teknik te KOKSH dhe President i Federatës Shqiptare te Atletikes si dhe Shkëlqim Mema, President i Federatës Shqiptare te Skive.