Kukësi merr kreun falë Skënderbeut, në një barazim që ka “aromë titulli”

451
Sigal

Një ndeshje e bukur u luajt mbrëmë në Korçë, ku u vu theksi tek loja e bukur dhe tifozeria e madhe në shkallët e stadiumit

Një ndeshje e madhe u zhvillua dje në Superligën shqiptare, ku rezultati final foli më shumë për Kukësin, por jo loja e zhvilluar. Një barazim në minutat e fundit i jep Kukësit kryesimin në renditjen e tabelës, duke vendosur kështu diktatin në javën e 23-të. Një ndeshje e bukur, stadiumi plot dhe mbi të gjitha futboll ishte ajo që u pa mbrëmjen e djeshme, ku kampionët në fuqi treguan një shpirt gare dhe një ndeshje të madhe, por pak nga pasaktësia dhe pak nga mungesa e fatit, nuk arritën që të dilnin me pikët maksimale pas ndeshjes, falë edhe asaj penalltie të shkaktuar në minutat e fundit nga të besuarit e Josës. Me një përmbledhje të shkurtër dhe me sytë drejt renditjes, duket se titulli do të ndërrojë “derë”, për të vizituar pjesën verilindore të Shqipërisë, duke lënë pas juglindjen, pasi mund të thuhet me bindje të plotë se Kukësi është ekipi që ka treguar qëndrueshmëri më të madhe se të gjithë ekipet e tjera që luftojnë për titull.

Pjesa e parë

Në pjesën e parë u pa më së shumti sulmi që po shfaqte Skënderbeu ndaj kukësit, duke ndërtuar shumë aksione, ku më të dalluarit ishin rastet e Lilaj dhe Berisha. Pavarësisht provave të Skënderbeut, përsëri rezultati u mbyll 0-0 për pjesën e parë, duke dhënë një shtysë më të madhe për të dy ekipet për pjesën e dytë. Në pjesën e parë, rast për tu përmendur ishte edhe prekja e topit me dorë nga një lojtar i Kukësit, rast ky që bëri trajnerin Josa të kërkonte një penallti, por diçka e tillë nuk ndodhi. Po në pjesën e parë, në minutën e 13-të, erdhi dhe dëmtimi i Tefik Osmanit, i cili u zëvendësua menjëherë, zëvendësim ky i detyruar, që në një farë mënyrë ia prishi pak a shumë skemat trajnerit.

Pjesa e dytë

Një pjesë e dytë që sheh një Skënderbe edhe më të vendosur në rrugën për të gjetur golin, duke arritur madje të shënojnë në minutën e 52-të, nëpërmjet Abazit, pasi ky i fundit mori topin nga Lilaj. Një nisje e mbarë për juglindorët, që patën edhe raste të tjera që të dyfishonin rezultatin, sidomos në minutën e 66 ku Nimaga-Martins nuk arritën të kthenin një mundësi të artë në gol. Për tu përmendur është edhe rasti i minutës së 91-të, ku Alikaj humbi përsëri një rast tjetër, ndoshta rasti më flagrant, që do i jepte Skënderbeut edhe golin e qetësisë. E edhe në këtë ndeshje u vu në zbatim rregulli i pashkruar i futbollit, që po nuk shënove do të pësosh e për këtë mendoi Zeqiri që ktheu në gol një penallti të fituar në minutën e 3-të shtesë, atëherë kur edhe vetë Kukësi nuk besonte më në barazim. Ky rezultat është padyshim si një fitore për kuksianët, nisur nga fakti se barazuan vetëm në fund, e kjo falë një penalltie, ishin shumë me fat gjatë gjithë ndeshjes e dalin me një pikë në një ndeshje që cilësohej si e humbur, deri pak sekonda para se të mbyllej kjo sfidë.

 

 

 

Tifozeria, pjesa më e bukur e ndeshjes

Kryendeshja e javës së 23-të, aty ku u bashkuan dy nga tifozeritë më të organizuara në kampionat, e ajo që u vu re ishte padyshim kultura që përcollën gjatë gjithë takimit, duke mos lënë shkas për grindje apo sjellje të papranueshme në futboll. Një frymë pozitive gjatë gjithë ndeshjes, ku tifozët e secilës skuadër mbështesnin ekipin e tyre. Një mbështetje e madhe në numër nga “Armata e Veriut” për Kukësin, duke qenë të shumtë në numër dhe po ashtu shumë të organizuar, e nga ana tjetër, po të shumtë ishin edhe të zotët e shtëpisë, “Ujqërit e dëborës”, që ngritën Korçën në këmbë për t’i nxitur të gjithë që të shkonin drejtë stadiumit për të mbështetur ekipin. Një festë e bukur ajo e djeshmja në Korçë dhe futbolli për këtë ka nevojë, për kulturë shfaqje të saj nga të gjithë.

Takaj dhe Gjici: Ne jemi rival në futboll por aspak armiq

Duket se deklaratat e ditëve të fundit, mes Gjicit dhe Takaj, ndërtohen nga vetë presidentët vetëm për një qëllim, që presioni të bjerë mbi ata, duke i lënë “rehat” futbollistët. Të paktën këtë të bëjnë të mendosh kur i dëgjon të shprehen se “janë vetëm rivalë në futboll, aspak armiq”, diçka që sigurisht nuk do shumë mund dhe mend për tu kuptuar, por gjithsesi duket çdo gjë më mirë kur e pranojnë vetë ata.

Bledi Shkëmbi ndjek ndeshjen me tifozët, lë tribunën VIP

Mungesa e Shkëmbit ishte e parashikuar për trajnerin Josa, nisur nga kartoni i kuq që mori në ndeshjen ndaj Apolonisë, por sigurisht që nuk rrinte dot pa parë ndeshjen, edhe pse ka zgjedhur një mënyrë shumë të veçantë, duke mos e ndjekur nga tribuna VIP, por duke shkuar në mesin e tifozëve korçarë, ku madje nuk kanë ngurruar as fotot me tifozët.

1 Kukësi 23 15 3 5 48
2 Tirana 23 14 5 4 47
3 Skënderbeu 23 13 6 4 45
4 Partizani 23 13 5 5 44
5 Laçi 23 10 8 5 38
6 Flamurtari 23 9 7 7 34
7 Vllaznia 23 9 2 12 26
8 Teuta 23 6 1 16 19
9 Elbasani 23 4 0 19 12
10 Apolonia 23 2 3 18 9

Rezultatet e javës së 23-të

Vllaznia 2-0 Apolonia

Laçi 3-0 Tirana

Partizani 2-1 Teuta

Elbasani 0-1 Flamurtari

Skënderbeu 1-1 Kukësi