Kampionati i turpit, sezoni i trukuar

498
Sigal

Pesë faktet e mëdha që, diskreditojnë sezonin: nga përjashtimi i Bylisit, te braktisja e Besës

Kampionati i 75-të i Kategorisë Superiore do të mbahet mend gjatë, si më i diskutuari në futbollin shqiptar, për vetë episodet e pakëndshme dhe dyshimet e shumta për rezultate të paravendosura, të cilat kulmuan me “fitoret” e porositura të javës së 33-të. I dëmtuari i madh Partizani, edhe pse të kuqtë fituan në një ndeshje teatrale, ashtu siç fitoi në sfidë komike Teuta, apo në një tolerancë ekstreme Laçi. Futbolli shqiptar është ndër më të dyshuarit në Europë, për parafiksime rezultatesh dhe toleranca e treguar gjashtë ndeshjeve të së shtunës bie erë shumë të keqe. Një kampionat i turpshëm, një sezon i trukuar! Në pamje të parë, verdiktet e kampionatit të japin përshtypjen se gjithsecili ka marrë atë që i takon, por nëse e analizon të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur gjatë 33 javëve kuptohet se problematikat kanë qenë serioze. Përtej shfaqjes së dhunës në disa momente të veçanta, ku veçohen goditja e presidentit Ardian Takaj në Vlorë, skandali me “Zeqir Ymeri” të Kukësit ku u tentua të dhunoheshin gjyqtarët e sfidës Kukësi, përjashtimi i Bylisit nga kampionati dhe mosparaqitja e Besës në sfidën e fundit me Tiranën në shenjë proteste ndaj gjykimeve të njëanshme, ishin pikat kulminante e situatave negative që prishën imazhin e futbollit në vend dhe që ndikuan edhe në garë. Nëse ballshiotët që do qëndronin në garë deri në fund, do të kishim të tjerë skenarë në luftën për mbijetesë.

 1. FIKSIME REZULTATESH

Laçi fitoi 2-1 në Korçë me Kampionin e Shqipërisë, Skënderbeun; Teuta fitoi 3-1 në Shkodër me Teutën; Flamurtari fitoi 3-1 në Krujë me Kastriotin dhe Partizani fitoi 4-2 në Lushnjë. Kukësi fitoi në tavolinë me Bylisin e përjashtuar, ndërsa Tirana nuk e zhvilloi (fiton në tavolinë) me Besën që e braktisi kampionatin pikërisht në javën e fundit, duke akuzuar për aleanca dhe vendime të padrejta gjyqtarësh kundër saj. Gjithçka e kurdisur! Tirana, e cila e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e fundit me vetëm 12 pikë në 16 javë, në 17 javë grumbulloi 38 pikë, duke grumbulluar në këtë hark ndeshjesh, 10 pikë më shumë se Skënderbeu që fitoi kampionati. Korçarët koleksionuan në pjesën e datë të sezonit vetëm 28 pikë. 24-herë kampionët e Shqipërisë arritën ta siguronin mbijetesën falë një ecurie prej kampioni për pjesën e dytë të sezonit, ku nuk munguan edhe aludimet për tolerim, si në rastin e fitores në Korçë me kampionët e Skënderbeut. Në tetë ndeshjet e fundit, në harkun e javëve 26-33, Skënderbeu pësoi pesë humbje, duke arritur vetëm dy fitore dhe një barazim, pikërisht atë 3-3 me Kukësin, ky siguroi dhe titullin, por në një ndeshje me gola të turpshëm. Korçarët humbën me Vllazninë, Tiranën, Flamurtarin, Teutën, Laçin, duke u dhënë pikë të vlefshme kundërshtarëve të Partizanit. Por paragjykime pati edhe për Vllazninë, e cila i rreshtoi fitoret pas emërimit në krye të skuadrës të malazezit Dervish Haxhiosmanovic. Ecuria e Lushnjës dhe Kastriotit krijon një dyshim të madh. Lushnja pësoi 11 humbje në 12 takime, duke fituar vetëm atë në tavolinë me Bylisin, ku në katër takime ka humbur me rezultatin tipik bastesh 4-2! Kastrioti ka humbur shtatë nga tetë takimet e fundit, duke fituar edhe ai vetëm ndeshjen në tavolinë me Bylisin!

 2. DHUNA NË STADIUME

Më 15 shtator 2013, pra në javën e 2-të të këtij sezoni,  Flamurtari, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, goditjen e Presidentit të Skënderbeut, Adrian Takaj dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve në takimin Flamurtari-Skënderbeu (java e 2-të) u dënua me 4 ndeshje jashtë fushe, e shoqëruar kjo edhe me heqjen e tri pikëve nga klasifikimi, por në fuqi mbeti rezultati i ndeshjes 2-1 për vlonjatët. Pra, Flamurtari u dënua vetëm me katër ndeshje jashtë fushe dhe nuk u përjashtua. 15 shtator 2013 – Flamurtari, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, goditjen e Presidentit të Skënderbeut, Adrian Takaj, dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve në takimin Flamurtari-Skënderbeu (java e 2-të) u dënua me 4 ndeshje jashtë fushe, e shoqëruar kjo edhe me heqjen e tri pikëve nga klasifikimi, por në fuqi mbeti rezultati i ndeshjes 2-1 për vlonjatët. Pra, Flamurtari u dënua vetëm me katër ndeshje jashtë fushe dhe nuk u përjashtua. Po, më 15 shtator 2013, Kukësi u dënua me katër ndeshje jashtë fushe, për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të ndeshjes Kukësi-Vllaznia (java e 2-të). Gjyqtari kryesor u detyrua ta mbyllë lojën pa u konsumuar 90 minuta të plota. Tifozët vendës të irrituar me lojën e skuadrës kanë nisur të ofendojnë lojtarët dhe hedhin sende në fushë. Pra, Kukësi u dënua vetëm me katër ndeshje jashtë fushe dhe nuk u përjashtua. Më 7 dhjetor 2013, në fund të sfidës së javës së 14-të të Kategorisë Superiores, Kukësi-Skënderbeu në “Zeqir Ymeri”, nga punonjës së Bashkisë së Kukësit pati tentativa të qarta për të dhunuar arbitrin kryesor, Enea Jorgji, i cili e mbylli sfidën disa sekonda para se duhej, apo goditja e ndonjë lojtari korçar në mjediset e brendshme të stadiumit. Komisioni i Disiplinës vendosi që Kukësi t’i luajë katër ndeshjet e ardhshme si pritës jashtë stadiumit të vet, ndërkohë që trajneri Shensoi u pezullua 12 javë.

 3. DËNIMET DHE GJOBAT

 Duke para dënimet e Disiplinës ndaj klubeve për zhvillimin e ndeshjeve në fushat e tyre pa praninë e shikuesve apo dhe jashtë stadiumet të tyre do të konstatonim disa fakte jo pa interes.

Kuksianët vendosën një rekord origjinal këtë sezon, pasi u bënë vetmja skuadër që u dënuan tri herë. Kukësi është dënuar edhe dy herë të tjera gjatë këtij sezoni, madje për të zhvilluar tetë ndeshje jashtë fushës së tij, dy herë me nga katër ndeshje. Për herë të parë, Kukësi që bëri histori në Ligën e Europës, duke qenë skuadra e vetme që kaloi tre tyre eliminatore në kompeticionet europiane, u dënua me katër ndeshje jashtë fushe, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të ndeshjes Kukësi-Vllaznia (Vendimi: 17 shtator 2013). Pa shikues kanë luajtur këto ekipi: Besa (2), Vllaznia (2 ndeshje), Bylis (2), Skënderbeu (2), Laçi (1), Partizani (1), Lushnja (1). Jashtë fushës së tyre kanë luajtur: Kukësi (8) dhe Flamurtari (4). Duke parë dënimet me gjoba ndaj klubeve nga ana e Komisionit të Disiplinës, do të verifikonim lehtësisht se të 12 skuadrat e Superligës janë dënuar të paktën nga një herë me gjobë. Shuma në total arrin në 2 milionë e 150 mijë lekë. “Rekordin” përsa u përket gjobave e mban Tirana, me gjashtë tilla, më shumën në total prej 650 mijë lekësh, përfshirë he  200 mijë lekë janë për shkatërrimin e stolave nga ana e tifozëve bardheblu të stadiumit të Korçës. Në podiumin e ekipeve më fatura të larta gjobash janë dhe Kukësi me 300 mijë lekë dhe Vllaznia me 25 mijë lekë. Interesant është fakti se, Bylisi, i cili është përjashtuar prej të paktën gjashtë javësh nga kampionati është dënuar vetëm me 100 mijë lekë.

 4. PËRJASHTIMI I BYLISIT

Më 15 mars, erdhi dhe dënimi ekstrem ndaj Bylisit, kjo për shkak të dhunës së ushtruar në fund të ndeshjes Bylis-Laçi nga ana e ish-Presidentit të klubit, Besnik Kapllanaj ndaj shefit të Sektorit të Garave të FSHF-së, Besnik Çela. Ngjarja e shëmtuar ndodhi pasditen e 15 marsit, kur Kapllanaj goditi me Çelën, me këtë të fundit që mori ndihmën mjekësore në spitalin e Fierit, duke mos pasur asnjë qoftë dhe problemin më të vogël në lidhje me shëndetin e tij. Në fakt, Bylisi-Laçi u kthye në një kaos të vërtetë edhe pse u luajt pa praninë e spektatorëve për shkak të dënimit të fushës së klubit ballshiot. Kulmi i tensionit arriti në minutën e 89-të, kur gjyqtari Olsi Sokoli akordoi një penallti në favor të Laçit. Në këtë moment takimi u ndërpre 7 minuta. Lojtarët e Bylisit, stafi teknik dhe tifozët që qëndronin jashtë stadiumit, u irrituan pa masë me këtë vendim të arbitrit. Gjatë kësaj ndërprerjeje, tifozët në shenjë proteste dhe inati kanë hedhur në fushë gurë, banane, vezë dhe çakmakë. Zona në portën e mbrojtur nga Frashëri, ku dhe do të goditej 11-metërshi, ishte e mbuluar nga sende të ndryshme. Më pas, në tunelin e dhomave të zhveshjes, presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, goditi Besnik Çelën, teksa më pas zëvendëssekretari i FSHF-së mori ndihmën mjekësore në spitalin e Fierit. Tri ditë më pas, Besnik Kapllanaj dha dorëheqjen si presidenti i Bylisit.

 5. BRAKTISJA E BESËS

Me aktin e tij të paprecedent, për të mos e lejuar ekipin e tij që të luante ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Tiranës, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, vendosi të mos e respektojë javën e fundit të kampionatit. Ai ka bërë të ditur se skuadra verdhezi nuk do të jetë e pranishme në kryeqytet për t’u përballur me Tiranën, në kuadrin e javës përmbyllëse të Superiores, veprim të cilin e konsideroi si njëlloj proteste karshi padrejtësive që i janë bërë Besës, sipas tij, në këtë kampionat. Kreu i klubit verdhezi mendon se rënia e të tijve një kategori më poshtë është fryt i gjykimeve haptazi kundër Besës, ndaj edhe e bojkotoi përballjen me bardheblutë. Besa bojkotoi në shenjë proteste, ndaj mbetej të luheshin vetëm katër takime të tjera. Thënë ndryshe, kavajasit dorëzohen para kohe, edhe pse matematikisht kishin disa shpresa të pakta mbijetese nëse fitonin në “Qemla Stafa” dhe Flamurtari apo Vllaznia mundeshin në ndeshjet e tyre respektive. Me bojkotin e Besës, Vllaznia dhe Flamurtari luanin të qeta dhe pa objektiva. Një lëvizje e tipit “shah-mat” kjo e Bizhdilit, që duket se ka nxjerrë jashtë loje tendosje apo llogari të të tjerëve, kush për t’u bërë pengesë në funksion të një përfitimi të çastit, dikush tjetër për të hequr një “pengesë” në rrugën drejt Kupave të Europës

  Enigma e fundit

 Gjithsesi, Skënderbeu u shpall kampion i Shqipërisë për të katërtën herë radhazi dhe të pestën në histori, Bylis, Lushnja, Kastrioti dhe Besa do të luajnë një Kategori më poshtë sezonin e ardhshëm, ndërsa Kukësi dhe Laçi siguruan pjesëmarrjen në Europa League. Mbetet për t’u përcaktuar skuadra e katërt që do të luajë në Europë, e cila do të jetë një mes Flamurtarit dhe Teutës. Nëse vlonjatët triumfojnë në finalen e Kupës së Shqipërisë do ta jenë ata që presin biletën e fundit për në Europa League, në të kundërt, e drejta për të përfaqësuar Shqipërinë në futbollin ndërkombëtar bashkë me Skënderbeun, Kukësin dhe Laçin, i mbetet Teutës.

EKIPET E GJOBITURA

GJATË KËTIJ SEZONI

Tirana  650 mijë lekë

Kukësi 300 mijë lekë

Vllaznia 225 mijë lekë

Partizani     200 mijë lekë

Skënderbeu 150 mijë lekë

Teuta            150 mijë lekë

Laçi              125 000 lekë

Bylis     100 mijë lekë

Flamurtari 120 mijë lekë

Kastrioti       50 mijë lekë

Besa             50 mijë lekë

Lushnja 30 mije lekë

Shuma në total: 2 150 000 lekë

DËNIMET E FUSHAVE

Pa spektatorë

Besa             2 ndeshje

Vllaznia 2 ndeshje

Bylis            2 ndeshje

Skënderbeu  2 ndeshje

Laçi              1 ndeshje

Partizani       1 ndeshje

Lushnja 1 ndeshje

Jashtë fushe

Kukësi 8 ndeshje

Flamurtari    4 ndeshje

Total: 23 ndeshje

JA VERDIKTET

1. Skënderbeu është kampion për sezonin 2013- 2014.

2. Bylisi i përjashtuar, Besa, Lushnja dhe Kastrioti kanë zbritur automatikisht në Kategorinë e Parë. Sipas skemës së paracaktuar, klubet e renditura në vendet 9, 10, 11 dhe 12 bien menjëherë nga Kategoria Superiore.

3. Sezoni 2014-2015 do të jetë me 10 ekipe. Nga Kategoria e Parë janë ngjitur në Superiore nga ky sezon, Elbasani dhe Apolonia.

KUPAT E EUROPËS

1. Klubi kampion për sezonin 2013-2014 (Skënderbeu), do të marrë pjesë në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve.

2. Klubi që shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës.

3. Klubi i renditur në vendin e dytë për sezonin 2013-2014 (Kukesi) do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës.

4. Klubi i renditur në vendin e tretë (Laci) për sezonin 2013-2014 do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës.

5. Nëse klubi i renditur në vendin e dytë në klasifikimin përfundimtar të kampionatit fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë klubi i renditur në vendin e katërt (Teuta), do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës.

Kategoria Superiore,

sezoni 2014-2015

Skënderbeu

Kukësi

Laçi

Teuta

Partizani

Tirana

Flamurtari

Vllaznia

Elbasani

Apolonia

Kategoria e Parë,

sezoni 2014-2015

GRUPI A

Dinamo

Kastrioti

Tërbuni

Burreli

Iliria

Besëlidhja

Kamza

Mamurrasi

Ada

Veleçiku

GRUPI B

Besa

Bylisi

Lushnja

Luftëtari

Butrinti

Tomori

Pogradeci

Shkumbini

Naftëtari

Sopoti