Judmir Meta: “Ju tregoj si u arratisëm me Altin Lalën”

582
Sigal

Ish-futbollisti i Flamurtarit, tashmë ka hapur një shkollë portierësh në Fulda të Gjermanisë

 Judmir Meta, një ish-futbollist i Kombëtares U-16 të Shqipërisë 1990 dhe më pas një portier i Borusias Fulda (1992-1999), dhe tani trajner portierësh në qytetin e Fuldas (64 mijë banorë), landi Hese, në qëndër të Gjermanisë, tregoi për gazetën gjermane “Fuldaer Zeitung” detaje edhe për arratisjen në Gjermani, së bashku me Altin Lalën, ish-kapitenin e Shqipërisë, kur këtë të dy ishin ende adoleshentë. Gjithçka ndodhi pas një ndeshje miqësore të zhvilluar midis dy përfaqësueseve, në Hofenhaim. Judmir Meta, një ish futbollist i moshave të Flamurtarit (1986-1991) ishte personazhi special i gazetës gjermane, që i ka kushtuar një reportazh gjatë festimit të Krishtlindjeve në shtëpinë e shqiptarit, ku ishin mbledhur miq të tij nga vende të ndryshme dhe me fe të ndryshme. “Prej shtatë apo tetë vjetësh ne e kemi shndërruar në një ritual, që ne të takohemi me shumë miq. Këta janë gjermanë, italianë, maqedonas, turkë. Disa janë katolikë, të tjerët janë gjermanë, ndërkohë që unë vetë jam musliman”, – tregon Meta, i cili çmon se festa e Krishlindjeve bëhet më mirë në Gjermani, se kudo tjetër. “Deri në vitet 1990, në ish-regjimin e Shqipërisë ishte ndaluar çdo besim i të githa religjioneve. Një nga ata që nuk besoja isha dhe unë”, – tregon Meta 36-vjeçari Judmir Meta, i cili në nëntor të vitit 1991, kur ishte vetëm 14 vjeç, gjatë një ndeshje te Kombëtares shqiptare U-16 në Ofenheim, së bashku me Altin Lalën u arratis në Gjermani. Gjithçka ndodhi pas ndeshjes në stadiumin “Bieberer Berg”, ku humbën 8-1 kundër Gjermanisë së Lars Rikenit, teksa dhjetë lojtarë të Kombëtaren U-16 shqiptare vendosën të mos ktheheshin më në Shqipëri. Dy prej tyre ishin: Altin Lala dhe Judmir Meta, i pari mesfushor dhe i dyti, portier. Në atë kohë, Shqipëria kishte filluar të hapej pak, ishte në një ndryshim rrënjësor, por kishte një varfëri të hidhur. Dhjetë futbollistët e vegjël fjetën në një dhomë hoteli, ndërsa kishin vetëm pak marka në xhep, dhe asnjë prej tyre nuk e dinte gjuhën gjermane. Por, pas 21 vjetësh gjerat janë krejt ndrushe për Metën. Ai është një trajner portierësh, madje ka hapur dhe shkollën e tij: “Keeper’s Personality”. “Feja ime është futbolli. Kjo mund të tingëllojë komike, por është shumë e ndershme: futbolli shkon me çdo shoqëri shumë mirë. Aty takohen të rinj dhe pleq, të varfër dhe të pasur. Në një fushë sportive janë të gjithë të barabartë. Futbolli i lidh. Kjo është për mua një fenomen”, – tha Meta, i cili ka njohur përmes futbollit njerëz nga gjysma e botës. Dhe kështu, “gjysmë Europa”, të martën në mesditë ishin mbledhur te shtëpia e Metës, duke gatuar së bashku, duke ngrenë, pirë dhe festuar. “Ne u takuam mbasditen. Unë kisha bërë gati ndërkohë një patë. Por kishte  makarana dhe patate në variacione të ndryshme, shumë patëllxhane. Gruaja ime bëri supë dhe sallatë”, – rrëfehet Meta për gazetën gjermane. “Përveç kësaj secili solli me vete nga një specialitet nga atdheu i tij. Italinët bëjnë një lloj tiramusie të shkëlqyer”, – tregon ish-portieri, të cili i lëshon lëng goja. Sigurisht që, në tryezë nuk mund të mungonte dhe pija tradicionale shqiptare. “Pati dhe raki. Kjo është në Shqipëri pija jonë kombëtare. Përsa i përket verës, ne do të bëhemi njëlloj si italianët”. Judmir Meta është një figurë popullore në Fulda. Ai është trajner i fëmijëve, që janë dhe handikapë. Së fundi, talentet që stërvit shqiptari u takuan me moshatarët e tyre në Johansbuerg të Afrikës së Jugut. Dhjetë fëmijë të moshës midis 10 dhe 15 vjeç pa probleme fizike u bashkuan me fëmijë të një ekipi me tetë fëmijë dhe të rinj të moshës midis 7 dhe 16 vjeç, që kishin probleme dëmtimesh fizike. Meta është një njohës i mirë i botës së fëmijëve dhe punon shumë nga ana psikologjike.  Në portalin e faqes “Keeper’s Personality”, trajneri Judmir Meta shkruan: “Portieri është pika kryesore e ngjarjes, dhe shpesh vendos me personalitetin e tij fitoren apo humbjen. Ky është një rol specifik, dhe kërkon në të njëtën kohë trupin, shpirtin dhe trupin në të njëjtën masë. Duhet një përgatitje e balancuar në të tri këto fusha”. Si një ish-portier i Borusias Fuldas ai e njeh mirë këtë anë. “Ka njerëz që, dhurojnë para. Por, ne jemi të mendimit se, puna në bazë ështr baza e të gjithave. Ajo është e rëndësishme. Për lojtarët e mi është gjithashtu e rëndësishme të mësojnë se ju keni dhe përgjegjësi sociale. Këto gjëra i bën vetëm futbolli”.

Judmir Meta

Skaut

Datëlindja: 16.11.1976

Kualfikimi: Trajner me licencën A. Anëtar i Lidhjes Gjermane të Mësuesve të Futbollit, BDLF.

Karriera si lojtar

1986 – 1991 Fiamurtari (Të rinjtë)

1992 – 1999 SC Borussia Fulda, Regionalliga, Oberliga Hessen

2000 Përfundon karrierën për shkak të një dëmtimi

Lojtar i Kombëtarës Shqiptare për të Rinj

Karriera si trajner

 1999 – 2005 SC Borussia Fulda A-, B-, C-, E-Të rinjtë

2005 – 2006 SC Borussia Fulda II, Kreisoberliga Fulda

2007 – 2009 FV Horas, Gruppenliga Fulda

2009 – 2010 SC Borussia Fulda, Hessenliga/ Verbandsliga

 Berisha fiton në Australi

 Brisbejn Roar i Besart Berishës fitoi 1-0 në transfertën me Adelaide Junaitid të vendit të dytë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit australian. Sulmuesi kosovar e nisi si titullar, por  u zëvendësua për arsye taktike në minutën e 92-të. Golin e vetëm të takimit u shënua nga braziliani Henrike Silva në të 65’. Kjo ishte fitorja e parë e Brisbejn pas dy humbjesh dhe një barazimi. Brisbejn, kampione në fuqi e Australisë, pas kësaj fitoreje ndodhet në vendin e 7-të me 14 pikë.

 Lugano vendos çmimin:“Armando Sadiku kushton pesë milionë euro”

 Sulmuesi shqiptar i Luganos dhe i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, mund të shndërrohet në futbollistin e dytë shqiptar më të shtrenjtë pas kapitenit Lorik Cana, vlera e të cilit në treg është 10 milionë euro. Klubi zviceran ka vendosur edhe çmimin e tij: 5 milionë euro. Kur Sadiku u transferua në vitin 2010 nga Elbasani te Lokarno, kartoni i tij u ble në parametra zero. Por, dy vjet më pas, ai tani kushton 5 milionë euro. Në fakt, Lokarno ia shiti Luganos për vlerën e 700 mijë frangave, rreth 580 mijë euro, ndërkohë që ai vlen tani 10 herë më shumë, pra 5 milionë euro. Lugan, skuadër e katergorisë së dytë zvicerane, ka vendosur këtë çmimin për golashënuesin më të mirë të Challenge League.  Pretenduesit më të mëdhenj për sulmuesin kuqezi janë nga Italia, ndërsa më pas vjen Gjermania. Çmimi i vënë nga Lugano e tejkalon edhe klauzolën e largimit të parashikuar në kontratë në momentin e transferimit nga Lokarno. Vetë Sadiku ka bërë të ditur më parë se klauzola është në vlerën tre milion franga, rreth 2.5 milionë euro, madje lojtari mendonte se klubi mund të ulej edhe më tepër nëse dikush do ta merrte që në janar elbasanasin. Deri tani ka ndodhur e kundërta, pasi zviceranët e kanë dyfishuar shifrën e largimit, megjithatë vështirë se dikush do t’ua plotësonte të gjitha dëshirat. Shifra të tilla do të ishte i gatshëm të paguante pa mëdyshje vetëm ndonjë klub nga Anglia, ku një futbollist shqiptar e ka thuajse të pamundur të sigurojë lejen e punës. Ndaj është normale të mendohet se në rast se ndonjë klub do të ulet në tryezën e bisedimeve me Luganon për Sadikun, me siguri që zviceranët do të bëjnë ulje. Aktualisht, Sadiku kërkohet nga disa skuadra të Serisë A, si Fiorentina, Torino, Siena e Katania, ndërkohë që nga Gjermania i interesuari i vërtetë ka mbetur Mynih 1860, pas përfoljes për interesim edhe nga Borusia Dortmund në tetor