Sigal

Nga Agron KAJA

Cili është këndvështrimi juaj teknik për pesë javët e para të Kategorisë Superiore?

Mendoj se kanë qenë 25 ndeshje normale në këto pesë javë, por jo me një vlerësim më të mirë. Sepse stadiumet tona janë bosh në shumë ndeshje, madje edhe aty ku luajnë skuadrat më të mira të kësaj kategorie. Stadiumet e boshatisura dhe ndeshjet pa tifozë, nuk i shërbejnë futbollit.

Në krahasim me pesë javët e para të sezonit të kaluar, çfarë shikoni se ka ndryshuar në këto pesë javë të luajtura?

Në këtë sezon, 2018-2019, pesë javët e para të Superiores kanë treguar një kualitet më të ulët nga ai i kaluari, 2017-2018. Ka edhe ndryshime në ecurinë e garës, por mendoj se jemi ende herët për të veçuar ndryshimet, pasi skuadrat kanë treguar luhatje ndeshje pas ndeshje.

Mundet të evidentoni skuadrat që i kanë arritur pritshmëritë në këto pesë javë, dhe ato që kanë zhgënjyer?

Në këto 5 javë, Partizani duket me ecuri më të mirë, në krahasim me sezonin e kaluar. Ndërsa më të dobëta mund të quhen skuadrat që renditen nga fundi, por ato si objektiv mund të kenë qëndrimin në kategori, ndaj dhe në këtë këndvështrim, mund të mos quhen zhgënjim.

Në rezultatet e javës së pestë, kishte ndonjë surprizë, apo të gjithë dolën në logjikën sportive?

Unë mendoj se të gjitha rezultatet e javës së pestë ishin në logjikën e tyre sportive. Këtu mund të veçohet barazimi Skënderbeu-Tirana 1-1, sepse bardheblutë mund të merrnin më shumë nga ajo sfidë. Në ndeshjet e tjera, surprizat munguan, ndoshta e kanë lënë për vazhdimësinë.

Pritet që skuadrat e kreut të renditjes në pesë javët e para, të jenë ato pretendente deri në fund?

Do të luhen edhe 31 javë të tjera, dhe do të jetë një rrugë e gjatë për të thënë se, vetëm këto janë skuadrat që do të komandojnë kreun e renditjes. Pretendente mund të jenë më shumë se katër skuadra, por nisur nga vendimi për Skënderbeun, Partizani e Kukësi do të jenë më afër titullit.

Si ish-futbollist i Partizanit, ju si e parashikoni “derbin” Tirana-Partizani?

E mendoj se do të ketë shumë pritshmëri dhe interesim të madh. Sa i përket dy tifozerive tashmë të rikthyera në stadium, do të krijojë emocion. Është një ndeshje “derbi” që do të prodhojë lojë, sepse pjesa e përqendrimit të të dyja skuadrave do të jetë në maksimum.

Në periudhën kur ju luanit me fanellën e Partizanit, si e përjetonit “derbin” me Tiranën?

Atëherë (1982-1990), emocionet e këtij “derbi” fillonin të hënën, dhe përfundonin pas zhvillimit të saj, për të mos thënë se vazhdonin edhe ditë të tjera më pas. Atëherë “derbi” i kryeqytetit kishte angazhim javor në të gjithë Shqipërinë, dhe Partizani fitonte më shumë se Tirana.