Hysen Zmijani: Futbollin sot, e urdhëron biznesi, jo profesionalizmi!

954
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Hysen
Zmijani, mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë dhe i Kombëtares, lojtari i parë që në
vitin 1991 nënshkroi një kontratë zyrtare jashtë Shqipërisë

 

Nga Agron KAJA

 

Me Hysen Zmijanin nuk mërzitesh kur flet për futbollin, e
në veçanti për futbollin shqiptar. Sepse Hysa, ende flet me pasion, jo vetëm
për atë kohë të artë që ai e shkroi me mund, djersë, sakrifica e
profesionalizëm, por edhe për futbollin sot, që sipas tij është bërë biznes. Në
intervistën për gazetën “Telegraf”, Zmijani tregoi disa nga ato momente që e
kanë shoqëruar karrierën e tij si futbollist te Vllaznia, në Kombëtare dhe me
skuadra jashtë Shqipërisë, por nuk “harroi” të flasë edhe për futbollin sot, në
këndvështrimin e tij. “Sot futbolli për bashkitë është vetëm njëra nga hallkat
e shumta që ato kanë për tu zgjidhur e marrë me to. Futbollin sot duhet ta
marrë privati, por jo ta drejtojë ai si një biznes. Këtu mendoj se Vllaznia,
apo edhe skuadra të tjera të Kategorisë Superiore, kanë ngërçin e zhvillimeve
cilësore”, kështu deklaroi midis të tjerave Hysen Zmijani në këtë intervistë.

Është konstatim personal apo është realitet fakti që, Hysen Zmijani ju
“fshihet” mediave?

Jo, unë nuk mendoj se është kështu. Si është sipas meje?
Kanë filluar të mos na pyesin fare ata që shkruajnë, pse jo edhe ata që merren
me futboll në pozicione të ndryshme. E shoh që bëjnë çka duan, pse jo, asnjëherë
nuk na marrin ndonjë mendim si profesionistë, e prandaj unë në një farë mënyre
mbaj një qëndrim profesionisti duke e ndjekur ritmikën e futbollit në distancë
të afërt.

Nëse unë në kujtimet e mia e mbaj mend Zmijanin si një futbollist energjik,
të fortë e të pakalueshëm, ju sa të “drejtë” më jepni?

Sinqerisht ju them se po më zgjoni kujtimet e karrierës
sime këtu në Shqipëri. Në fakt, ju edhe keni përdorur figuracione të ndryshme atëherë
në Radio Tirana dhe unë e kujtoj se ato kanë qenë karakteristikat e lojës sime.
Por, unë mundohem të jem modest për atë çka kam dhënë në futboll si lojtar,
vlerësimet i bëni ju gazetarët.

Brezat sot duket se pak “jetojnë” me historinë e futbollit shqiptar, ju sa
e ndjeni këtë “ftohtësi”?

Me atë që shoh e jetoj çdo ditë këtu në Shqipëri, ma merr
mendja se nuk tregohet shumë respekt për ato vlera që i kemi dhënë futbollit
shqiptar. Ndryshe ndodh jashtë shtetit me futbollistët që kanë bërë emër, qoftë
në skuadra qytetesh e aq më shumë në Kombëtare. Thjesht, është një respekt i
pakët dhe i përciptë.

Kur u shfaq Hysen Zmijani për herë të parë në një ndeshje të Superiores (atëherë
Kategoria e Parë)?

Më kujtohet që kam luajtur në Berat kundër Tomorit.
Ndeshja u zhvillua në fushën e vjetër dhe Vllaznia fitoi 2-1. Mbaj mend se kam
pasur Kovaçin përballë dhe luajta me shumë emocione, pasi ai ka qenë një
futbollist I madh, një “gjahtar” i vërtetë i golit.

Në 10 vite te Vllaznia, çfarë mund të veçoni si momentin më të pashlyeshëm
që e ruani në kujtesën tuaj?

Natyrisht që ka shumë, sepse atëherë ne luanim futboll në
fushë, por jashtë fushe ishim shokë e miq me çdo kundërshtar të fushës. Në
vitin 1987 kemi luajtur dy ndeshje për Kupën e Shqipërisë kundër Flamurtarit. Në
Shkodër e fituam ne 3-0, ndeshjen e dytë e fituan vlonjatët po 3-0 dhe në kohën
shtesë ne shënuam golin e fitores që na dhe edhe fitoren e Kupës. Ka qenë një
ndeshje e madhe, pasi Flamurtari në atë kohë ishte një nga skuadrat më të forta
në futbollin tonë.

Dhe me ndryshimet politike në vitin 1991 ju e “braktisët” Shqipërinë, si
ndodhi largimi?

Nuk do ta quaja braktisje largimin në atë periudhë, por
si një kushtëzim të rrethanave. Në fakt, unë jam larguar me dokumente të
rregullta. Pas ndeshjes Francë-Shqipëri 5-0, ne mbetëm aty disa futbollistë dhe
mua m’u dha mundësia të kontaktoja shumë shpejt me një gazetar të njohur të kohës.

Pse pikërisht në Francë dhe jo në ndonjë shtet tjetër?

Sepse personi që më mundësoi mua kalimin në futbollin
francez ishte njeri serioz. Duke kaluar zyrtarisht dhe jo ilegalisht, unë u
ndjeva më i lirshëm për ta vazhduar karrierën në Korsikë me Ajacion. Po, Franca
nuk ishte keq atëherë për ne shqiptarët.

Si profesionist, jashtë Shqipërisë luajtët në gjashtë sezone, mos ndoshta u
larguat shpejt në kohë e në moshë?

Në fakt, profesionalizmi jashtë Shqipërisë, në atë kohë
ka qenë shumë i vështirë, sin ë aspektin fizik, asht edhe në atë financiar. Dhe
unë, duke e quajtur veten si një futbollist profesionist mendova largimin në
sezonin 1996-1997 me ekipin e Al Nasr të Arabisë Saudite. Në atë sezon shkova
aty vetëm për ta lënë futbollin e luajtur.

Sot, pas rreth 20 viteve që i keni “varur këpucët në gozhdë”, si e kujton
ndeshjen e fundit?

Nëse për ndeshjen e parë kujtesën e kisha të plotë, për
ndeshjen e fundit do të thoja se ishin disa të tilla. Në ç’kuptim? Unë me Al
Nasr luaja pak minuta, sepse bëjë edhe “teknikun” e fshehtë në fushë. Kjo ishte
një mbyllje e detyruar.

Dhe, pas largimit nga futbolli i luajtur, me çfarë është plotësuar CV-ja
juaj Zmijan?

Unë qëndrova edhe disa vite në Francë, ku trajnova disa
skuadra të moshave si trajner amator, një periudhë prej së cilës mendoj se kam
mësuar shumë për trajningun. Dhe më pas u riktheva në Shqipëri, mu duk më e
arsyeshme që këtë periudhë ta kaloja këtu në Shkodër.

Aktualisht, i mbani ende kontaktet me futbollin e luajtur, dhe si?

Natyrisht që po, sepse është e pamundur për një
ish-futbollist të karrierës sime që të ndjehet i plotësuar pa futbollin. Ndjek
shumë ndeshje të Vllaznisë, por edhe të skuadrave të tjera kur më jepet mundësia,
njëherësh Kombëtaren e ndjek më shumë. Por, unë kam vite që drejtoj futbollin e
Zonës së Veriut për të gjitha moshat e kategoritë, e ky pozicion më bën që të
ngrysem e të gdhihem po me futbollin.

Po Vllazninë sot, si dhe sa e ndiqni në këndvështrimin e një profesionisti,
jo si një ish, apo si një shkodran?

E ndjek dhe do ta ndjek Vllazninë sa të kem mundësinë. Është
një skuadër e mirë, por jo Vllaznia që unë dua të jetë. Skuadra drejtohet nga
Bashkia, prandaj është në këtë situatë, sepse sot futbolli për bashkitë është
vetëm njëra nga hallkat e shumta që ato kanë për tu zgjidhur e marrë me to.
Futbollin sot duhet ta marrë privati, por jo ta drejtojë ai si një biznes. Këtu
mendoj se Vllaznia apo edhe skuadra të tjera të Kategorisë Superiore, kanë ngërçin
e zhvillimeve cilësore.

Kategoria Superiore në përgjithësi, çfarë imazhi ka dhënë për ju gjatë kësaj
periudhe?

Fakt është se ka filluar të ndjehet ana profesionale e kësaj
Kategorie Superiore, por jo në të gjitha skuadrat. Këtu mendoj se ka hyrë shumë
puna nën tavolinë, dhe kjo mbetet njëra nga arsyet që futbolli ynë është dëmtuar
periodikisht. Stimulimet e skuadrave me njëra-tjetrën edhe mund të lejohen, por
trukimet sikundër kemi dëgjuar, nuk e kanë lejuar progresin që të zhvillohet në
përmasat e kohës.

Referuar renditjes aktuale në Kategorinë Superiore, si e shikoni luftën për
titullin kampion, njëherësh edhe luftën për mbijetesë?

Mendoj se do të jenë katër skuadra në kreun e renditjes,
dhe dy prej tyre, Kukësin e Partizanin i mendoj më afër titullit. Skënderbeu
nuk është më ajo skuadër e sezoneve të kaluara që shpallej kampion javë para
mbylljes së kampionatit. Tirana mendoj se është në ngjitje, por nuk besoj se do
shkojë deri te titulli. Vllaznia e Luftëtari duhet të jenë pjesë e mesit të
tabelës, kjo do të varet nga merkatua dhe nga performanca e tyre në dy fazat e
tjera, ndërkohë që ndjej keqardhje për situatën e Teutës në fundin e tabelës.
Flamurtari po lëviz e do të dalë nga ky pozicion, ndërkohë që Laçin e Korabin
nuk i shoh me optimizëm për mbijetesë.

Duke qenë se jemi në fundin e viti 2016, cili është urimi juaj për vitin
2017?

Uroj që në gjithë Shqipërinë të luhet një futboll i
bukur, i mirë, i ndershëm e pa problematikat që e frenojnë atë. Të mos jetë
futboll biznes, edhe pse paraja e lëviz futbollin. Biznesi për vitin 2017 uroj
që të jetë më i pastër me futbollin shqiptar.

 

 

 

BOKS

Nëse më kërkojnë, e drejtoj një skuadër

“Duke qenë një profesionist, unë në çdo moment kam pritur
që të jem pjesë e trajningut në skuadrat e futbollit shqiptar. Në fakt, unë nuk
kam pasur “naze” për nivele skuadrash e kategorish, pse jam një ish-futbollist,
dhe që me modesti e them se kam pasur shumë sukses në karrierë. Kjo tregon se
nuk ndjehem i vlerësuar në këtë aspekt, edhe pse ja u përmenda më sipër që
drejtoj futbollin e zonës së Veriut të Shqipërisë. Unë e ëndërroj një pozicion
trajneri te Vllaznia, por konstatoj se nuk është ana profesionale që e urdhëron
futbollin. Me këtë nuk dua të fyej askënd, përkundrazi, unë në çdo moment që e
gjykoj se vlej profesionalisht në mendimet e mia, kam dhënë kontribut. Unë e
ndjej futbollin, aq më shumë Vllazninë, e ndoshta me këtë rast le ta afrojmë
ditën të jem në drejtimin e saj”.

 

 

BOKS

Kombëtarja arriti kulmin, por me “emigrantë”

“Unë jam ndjerë shumë krenar në Francë, në të gjitha
ndeshjet që Kombëtarja jonë luajti aty në kuadrin e Kampionatit Evropian. Aty
ishte kulmi i futbollit tonë kombëtar, maja e historisë së deri tanishme. Por,
skuadra jonë aty nuk ishte “bio” në kuptimin e shqiptarëve të Shqipërisë,
sikundër ishim ne në kohën që unë luajta. Edhe pse atëherë ishte një detyrim
shtetëror që në Kombëtare të luanim vetëm ne shqiptarët e Shqipërisë, kjo nuk
do të thotë që sot në Kombëtare të luajnë më shumë lojtarë nga treva të tjera
shqipfolëse. Prandaj sot Kombëtarja jonë kaloi nga kulmi në dishezë, këtu kam
parasysh paraqitjet në ndeshjet eliminatore të “Botërorit 2018”. Vetëm humbja
me Izraelin e tregon se kjo Kombëtare nuk ka as të tashme, por as edhe të
ardhme, sikundër në Evropian”.

 

 

Somario 1

Nuk kam pasur “naze” për nivele skuadrash e kategorish,
pse jam një ish-futbollist, dhe që me modesti e them se kam pasur shumë sukses
në karrierë. Kjo tregon se nuk ndjehem i vlerësuar në këtë aspekt, edhe pse unë
e ëndërroj një pozicion trajneri te Vllaznia. Por, konstatoj se nuk është ana
profesionale që e urdhëron futbollin dhe me këtë nuk dua të fyej askënd. Përkundrazi,
sepse unë e ndjej futbollin, aq më shumë Vllazninë

 

 

Somario 2

Fakt është se ka filluar të ndjehet ana profesionale e kësaj
Kategorie Superiore, por jo në të gjitha skuadrat. Këtu mendoj se ka hyrë shumë
puna nën tavolinë, dhe kjo mbetet njëra nga arsyet që futbolli ynë është dëmtuar
periodikisht. Stimulimet e skuadrave me njëra-tjetrën edhe mund të lejohen, por
trukimet sikundër kemi dëgjuar, nuk e kanë lejuar progresin. Futbollin sot
duhet ta marrë privati, por jo ta drejtojë ai si një biznes

 

 

Hysen Zmijani

Datëlindja: 29 prill 1963

Vendlindja: Shkodër

Sporti që ka ushtruar: Futboll

Roli në fushë: Mbrojtës i djathtë

Fillimet në futboll: Në vitin 1979 me të Rinjtë e
Vllaznisë

Në futbollin Superior (atëherë Kategoria e Parë): Në
shtator 1981 në ndeshjen Tomori-Vllaznia 1-2

Skuadrat ku ka luajtur: Vllaznia në sezonet 1981-1991,
Ajacio, Francë në sezonet 1991-1993, Al Nasr, Arabia Saudite në sezonet
1993-1995, St. Pauli,  Gjermani në
sezonin 1995-1996, Al Nasr, Arabia Saudite në sezonin 1996-1997

Tituj e trofe me Vllazninë: Kampion në sezonin 1982-1983;
Kupën e Shqipërisë në sezonin 1986-1987

Me Kombëtaren: Në periudhën 1984-1995, luajtur në 36
ndeshje, shënuar 2 gola

Titujt Sportivë: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i
Sportit, Nderi i Sportit Shqiptar

Aktualisht: Zyrtar i FSHF-së si Përgjegjës i Zonës së
Veriut

 

 

KATEGORIA SUPERIORE

Janë luajtur 90
ndeshje

Janë shënuar 142 gola

Në fazën e parë

Luajtur 45 ndeshje

Shënuar 67 gola

Në fazën e dytë

Luajtur 45 ndeshje

Shënuar 75 gola

Java më e mirë

Java e 7-të me 14
gola

Java më e dobët

Java e 4-ët me 1 gol

 

 

RENDITJA

Skuadrat    Nd     Pikë  

1.Kukësi     18      36     

2.Partizani  18      35     

3.Skënderbe         18      32     

4.Tirana      18      27     

5.Luftëtari   18      22     

6.Vllaznia   18      21     

7.Flamurtari         18      17       

8.Teuta       18      16     

9.Laçi          18      14     

10.Korabi   18      11     

Shënim: Flamurtari -6 pikë

Ndeshjet/ Java e 19-të

Datë 21.01.2017 

Partizani-Luftëtari

Teuta-Tirana

Vllaznia-Kukësi

Korabi-Laçi

Skënderbeu-Flamurtari

 

 

Golashënuesit: 

11 gola: Pejiç (4p) (Kukësi)   

9 gola:
Ekuban (Partizani)

7 gola:
Taku (Tirana)

6 gola:
Salihi (1p) (Skënderbeu), Rexhinaldo (Luftëtari)

5 gola:
Shkodra (Flamurtari), Shtubina (Vllaznia), Emini (Kukësi)

4 gola:
Bregu (Luftëtari), Marville (Tirana), Xhejms (Skënderbeu) Bushiç (Flamurtari),
Plaku (Korabi) 

3 gola:
Galiç (Flamurtari), Latifi (Skënderbeu), Bengal, Ribaj (1p) (Teuta), A. Aquino
(Laçi), Batha (1p) (Partizani)   

2 gola:
Lulaj (Laçi), Çyrbja, Magani (Teuta), Telushi, Shehaj (Flamurtari),
Dvornekoviç, Lushtaku (Kukësi), G. Muça (Tirana), A. Tafili (Vllaznia)  

1 gol:
Berisha, Radoviç, Fazlliu, Alvesh (Flamurtari), Atanda, Bardhi, Vila, Trashi,
Ibrahimi, Torrasa (Partizani), Jashanica, Junior, Nimaga (Skënderbeu), Greca,
Guri, Lushtaku, Randel (Kukësi), Montero. Abazaj, Ramadani, Boyom  (Luftëtari), Ede, Muzaka (Tirana), Tafili
(1p), Hebaj, Vrapi, Çinari, Bardulla, Marku, Cicmil (1aut) (Vllaznia),
Cmajcanin, Kotobelli, Gripshi (Teuta), Nexhipi, Kaja, Mziu, Gavazaj (Korabi),
Toski, Pinto (Laçi)

 

 

 

 

MERKATO

“Thashethemet”
risjellin Salihin e Likën në Shkodër!

Duke
qenë se jemi në periudhën e merkatos jo-zyrtare, edhe lajmet që vijnë në moment
e fundit, duke qenë të tillë, të detyrojnë që ato ti sjellësh në këto radhë.
Sepse, në Shkodër ka zëra se gjatë muajit janar mund të afrohen te Vllaznia
disa futbollistë shkodranë që luajnë në skuadra të tjera të Kategorisë
Superiore. Bëhet fjalë për Hamdi Salihin, Gilman Likën, Erjon Vucajn apo edhe
Ansi Nikën, por që në FK Vllaznia këto lajme i quajnë të pavërteta. Natyrisht
që klubi shkodran është i besueshëm në këtë rast, edhe për faktin se Vllaznia
ka një gjendje financiare jo të niveleve që kërkojnë lojtarët në fjalë,
ndërkohë që vetë trajneri Cungu e ka shpërfillur si lajm, duke thënë se ai
është i fokusuar vetëm te kontigjenti aktual që ka në skuadër.